3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Si do ta transformonte Evropën një Ukrainë e kontrolluar nga Rusia

Rekomandime

Përfshirja e Rusisë në Iuftën civile në Siri në verën e vitit 2015, tronditi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj. I frustruar, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, pretendoi se Siria do të shndërrohej në një “kënetë” për Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Pra Siria do të ishte “Vietnami” i Rusisë apo “Afganistani” i Putin, një gabim i rëndë që në fund do të kthehej kundër interesave ruse. Por Siria nuk përfundoi të ishte një “moçal” për Putinin. Përkundrazi, Moska e ndryshoi rrjedhën e Iuftes atje, duke e shpëtuar presidentin sirian Bashar Al-Assad nga disfata e afërt.

- Advertisement -

Më pas ajo e shndërroi ndikimin e saj ushtarak në një levë diplomatike. Ajo mbajti në nivele të qëndrueshme kostot dhe viktimat. Dhe sot Rusia është një fuqi nuk që nuk mund të injorohet në Siri. Kriza atje nuk ka pasur zgjidhje diplomatike. Përkundrazi, Moska e ka forcuar ndikimin në rajon, nga Izraeli në Libi, si dhe ka ruajtur një partner besnik si Assad për projeksionin e fuqisë së Rusisë në rajon.

Në Siri, ajo që dështoi të parashikonte administrata Obama, ishte mundësia që ndërhyrja e Rusisë do të kishte sukses. Në dimrin surreal të viteve 2021-2022, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po mendojnë edhe një herë mbi pasojat e një ndërhyrje të madhe ushtarake ruse, këtë herë brenda vetë Evropës.

Dhe sërish, shumë analistë paralajmërojnë se Rusia do të përballët me pasoja të tmerrshme në rast se sulmon Ukrainën. Më 11 shkurt, Ministri i Shtetit për Evropën në Britaninë e Madhe, James Cleverly, parashikoi se një Iufte në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës “do të shndërrohej në një moçal” për Rusinë.

- Advertisement -

Në një analizë racionale kosto-përfitim, mendohet se kostoja e një lufte në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, do të ishte tepër e lartë për Kremlinin, dhe do të shkaktonte një gjakderdhje të madhe. SHBA parashikon të paktën 50 mijë të vdekur vetëm në civilë.

Bashkë me humbjen e mbështetjes që gëzon aktualisht Putin në mesin e elitës ruse, një luftë e mundshme mund të rrezikojë seriozisht ekonominë ruse dhe të distancojë akoma më tej rusët e zakonshëm nga udhëheqësi i tyre. Njëkohësisht, ajo mund t’i afrojë trupat e NATO-s më pranë kufijve të Rusisë, duke e detyruar këtë të fundit të luftojë kundër rezistencës ukrainase për vitet në vijim.

- Advertisement -

Por analiza kosto-përfitim që bën Putin, duket se favorizon përmbysjen e statuskuosë evropiane. Udhëheqja ruse po merr përsipër më shumë rreziqe, dhe Putin është në një mision historik për të forcuar ndikimin e Rusisë në Ukrainë (siç ka bërë së fundmi në Bjellorusi dhe Kazakistan).

Dhe nga pikëpamja e Moskës, një fitore e saj në Ukrainë mund të jetë e arritshme. Natyrisht, Rusia mund ta zgjasë krizën aktuale pa e pushtuar vendin fqinj,apo pa gjetur ndonjë mënyrë të këndshme për t’u tërhequr. Por nëse llogaritjet e Kremlinit janë të saktë, siç rezultuan të ishin edhe në Siri, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të përgatiten për një skenar tjetër përveç atij të “moçalit”.

Po sikur Rusia të triumfojë në Ukrainë? Nëse ajo e vendos tërësisht nën kontroll Ukrainën apo arrin ta destabilizojë atë në një shkallë të madhe, për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën do të nisë një epokë e re. Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë, do të përballeshin me sfidën e dyfishtë të ri-mendimit të sigurisë evropiane, dhe mos-tërheqjes në një luftë më të madhe me Rusinë.

Të gjitha palët, do të duhet që të marrin në konsideratë potencialin e kundërshtarëve të armatosur me armë bërthamore. Këto dy përgjegjësi – mbrojtja me forcë e paqes në Evropë dhe shmangia e kujdesshme e përshkallëzimit ushtarak me Rusinë – nuk do të jenë domosdoshmërisht të pajtueshme.

Si rezultat i veprimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund ta shohin veten si shumë të papërgatitur për detyrën e krijimit të një rendi të ri të sigurisë evropiane. Për Rusinë, fitorja në Ukrainë mund të marrë forma të ndryshme.

Ashtu si në Siri, triumfi nuk do të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme të krizës. Ai mund të përfshijë vendosjen në Kiev të një qeverie të re pro-ruse apo ndarjen e këtij vendi. Ndërkohë, disfata e ushtrisë ukrainase, dhe negocimi i dorëzimit të Ukrainës, mund ta shndërrojnë këtë vend në një shtet të dështuar.

Në rast se Rusia arrin synimet e saj politike në Ukrainë përmes mjeteve ushtarake, Evropa nuk do të jetë ajo që ishte para luftës. Do të humbte çdo lloj ndjesie se Bashkimi Evropian apo NATO mund të garantojnë paqen në kontinent. Siguria në Evropë do të duhet të reduktohet vetëm në mbrojtjen e anëtarëve kryesorë të BE-së dhe NATO-s.

Të gjitha vendet jashtë këtyre organizatave do të mbeten vetëm, me përjashtim të Finlandës dhe Suedisë. Ky mund të mos jetë domosdoshmërisht një vendim i ndërgjegjshëm për t’i dhënë fund politikave të zgjerimit apo asociimit; por do të ishte një politikë faktike.

Nën një rrethim të perceptuar nga Rusia, BE dhe NATO nuk do të kenë më kapacitetin për politika ambicioze përtej kufijve të tyre. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të ishin në një gjendje lufte të përhershme ekonomike me Rusinë. Perëndimi do të synonte të vendoste sanksione gjithëpërfshirëse, të cilat Rusia ka të ngjarë t’i kundërshtojë nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe shantazheve me furnizime energjetike.

Në këtë përballje ekonomike, Kina mund të qëndrojë e rreshtuar në anën e Rusisë. Ndërkohë, politika e brendshme në vendet evropiane do t’i ngjante lojës së fuqive të mëdha gjatë shekullit XXI. Nëpërmjet metodave të pista, Rusia do të shfrytëzojë çdo mundësi për të ndikuar mbi opinionin publik dhe zgjedhjet në vendet evropiane.

Shtetet anëtare në Evropën Lindore do të kishin prani të përhershme të trupave të NATO-s në territorin e tyre. Në një Ukrainë të rusifikuar, nuk do të vlenin analogjitë me Luftën e Ftohtë. Sundimi rus mbi Ukrainën, do të krijonte një zonë të gjerë destabilizimi dhe pasigurie nga Estonia në Poloni dhe Rumani, dhe deri në Turqi.

Në rastin e një fitoreje ruse në Ukrainë, do të sfidohet seriozisht pozicioni i Gjermanisë në Evropë. Franca dhe Britania do të merrnin një rol udhëheqës në çështjet evropiane për shkak të ushtrive të tyre relativisht të forta dhe traditës së gjatë të ndërhyrjeve ushtarake.

Gjithsesi faktori kyç në Evropë, do të mbeten sërish Shtetet e Bashkuara. NATO do të varet nga mbështetja e Amerikës. Ndërkohë miliona refugjatë do të largohen nga Ukraina në drejtime të shumta. Gjendja e përhershme e përshkallëzimit midis Rusisë dhe Evropës mund të qëndrojë e ftohtë nga perspektiva ushtarake.

Por, ka të ngjarë të jetë e nxehtënë aspektin ekonomik. Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë në vitin 2014, kishin një lidhje direkte me diplomacinë formale, dhe nuk ishin shumë të ashpra. Pas një pushtimi rus të Ukrainës, sanksionet e reja mbi bankat dhe transferimin e teknologjisë do të ishin të rëndësishme dhe të përhershme.

Në kundërpërgjigje, Rusia do të hakmerret me sulme kibernetike, ndërprerje të gazit, dhe kufizim të qasjes së Perëndimit ndaj mallrave shumë kritike si titani. Ajo do të përpiqet të nxjerrë një ose disa shtete evropiane nga kjo përballje, duke e minuar kështu konsensusin në BE dhe NATO.

Për Shtetet e Bashkuara, një fitore ruse do të kishte efekte të mëdha në strategjinë e saj në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Suksesi rus në Ukrainë do të kërkonte që Uashingtoni të fokusohej përgjithësisht në Evropës. Vetëm një angazhim i fortë i SHBA-së për sigurinë evropiane do ta pengojë Rusinë që të përçajë vendet evropiane me njëra-tjetrën.
Nga Liana Fix & Michael Kimmage “Foreign Affairs”

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit