Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi të bërë në Facebook ka shprehur shqetësimin dhe dhimbjen e tij karshi dëmeve të kulturave bujqësore, si pasojë e motit të ligë që po merr sot në vendin tonë.
Ai ka thënë se Kosova duhet të bëjë më shumë për bujqit dhe bujqësinë.
Ky është postimi i plotë:
Shumë e dhimbshme të shohësh sa është dëmtuar puna e bujqve tanë, djersa dhe mundi i tyre, dje dhe sot, pas breshrit dhe rrebesheve të shiut në vendin tonë. Nuk është aspak e lehtë të merresh me bujqësi, veçanërisht pasi rreziku nga fatkeqësitë natyrore i kanoset gjithnjë sektorit.
Një dëm sezonal, bujqve tanë shpeshherë ua bënë të pamundur mbijetesën biznesore apo edhe punimin e tokës së tyre në sezonin e ardhshëm. Prandaj, Kosova duhet të bëjë më shumë për bujqit dhe bujqësinë. Duhet të bëjë më shumë për njerëzit tanë të vyeshëm dhe për këtë sektor jetik për ekonominë tonë.