4.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

S’mori mëditje për udhëtimet zyrtare – kaq para harxhuan Kryeministri Kurti me këshilltarët e tij për 100 ditë

Rekomandime

Më 22 mars, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u bë kryeministër i Republikës së Kosovës. Që nga ajo ditë e deri më 30 qershor, ai së bashku me këshilltarët e tij kanë shpenzuar rreth 7 mijë e 600 euro. Më së shumti gjatë muajve të parë në pushtet, shefi i Qeverisë dhe ekipa e tij harxhuan për dreka zyrtare.

- Advertisement -

Ekipa e Kurtit në Kryeministri përbëhet nga gjithsej 20 anëtarë. Nga ky numër, 14 prej tyre janë këshilltarë politikë e të tjerët janë staf përcjellës si vozitës, fotografë e zyrtarë të sigurimit.

Por, nga dokumentet e siguruara prej Gazetës Online “Reporteri.net”, 20 anëtarët e ekipës së Kurtit së bashku me të kanë harxhuar vetëm 7,569,65 euro.

Dokumentet nga Zyra e Kryeministrit tregojnë se Kurti dhe stafi i tij në Kryeministri për periudhën ndërmjet 22 marsit deri më 30 qershor kanë harxhuar nga 360,45 euro për kokë.

- Advertisement -

Në po të njëjtën periudhë shefi i Ekzekutivit dhe këshilltarët e tij shpenzuan 4,367 euro për dreka brenda vendit.

Për 100-ditëshin e parë në pushtet, Kabineti i kryeministrit Kurti që numëron plotë 20 anëtarë, mesatarisht harxhuan 43.67 euro në ditë për dreka, shkruan Reporteri.net.

Ndërkaq, për udhëtime zyrtare ku përfshihen akomodimi dhe bileta, Kryeministri Kurti dhe vartësit e tij shpenzuan mbi 1700 euro.

- Advertisement -

1 mijë e 70 euro shkuan vetëm për akomodimin e kryeministrit Kurti gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

E për bileta, Kurti pagoi vetëm 638.19 euro.

Përkundër udhëtimeve jashtë vendit, shefi i Qeverisë nuk mori asnjë mëditje siç është e rregulluar me ligj.

Për dallim nga shefi i tij, këshilltari politik i Kurtit, Përparim Kryeziu, që është edhe zëdhënës i Qeverisë, mori plotë 136 euro mëditje.

Në dokumentin e shpenzimeve, të siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net, tregohet se për derivate, Kurti dhe këshilltarët e tij kanë shpenzuar vetëm 1 mijë e 202 euro.

Mes tjerash, për shpenzime telefonike në stafin e Kurtit u shpenzuan 462 euro.

Kurti u votua si kryeministër i vendit më 22 mars të këtij viti duke u bërë për herë të dytë udhëheqës i Qeverisë së Kosovës.

Gjatë qeverisjeve të kaluara, kryeministrat dhe këshilltarët e tij kanë harxhuar dukshëm më shumë para për dreka, udhëtime e mëditje se Kurti dhe stafi i tij.

Përveç Kurtit, pak gjatë kohës sa ishte në pushtet pati harxhuar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti./reporteri.net

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit