Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar pas intervistimit katërditor në Hagë, ku po dyshohet për krime gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Përmes një video të publikuar në Facebook, Thaçi ka thënë se nuk ishte i përkryer, por gjithmonë ishte munduar ta bëj më të mirën për atdheun.
“Të nderuar bashkëqytetarë. Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka. Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij, nga populli i tij!. Për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Përulem me respekt për besimin tuaj. Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun “, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu i siguroi qytetarët se do të dal i pastër në fund të këtij rrugëtimi.
“U jam mirënjohës përgjithmonë! Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun tim dhe për juve. Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju”, ka thënë Thaçi.