1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Skandali 7 milionësh – Ish zv.drejtori i ATK-së rrëfen se si iu shlyen milionat oligarkut Saimir Manes

Rekomandime

Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.

- Advertisement -

Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria.

Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCoFerronikeliComplex L.L.C.


Për krejt këtë çështje ka folur për Gazetën Insajderi ish-zv.drejtori i Administartës Tatimore të Kosovës, Hamdi Hoxha.

- Advertisement -

Ai ka deklaruar se gjatë vitit 2017, departamenti që e ka udhëhequr ai ka dyshuar se Ferronikeli ka manipuluar çmimet e shitjes. Nisur nga kjo edhe ka nisur hetimi ndaj saj.

“Me strukturën e mëhershme administrative të ATK-së ka funksionuar një shtyllë. Shtylla e funksioneve të veçanta të cilën e kam kryesuar unë si zv/drejtor. Në kuadër të asaj shtylle kanë bërë pjesë disa departamente, në kuadër të saj edhe DHTI-ja. Gjatë vitit 2017, ky departament dhe hetuesit tatimorë kanë dyshuar se subjekti në fjalë, Ferronikeli, ka deklaruar vetëm humbje tatimore mirëpo nuk ka pasur afarizëm pozitiv. Dyshimet janë ndërlidhur me çmimet e shitjes së eksportit”, tha Hoxha.

- Advertisement -

Për këtë arsye hetuesit e ATK-së, nisën hetimet. Gjatë rrugës u doli se ky biznes ka pasur edhe çështje të tjera, përfshirë edhe ndërrimin e pronësisë që ka ndodhur në vitin 2010

“Gjatë procedurës hetimore, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë filluar hetimet dhe është konstatuar se ky biznes ka pasur edhe çështje të tjera, e sidomos ndërrimi i pronësisë që ka ndodhur në vitin 2010. Prej vitit 2009 që kanë qenë në atë kohë diku rreth 43 milionë euro humbje tatimore, kështu që në hetim të vetëm kësaj çështje tatimore ka rezultuar që hetuesit tatimorë të verifikojnë që në ARBK, biznesi ka aplikuar për 100 për qind të ndërrimit të pronësisë e jo në masën prej 50 për qind, siç ka treguar dokumenti i ARBK-së”, ka deklaruar Hoxha.

Ish-zv.drejtoriHamdi Hoxha, thotë se ligjërisht bizneseve u lejtohet të kenë humbje tatimore. Por Ferronikeli sipas tij edhe pas ndërrimit të aksioneve, në vend se të ndërpritet humbja ato i kanë bartur në pasqyrat financiare dhe nuk ka dal obligues tatimor sipas ligjeve në fuqi.

“Sipas ligjit lejohet edhe bizneset të kenë humbje. Humbje të cilat në pasqyrat financiare rezultojnë në efekte tatimore. Përderisa ai biznes i caktuar ka deklaruar në atë mënyrë që ka pasur humbje në periudhën e caktime në vitin 2010 p.sh, pas ndërrimit të aksioneve, në vend se të ndërpritet humbja ato i kanë bartur në pasqyrat financiare dhe nuk ka dal obligues tatimor sipas ligjeve në fuqi. Hetuesit tatimorë kanë konstatuar se ky biznes, pavarësisht se kishte bërë një kërkesë në ATK për interpretim ligjor gjoja se nuk i ka pasur ndërrimin e aksioneve në 100 përqind, por në dokumentin e aplikimit në ARBK ka dal se ndërrimi i aksioneve është bërë në masën 100 për qind”, tha ai.

Hoxha ka treguar se si kjo kompani nga humbjet tatimore ka rezultuar të ketë tatim shtes miliona euro.

“Në bazë të kësaj edhe vlerësimit tatimor, ka rezultuar duke ia ndërpre fillimisht humbjen në periudhën tatimore të vitit 2010. Kështu që vetëm nga ndërprerja e bartjes së humbjeve të deklaruara tatimore nga viti 2009 deri më 2010 ka rezultuar që të ketë tatim shtesë prej 2 milionë e 984 mijë e 646 euro. Ka qenë humbje në vlera shumë të mëdha, dikur 40 milionë siç thash edhe më parë, ndërkaq në total ka shkuar në mbi 5 milionë euro”, tha Hoxha.

Kompania Ferronikeli kishte fituar sipas Hoxhës nga kompania e sigurimeve diku 7 milionë dollarë nga avaria e lajmëruar nga ky biznes.

“Një çështje tjetër është një avari e lajmëruar nga biznesi Ferronikeli, por që biznesi i kishte. Pas kësaj kemi vërtetuar se biznesi ka rimbursuar nga kompania e sigurimeve diku 7 milionë dollarë dhe për këtë çështje në donim që çdo gjë të bëhej me interpretime adekuate ligjore që të mos ketë gabime dhe është siguruar një interpretim ligjor në Departamentin e Kontrollit dhe sipas atij interpretimi, hetuesit tatimorë kanë zhvilluar procedurën dhe e kanë ngarkuar me obligime shtesë tatimore, do të thotë në vlerën e rimbursuar nga kompania e sigurimeve, janë zbritur TVSH-ja, kështu që ka rezultuar me obligime tatimore në vlerë prej 1 milionë e 51 mijë euro duke përfshirë interesat dhe ndëshkimet”, ka deklaruar Hoxha .

Përvec këtyre situatave kur ndaj Ferronikelit ishin vërtetuar dyshimet e hetuesve, Hoxha ka tha se ka pasur edhe disa kontraktor të saj në Dubaj që nuk kanë mundur të gjejnë se si kanë funksionuar atje.

“Ka pasur edhe çështje të tjera por të cilat nuk kemi mundur të verifikohen për shkak që ndoshta nuk kemi pasur marrëveshje me shtete të caktuara për eliminimin e tatimit të dyfishtë. Shembull se disa kontraktorë, partnerë të Ferronikelit, ishin në Dubai– funksionin nga atje – dhe ne nuk kemi mundur të sigurojmë informata atje për të verifikuar shpenzimet e komisionarit, siç kanë qenë të raportuara në librat e këtij subjekti”, tha Hoxha për Insajderin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit