-0.1 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

SHBA e pakënaqur me vendimin e Kurtit për targat: Kosova i refuzoi kërkesat e partnerëve

Rekomandime

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

- Advertisement -

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova ta shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.

Ky reagim i SHBA-së pasoi miratimin nga Qeveria e Kosovës të një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

- Advertisement -

SHBA-ja tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtoi se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.

DASH, po ashtu, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.

- Advertisement -

Paraprakisht, vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e targave thoshte se kjo mund të bëhej deri më 31 tetor, mes paralajmërimeve nga politikanët serbë në Kosovë dhe Serbi, se mund të ketë bllokada në veriun e Kosovës, nëse Kosova do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Deklaratën e ka shpërndarë edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price si dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit