2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Sfidohet Specialja, a ka të drejtë t’i mbajë në paraburgim Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn?

Rekomandime

Avokatët e të akuzuarve qysh në seancat e para gjyqësore e kanë vënë në pikëpyetje mandatin e Gjykatës Speciale. Në seancën kundër Nasim Haradinajt, avokati i tij kujdestar, Bas Martens, e ka kundërshtuar bazën me të cilin është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ai mendon se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion që të merret me akuzat që i janë ngarkuar Haradinajt.

Për drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ankesat e avokatëve në Gjykatën Speciale, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtje efektive dhe adekuate për të akuzuarit, janë të mirëseardhura. Megjithatë, Miftaraj ka thënë për Gazetën Express se një nen i Ligjit për Dhomat e Specializuara e zgjeron juridiksionin e kësaj gjykate edhe përtej vitit 2000 për veprat që ndërlidhen me pengimin e punës së Gjykatës Speciale, ku hyjnë edhe veprat për të cilat akuzohen kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj.

- Advertisement -

“Ligji mbi Dhomat e Specializuara e ka përcaktuar juridiksionin lëndor, kohor dhe teritorial të Gjykatës Speciale në Kosovë. Me nenet 6, 7 dhe 8 të LIgjit mbi Dhomat e Specializuara është e rregulluar dhe përcaktuar qartë se kjo gjykatë është e themeluar për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës në Kosovë që lidhen me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, dhe vlejnë për territorin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për periudhën 1 janar 1998 deri me 31 dhjetor 2000. Përderisa, neni 15 i po të njejtit ligj e ka zgjeruar jurisdiksionin e kësaj gjykate edhe jashtë vitit 2000, vetëm për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e punës së Gjykatës Speciale ku hyjnë edhe veprat penale me të cilat ngarkohen z. Gucati dhe z. Haradinaj”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, autoriteti i vetëm për të dhënë interpretim dhe sqarim juridik për këtë çështje tashmë është Gjykata Kushtetuese në Hagë.

“Përderisa, këto dispozita dhe kompetenca shtesë të Gjykatës kanë për qëllim të sigurojnë ushtrimin e punës së gjykatës nga ndërhyrjet e pengimet e jashtme, padyshim se autoriteti i vetëm për të dhënë një intepretim dhe sqarim juridik është tanimë Gjykata Kushtetuese në Hagë, dhe është shumë e mirëseardhur kur avokatët mbrojtës ushtrojnë peticione dhe ankesa që kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtje efektive dhe adekuate për përsonat e arrestuar apo të akuzuar”, është shprehur Miftaraj.

- Advertisement -

Avokati Bas Martens ka thënë të martën se ua ka dorëzuar një mocion Dhomave të Specializuara për të kërkuar hedhjen poshtë të akuzave ndaj Nasim Haradinajt, ndërsa me një tjetër mocion të dorëzuar, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet menjëherë nga paraburgimi.

“Ju duhet t’i rishikoni akuzat kundër klientit tim, sepse – siç e kam thënë në mocionin tim, dhe që ta kenë të qartë të gjithë ata që janë në këtë sallë gjyqi dhe jashtë saj – klienti im nuk është akuzuar për krime lufte. Ky është një Tribunal për krime lufte, kurse klienti im nuk është i akuzuar për krime lufte. Dhe për këtë arsye, në parashtrimin tim që ia kam dorëzuar gjykatës, nuk ka kjo gjykatë juridiksion për këto akuza kundër klientit tim, sidomos neni 387 as nuk mbulohet nga juridiksioni i kësaj gjykate. Ky është një nga shqetësimet më të mëdha dhe një nga akuzimet më të rënda që i janë bërë klientit tim”, i tha ai gjykatësit.

- Advertisement -

“Nuk dua t’i përmend të gjitha gjërat që i kam paraqitur me shkrim në parashtrimin tim- por, aty unë përfundoj me këtë që dua nga ju z. gjykatës që të vendosni që akuzat nuk janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, t’i hidhni poshtë akuzat kundër tij, ta lironi menjëherë nga paraburgimi z.Haradinaj me kushte të cilat do të përcaktohen nga ju”, vazhdoi avokati Bas Martens.

Prokurorja e Specializuar, Valeria Bolici, i kundërshtoi pretendimet e avokatit holandez, duke thënë se Bas Martens nuk po e përmend ekzistencën e dy dispozitave të rëndësishme në ligjin për Tribunalin Special, që sipas saj japin bazat e juridiksionit të Dhomave të Sepcializuara për ta arrestuar e gjykuar Nasim Haradinajn.

“Në lidhje me kundërshtimin e juridiksionit, vura re se mbrojtësi nuk përmend ekzistencën e dy dispozitave shumë të rëndësishme në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që japin bazat e juridiksionit të Dhomave për krimet, për ato të cilat është arrestuar z.Haradinaj. Për sa i përket dorëzimit të dokumentacionit, ne do t’i dorëzojmë ato brenda afateve të caktuara nga gjykatësi”, tha prokurorja.

Gjykatësi Nicolas Guilloi urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të japin përgjigjen e tyre me shkrim ndaj mocionit të Bas Martens deri të premten.

“Unë kam marrë shënim dokumentin që keni dorëzuar ju sot dhe i kërkoj Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të japin përgjigjjen e tyre ndaj mocionit të mbrojtësit të z.Haradinaj deri të premten më datën 2 tetor, duke pasur parasysh urgjencën e kësaj kërkese dhe ky është një urdhër me gojë”, tha gjykatësi në seancën gjyqësore.

Vetë Haradinaj e kundërshtoi ashpër arsyen e arrestimit të tij, ndërsa deklaroi se nuk e njeh dhe nuk do ta njohë Gjykatën Speciale.

“E ndjej veten që jam padrejtësisht këtu, thjesht, e keni thy kushtetutën e vendit tim, e keni thy çdo ligj njerëzor, keni thy të drejtën e mendimit të lirë. Mendimin për gjykatën, edhe të më dënoni me 1 milion vjet, me 500 milionë vjet, s’mund të ma hiqni mua as 500 mijë njerëzve që mendojnë si unë”, tha Haradinaj.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan të premten e kaluar në Prishtinë. Prokurori i Specializuar për ta kishte lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit