Pothuajse të gjitha partitë politike në vend kanë reaguar për vdekjen e 26 vjeçarit, që ra nga kati i V-të i Qendrës së Studentëve ku po qëndronte në karantinë.
Madje, për vdekjen e 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, po kërkohet dorëheqja e Arben Vitisë dhe e Xhelal Sveçlës nga postet ministrore.
E para që reagoi ishte partia Social Demokrate me kryetarin e saj Dardan Molliqaj, dhe Partia Demokratike e Kosovës, me Uran Ismailin.
PSD dhe PDK kanë kërkuar që të hiqet karantina në Qendrën e Studentëve, sepse sipas tyre pandemia luftohet pa e cenuar demokracinë, dhe njëkohësisht kanë kërkua edhe dorëheqjen e Vitisë dhe Sveçlës.
E për t’i komentuar të gjitha këto zhvillime, për “Bota sot”, ka folur analisti politik.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Rexhep Elezaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se dukuria e politizimit dhe keqpërdorimit të vdekjeve për qëllime politike, që nga mbarimi i luftës e deri më sot, ka vazhduar të jetë njolla e zezë e historisë politike shqiptare.
“Së pari, rasti i vetëvrasjes tragjike të 26 vjeçarit nga Gjilani që ka ndodhur dy ditë më parë në konviktin e studentëve, është një humbje e madhe për familjen, është vdekje shumë e dhimbshme e cila i ka prekur thellë gjithë shqiptarët kudo që janë, pa marrë parasysh motivet dhe shkaqet e saj. Së dyti, dhe për fat të keq të shoqërisë tonë, dukuria e politizimit dhe keqpërdorimit të vdekjeve për qëllime politike, që nga mbarimi i luftës e deri më sot, ka vazhduar të jetë njolla e zezë e historisë politike shqiptare, sepse nga ana e disa “komandantëve” të vetëshpallur, siç e dimë të gjithë, në mënyrën antinjerëzore dhe antikombëtare janë keqpërdorur për qëllime politike emrat e shumë dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, që fund e krye ia ka humbur vlerën sakrificave të tyre sublime, siç është dhënia jetës për liri”, ka thënë Elezaj.
Me tej ai ka shtuar se është fakt i gjallë se politizimi i vdekjeve, vetëvrasjeve dhe figurave të shquara të popullit shqiptar të Kosovës, është njëra prej anti-vlerave më të mëdha që ka goditur mendësinë politike shqiptare, pa dallim.
Sipas Elezajt, kurrë më para në historinë tonë nuk janë keqpërdorur për qëllime politike vetëvrasjet, vrasjet dhe rëniet e dëshmorëve në frontin e luftës, sikur që 20 vite më pas po vazhdon të keqpërdorën dhe politizohen, siç është edhe rasti i fundit me vetëvrasjen e 26 vjeçarit nga Gjilani.
“Ta keqpërdorësh vdekjen e njeriut për të fituar poena politik në llogari të kauzës partiake tek elektorati, thënë ndryshe, ta shfrytëzosh vdekjen e një bashkëqytetari dhe të një shqiptari, kushdo qoftë ai, për ta goditur politikisht kundërshtarin politik, duke e keqpërdorë shpirtin e të vdekurit si “mish për top” dhe fajin t’ia hudhësh atij, ende pa u zbardhur rrethanat dhe shkaqet e çdo vetëvrasjeje, apo vdekjeje e cilës do natyrë, është pa dyshim, krim ndaj vetë të vdekurit, ndaj familjes së tij, por edhe ndaj shtetit dhe shoqërisë që i takon. Unë, kështu i shoh akuzat e pabazuara të disa partive politike dhe militantëve të tyre, të cilët po gjuajnë “gurë e dru” mbi Albin Kurtin dhe Arben Vitin, duke ua hudhë fajin për vetëvrasjen e 26 vjeçarit nga Gjilani, ende pa e thënë fjalën përfundimtare Prokuroria dhe organet tjera të hetuesisë”, ka shtuar ai.
Elezaj poashtu deklaron ky është një skenar për të fituar politikisht, mirëpo sipas analisti, do e humbin përkrahjen tek elektorati.
“Po shihet qartë se kush po bën krim mbi krimin për të fituar politikisht, që në fakt nuk janë të vetëdijshëm se do iu ndodhin e kundërta, pra do e humbin përkrahjen tek elektorati i tyre i sinqertë, i cili nuk pranon që udhëheqësit e tyre të përfitojnë vota duke përdhosur vdekjet e qytetarëve në mënyrë kaq të paskrupullt dhe johumane”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, kret në fund, ai ka nënvizuar se nuk sheh asnjë alibi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë Arben Vitia, të japin dorëheqje nga postet e tyre, përveç nëse gjykata gjen fakte.
“Nisur nga parimet e drejta njerëzore, qytetare dhe ligjore, unë nuk shoh asnjë alibi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë Arben Vitia, të japin dorëheqje nga postet e tyre, përveç nëse gjykata gjen fakte se ata janë fajtorë për vdekjen e 26 vjeçarit, ngase as përgjegjësia morale e të qenurit në krye të institucioneve të shtetit nuk e zbutë dhe as eliminon rrezikun e pandemisë së koronavirusit, e cila ka qe dy muaj e më shumë që na është lidhur për qafe sikur gjarpri me bisht, dhe e cila mori jetën e shumë qytetarëve tanë”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i zhvillimeve poltike në vend, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot”.