11.4 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Tensionet në koalicion për postin e Presidentit para takimit të së hënës

Rekomandime

Pothuaj nuk ka ditë kohëve të fundit që LDK e AAK nuk i çojnë mesazh njëra -tjetrës, edhe pse bashkë janë duke qeverisur me vendin. Fillimisht Haradinaj nisi me kritikat për çështjen e dialogut duke e goditur haptas Kryeministrin Hoti, që nuk e morri Selim Selimin në takimin e Brukselit me Vuçiqin. Por, pak ditë më vonë Haradinaj doli në temë duke treguar se e kërkon postin e Presidentit. Isa Mustafa nuk lë rast po ashtu pa u përgjigjur se LDK e AAK nuk kanë marrëveshje për postin e Presidentit. Përplasjet kanë vazhduar edhe sot edhe dje.

- Advertisement -

Propozim-dorëzimi i aktakuzës nga Prokurori i Specializuar ka sjellë në vëmendje pozitën e të parit të shtetit, muaj para se Hashim Thaçi ta kryejë zyrtarisht mandatin.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj tashmë ka marrë besimin e partisë së tij që të jetë i nominuar për këtë pozitë, kurdo që Thaçi ta lërë atë.

Derisa Thaci vetë tha se nuk do të rikandidojë, Haradinaj për t’u ulur në karrigen e të parit të shtetit sot u ka bërë edhe një paralajmërim partnerëve të koalicionit.

- Advertisement -

Ish -kryeministri Haradinaj, thekson se partia në të cilën ai udhëheq është para dy zgjidhjeve.

Në këtë mënyrë, ai e ka vënë LDK’në para vendosjes nëse duan rrëzimin e Avdullah Hotit nga Qeveria, ende pa i bërë një vit në këtë post apo ta votojnë Haradinaj për president, në mënyrë që të mos ndodhë një skenar i tillë.

- Advertisement -

“Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve. Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenit në tavolinë aty ku merren vendimet”, ka deklaruar kreu i AAK’së.

Vetë Haradinaj thotë se LDK’ja nuk kanë ambicie për ta marrë presidentin, ani pse Mustafa ishte shprehur qysh herët i gatshëm që të bëhet president.

Për çështjen e presidentit në LDK flasin ndryshe nga AAK’ja. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dje gjatë ditës duke folur për Gazetën Express tha se në takim me Haradinajn e Fatmir Limajn e Nismës do të diskutojnë për bashkëqeverisje, e jo për pozitën e presidentit.

“Çështjen e Presidentit nuk e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës. Është një çështje komplekse, e cila hapet në rrethana të sfidimit me mandatin kushtetues. Këtë çështje nuk e kemi diskutuar as në organet e LDK-së”, ka deklaruar Mustafa për gazetën.

Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se partnerët e koalicionit nuk gjejnë një zgjidhje për postin e presidentit, që mund të mbetet i lirë para prillit nëse Specialja ia konfirmon aktakuzën Thacit.

Takimi i së hënës që do të mbahet pas disa përplasjeve në mes të LDK’së e AAK’së pritet që të adresojë disa çështje në mes të partnerëve, përfshirë këtu edhe pakënaqësitë për dialogun e çështjen e presidentit dhe përfshirjen e mundshme të PDK’së në qeveri.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit