-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Serbia vazhdon me kërcënime – “Nëse Kosova aplikon në Këshillin e Evropës, Serbia aktivizon fushatën për 14 çnjohje”

Rekomandime

Nëse Kosova zyrtarisht paraqet kandidaturën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe, i cili operon në kuadër të NATO-s, atëherë Serbia do ta aktivizojë fushatën e saj lobuese kundër çnjohjes së pavarësisë së Kosovës, shkruajnë mediat e afërta me pushtetin në Serbi.

E përditshmja Novosti, në një shkrim ku thuhet se mbështetn në burime, nxjerr se “Serbia tashmë ka në sirtarë 14 shtete të cilët janë të gatshëm ta çnjohin pavarësinë e Kosovës, nëse kjo e fundit tenton të aplikojë në këto dy organizata ndërkombëtare”.

- Advertisement -

Madje, sipas medias pro-pushtetit Novosti, “paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe, në prani të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ishte shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Ëashingtonit”.

Gjithsesi, marrëveshja e Uashingtonit, nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, s’është përfilluar asnjëherë nga shteti serb.

Ndërsa, brenda të njëjtit tekst, ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviç, paralajmërimin se Kosova do të aplikojë në dy këto organizata ndërkombëtare, e sheh si një operacion të sinkronizuar me perëndimin.

- Advertisement -

“Kjo është një përpjekje për të konfirmuar shtetësinë e Kosovës dhe për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare të kontrolluara nga Perëndimi. Meqenëse politika e njohjes së Kosovës nuk po shkon mirë, ata duan të përfshihen në organizatat ndërkombëtare nga dera e pasme. Ne do të kundërshtojmë. Por, nëse kjo ndodh, të gjitha detyrimet dhe kufizimet tona pushojnë dhe duart tona priten”, ka thënë Milivojeviç.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë konferencës së përbashkët me Shcolz ishte pyetur për lajmërimet se Kosova do të aplikojë në Këshillin e Evropës.

- Advertisement -

“Ajo çfarë kancelari Scholz tha është e rëndësishme, që gjithçka që është nënshkruar në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të kthehet në veprim”, kishte thënë Vuçiç

“Dhe, shpresoj që kjo të ketë të bëjë edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Dhe, nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashington-it, atëherë duart tona janë të vendosura; veprojmë në pajtim me interesat kombëtare që kemi”.

Serbia asnjëherë s’u ka qëndruar premtimeve për ndalimin e fushatave lobuese kundër çnjohjes së Kosovës. Edhe kur ishte arritur dakordimi për një memorandum një vjeçar, se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare dhe Serbia nuk do të bëjë fushatë kundër Kosovës, shteti serb kishte vazhduar me të vjetrën.

Gjithashtu, kërcënime të tilla të çnjohjes masive të shteteve për Kosovën, gjithmonë kanë rezultuar më shumë si propagandë kërcënuese, sesa fuqi reale e Serbisë për të ndikuar në kaq shumë shtete.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit