1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Si e dinte Labinot Gruda, ‘avulluesi’ i 2 mln €, për projektet e Ministrisë së Infrastrukturës në emër të të cilave i transferoi paratë?

Rekomandime

Skandali më mbi dy milionë eurot e keqpërdorura vazhdon të jetë edhe më tutje aktual, derisa në pah po dalin fakte të reja.

Në pasqyrën bankare të kompanisë “LDA Group” nga Llapushniku nga e cila janë avulluar 2.1 milionë euro të Thesarit të Shtetit, janë bërë pagesa në emër të ndërtimin, riparimin dhe rehabilitimin e rrugëve. Katër transfere të këtyre parave, sipas pasqyrës bankare të kompanisë, janë bërë në emër të projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës.

- Advertisement -

Aty shihet se nga Thesari i Kosovës më datë 09.10.2020 janë transferuar 622,903.90 euro në emër të “Rehabilitimit të rrugëve”.

Transferi i dytë, siç shkruan Sinjali, erdhi po ashtu nga Thesari i Kosovës në të njëjtën datë, në shumë prej 330.092.00 në emër të “Rehabilitimit të rrugës rajonale Zhur-Dragash-Brod”.

Mjetet në vlerë prej 375.000.00 euro, nga Thesari i Shtetit, u transferuan në emër të “Riparimit të rrugëve”, ndërsa 750.000.00 euro u transferuan në emër të “Riparimit të rrugës rajonale R115, Prizren-Prevallë”.

- Advertisement -

Për nevojat e firmës Conductor: Kadri Shala, shkuan 50.000.00 euro. Në emër të “Pagesave për punimet e shtëpive” shkuan 45.000.00 euro. Ndërsa për “Pagesat për punimet e përfunduara për shtëpitë e minoriteteve shkuan 26.000.00 euro.

Shtrohet pyetja se cila mund të jetë lidhshmëria e këtyre transfereve me Ministrinë e Infrastrukturës. Pse nuk ka një sqarim nga ministria apo hetim për këtë ministri nga organet e hetuesisë. Si ndodhi që Labinot Gruda nga Thesari i Kosovës, i arrestuar për avullimin e 2.1 milionë euro, e dinte për këto projekte të Ministrisë së Infrastrukturës?

- Advertisement -

Në dosjen e Prokurorisë së Shtetit thuhet se Gruda për një periudhë kohore prej 8 minutash ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove në llogarinë e kompanisë LDA Group Shpk me bazë në Llapushnik.

Mirëpo, burime të Ballkani.info hedhin dyshime lidhur me pagesën që është dashur t’i bëhej operatorëve ekonomikë për rregullimin e rrugës “Prizren-Prevallë”, pagesë kjo që më pas ka shkuar në kompaninë fiktive të Llapushnikut.

Burimet e Ballkani.info thonë se nga data (afërisht) 08.09.2020 operatorët ekonomike të kontraktuar për projektin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, kanë dorëzuar faturat për avans (parapagim) në Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht tek Drejtori i Financave në këtë ministri, Besnik Hajdari.

Dhe duke pasur parasysh këtë informacion, lindin disa dilema që ne do t’i parashtrojmë në formë të pyetjeve publike për Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht Drejtorinë e Financave të kësaj ministrie?

Pse nuk është lëshuar avansi për Operatorët Ekonomike afërsisht që dy muaj kur të gjitha mjetet kanë qenë në dispozicion të MI-së, të gjitha procedurat janë përfunduar dhe kanë ngecur në Drejtorinë e Besnik Hajdarit?

Kush i ka zotuar këto para (përdoruesi/user)

Kush e ka lëshuar urdhër pagesën (përdoruesi/user)

Kush nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës e ka bërë pranimin në sistemin Free Balance (burime të gazetës kanë informacione se me USE të zyrtarit të MI-së është bërë pranimi). Burimet tona thonë se zyrtari i MI-së i cili ka bërë pranimin në sistemin Free Balance nuk është më pranuesi, ai ka kaluar në një drejtori tjetër, prandaj shtrohet pyetja pse useri i tij ende është i hapur kur nuk e ushtron atë detyrë. Pse Besnik Hajdari nuk është përkujdesur për mbylljen e kësaj llogarie?

Kush e ka certifikuar pagesën (përdoruesi/useri)

Vlen të përmendet se pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera. Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh.

Çfarë tha Labinot Gruda në Gjykatë?

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda. ka deklaruar në gjykatë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

“Unë gjithmonë i kam përmbushur detyrimet e mija sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato”, ka thënë ai.

Kështu deklaroi Labinot Gruda gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas së cilës iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, në bazë të kërkesës së prokurorit. Kjo deklaratë citohet në aktvendimin e gjykatën, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

Gjykata thotë se Gruda dyshohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas deklaratës së prokurorit të rastit, Labinot Gruda më 9 tetor mes orës 12:11 dhe 12:19 nga zyra e tij në Thesarin e Kosovës, “duke krijuar user-a (llogari) të ndryshëm si user-a të punëtorëve të Ministrisë së infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme, ka realizuar katër transaksione në vlerë prej 2,077,995 në llogarinë bankare të kompanisë ‘LDA Group’ Sh.p.k… veprime të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Punëtori i Thesarit, Gruda megjithatë ka deklaruar se është e pamundur që transaksionin ta ketë kryer nga ora 12:11 deri në ora 12:19, përkatësisht për 8 minuta.

“Nëse e marrim mënyrën reale të ekzekutimit të një transaksioni, duhet të kalojë nëpër duart e së paku pesë zyrtarëve, t’i marrë të gjitha nënshkrimet apo aprovimet e duhura, gjë që nuk mund të arrihet të kryhet një transaksion i tillë në afatin kohor prej 8 minutash”, ka thënë ai.

Personat që pranuan mjetet “janë larguar nga Kosova”.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë shkruan po ashtu se Prokurori i Shtetit gjatë seancës dëgjimore ka thënë se “personave të cilëve iu janë bartur mjetet, veç sa e kanë lëshuar territorin e Kosovës dhe nuk janë të qasshëm për organet gjyqësore, ndërsa mjetet nga llogaria veç se janë tërhequr apo janë dërguar në llogari tjera”.

Prokuroria tha se e bazon kërkesën për paraburgim ndaj Grudës pasi ekziston rreziku se i dyshuari do” t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo falsifikojë provat apo gjurmët e veprës penale si dhe të pengojë rrjedhën e suksesshme të procedurës penale me ndikim te dëshmitarët, te të dëmtuarit apo pjesëmarrësit”.

Mbrojtësi i dyshuarit, Veton Rrecaj gjatë seancës dëgjimore, duke e kundërshtuar masën e paraburgimit, ka deklaruar se “mungon kushti esencial, dyshimi i arsyeshëm se i mbrojturi në mënyrë individuale-personale të ketë ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të veprës penale për të cilën dyshohet”.

Sipas avokatit Rrecaj, Gruda në zyre në Thesar punonte me 13 persona të tjerë, duke shtuar se i mbetet organit të hetuesisë që në të ardhmen të vërtetojë dyshimin, përkatësisht veprimin që klienti i tij ka ndërmarrë, për të transferuar këto mjete në një kompani private.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit