15.7 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Takimi në Uashington, hap drejt marrëveshjes përfundimtare

Rekomandime

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është paralajmëruar të mbahet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, pritet të jetë një hap drejt një marrëveshjeje paqësore ndërmjet dy vendeve, por ende mbetet e paqartë se për çfarë konkretisht do të bisedohet në këtë takim, thonë njohësit e zhvillimeve politike, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri.

- Advertisement -

Ftesën, liderëve të Kosovë dhe Serbisë për takim në Uashington ua ka bërë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein. Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Ullyot, ka thënë që Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, duke i cilësuar si “të rëndësishme”.

“Ne besojmë në përparim në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, si hap i parë drejt përparimin në procesin e paqes”, ka thënë Ullyot në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Analisti i çështjeve politike Agon Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e deritashme të zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, kanë krijuar përshtypjen që të dyja palët janë konfuze lidhur me atë se cilat janë çështjet konkrete për të cilat pritet të ketë ndonjë marrëveshje.

- Advertisement -

Sipas tij, situata lidhur me atë se çfarë do të bisedohet në Uashinton është shumë e paqartë dhe mbase, siç shprehet ai, mungesa e transparencës është e qëllimshme, në mënyrë që të parandalohet rrjedhja e informatave. Por, siç thotë ai, deklarata e zëdhënësit të Këshillit për Siguri Kombëtare, John Ullyot, lë për të kuptuar që në takimin e 4 shtatorit në Uashington mund të ketë marrëveshje konkrete lidhur me shtysat dhe projektet ekonomike. Por, Maliqi nuk përjashton mundësinë që një pjesë e marrëveshjes të përfshijë edhe zotimet politike nga palët, ndonëse mbetet e paqartë nëse palët janë të përgatitura mirë për takimin e Uashingtonit.

“Kjo është e vështirë për tu gjykuar për shkak të mungesës së transparencës. Por, duke marrë parasysh shpejtësinë e kohës me të cilën u thirr takimi, është pak e vështirë për ta kuptuar që për këtë periudhë kohore mund të prodhohet diçka shumë përmbajtësore, përveç nëse është e kufizuar në çështjet ekonomike ose nëse bëhet fjalë për materiale të përgatitura më herët dhe për të cilat ne nuk kemi informacion. Por, përgjithësisht, duket e nxituar dhe e mjegullt aq sa mund të parashikohen shumë skenare. Madje njerëzit që përgjithësisht janë të informuar për procesin, nuk dinë se çfarë të mendojnë për të”, tha Maliqi.

- Advertisement -

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që përgjithësisht mungon trenasparenca lidhur me atë se çfarë do të bisedohet në takimin e 4 shtatorit në Uashington. Sipas tij, etapa finale e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vetëm për çështje ekonomike, sepse për më shumë, kontesti ndërmjet dy vendeve është çështje politike dhe historike, si dhe me ndikim të madh në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë e rajonit. Siç thotë ai, insistimi amerikan se do të bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, mund të jetë vetëm si një lloj asyetimi dhe një lloj tendence për t’i zbutur pozicionet e palëve, të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat janë krejtësisht të kundërta në kontekstin e arritjes së një zgjidhjeje paqësore .

“Është evidente që të dyja palët do të duhet që të pranojnë kushtezime reciproke dhe të bëjnë edhe kompromise të konsiderueshme, nëse dëshirojnë që të arrijnë pajtimin. Përmendja e vazhdueshme e çështjeve ekonomike bëhet me qëllim që edhe opinionet respektive të kenë një lloj pritshmërie për përmirësimin e mirëqenies së tyre në raport me ato kompromise, të cilat do të duhet të bëhen”, theksoi Muhaxhiri.

Takimi ndërmjet liderëve të Kosovë dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator. Por, ai është shtyrë për dy ditë më vonë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 gusht ka deklaruar që në këtë takim “ekziston mundësia që të paraqitet presidenti i SHBA-së Donald Trump”, në rast se palët meren vesh për diçka.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit