2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Thellohet skandaIi në shtëpinë “Orenda”: Dyshohet se Inspektorati Shëndetësor s’e ka inspektuar kurrë stafin që punonin aty

Rekomandime

Shtëpia për përkujdesjen ndaj të moshuarve në Pejë “Orenda” ka qenë lajmi kryesor i dy ditëve të fundit, pas shpërthimit të skandalit të dhunës së ushtruar nga infermierja Aurona Pelaj ndaj të moshuarës dhe talljes e mos intervenimit nga koleget e tjera të saj.

Kjo u shpërfaq nëpërmes një video që është bërë nga njëra prej infermiereve. Tri nga to ranë në prangat e policisë dhe ndaj tyre gjykata ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

- Advertisement -

Ky institucion kishte marrë një licencë në shtator të vitit të kaluar e cila i është lëshuar nga Ministria e Financave, Punës e Transfereve e cila vlente deri në shtatorin e këtij viti.

Gazeta Insajderi, ka kërkuar të dijë nga ky institucion nëse ia ka vazhduar licencën “Orendas” pas shtatorit, por as ministri Hekuran Murati e as stafi i tij nuk i janë përgjigjur gazetës lidhur me këtë çështje.

Ky dikaster qeveritar që e mban përgjegjësinë për licencimin e saj, ka qenë i informuar që nga viti i kaluar përmes një denoncimi të një familjari që kishte te strehuar të afërmin aty, se kishte keqtrajtime nga ana e stafit.

- Advertisement -

Por as për këtë çështje dikasteri që drejtohet nga Murati nuk ka dhënë detaje, rrjedhimisht nuk dihet nëse është trajtuar ndonjëherë ankesa e Tumor Hasanit e dorëzuar në ministri që nga shtatori i vitit të kaluar.

Por një detaj tjetër skandaloz u zbulua rreth funksionimit të kësaj qendre.

- Advertisement -

Siç raporton Klan Kosova Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë nuk i kanë inspektuar kurrë profesionistët shëndetësorë në punojnë në këtë qendër.

“Na lejoni që të ju informojmë se qendra për përkujdesje të të moshuarve “Orenda” me seli në Pejë është e licencuar – certifikuar nga MFPT, andaj si e tillë nuk është nën kompetencat e mbikëqyrjes së MSh-së, gjegjësisht Inspektoratit Shëndetësor. Qendra për përkujdesje e të moshuarve nuk ka qenë asnjëherë e inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor pasi që nuk është nën kompetencat e MSh-së dhe ISh-së”, deklarojnë nga ky inspektorat.

Inspektorati thotë se gjatë inspektimit të rastit të mërkurën ka verifikuar se katër infermieret e përfshira në këtë incident janë të licencuara nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Ata theksojnë se ka dyshime se mund të jetë bërë shkelje e etikës profesionale nga infermieret ndaj të moshuarës M.N. dhe për këtë arsye do të trajtohet nga Komisioni Etik.

Edhe në raportin mjekësor të ekzaminimi të të moshuarës që ishte viktimë e dhunës ka rezultuar se ajo ka pasur lëndime trupore edhe më herët.

Infermierja Aurona Pelaj, Giltiana Neziri, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi janë arrestuar menjëherë pas publikimit të videos skandaloze të ushtrimit të dhunës ndaj të moshuarës. Po ashtu ajo janë suspenduar nga puna dhe oda e infermiereve ua ka hequr licencën e punës.

Ndërsa ndaj Aurona Pelajt, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi gjykata të mërkurën ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

E moshuara që përjetoi ndër ditët më të këqija të jetës së saj, është nëna e dëshmorit Taulant Nura.

Infermieret e Orendas e keqtrajtuan, e rrahën e u tallën me të. Ato nuk treguan pikë mëshire, duke harruar se kishin të bënin me një nënë. Nënë të një djali që kishte dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

Në videon e cila është bërë virale, shihet infermierja Aurona Pelaj ku për 58 sekonda e godet brutalisht 10 herë të moshuarën.

Menjëherë pas publikimit të video ajo u largua nga shtëpia “Orenda” nga vajaza e saj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit