Pas përfshirjes nga zjarri të disa vendeve në Kosovë, KFOR-i ka dërguar mbështetje ajrore shtesë për të parandaluar përhapjen e mundshme të zjarrit në zonat që tash e disa ditë janë goditur nga zjarri.
Zjarri ende nuk është lokalizuar në disa qytetet në Kosovë. Në një përgjigje për gazetën Insajder, KFOR-i thotë se ka ofruar mbështetje në këtë drejtim përmes aftësive ajrore amerikane, veçanërisht helikopterët UH-60 Blackhawk për të shuar flakët në zonat që ishin të vështira për t’u arritur për shkak të terrenit të ashpër
“Dje, KFOR -i, me kërkesë të institucioneve vendore dhe pasi ka vlerësuar ndikimin e ndërhyrjes në mision dhe rëndësinë e përhapjes së mundshme të zjarrit, ka dërguar mbështetje ajrore shtesë në mbështetje.
Misioni ynë është i gatshëm për të ofruar ndihmë të mëtejshme, sipas nevojës dhe kërkesës”, ka thënë Antonio MINUTELLA nga zyra Kryesore e Marrëdhënieve me Publikun dhe Zëdhënësja e COMKFOR –it.
Kosova po përballet me një valë të flakëve në disa rajone.
Pjesa më e prekur raportohet të jetë rajoni i Prizrenit. Sot u raportua edhe një viktimë në Komunën e Vushtrrisë si pasojë e zjarrit.