1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Thirrje e sinqertë për kryeministrin Kurti: Albin, a ta mbajmë apo ta n’shojmë veriun e vendit!

Rekomandime

Albin, a ta mbajmë apo ta n’shojmë veriun e vendit!?

Në këtë shkrim nuk do të merrem me takimin e kryeministrit Kurti me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç në Samitin e BERZH-it në Londër, se pse ishte ulur afër dhe çfarë i ka kërkuar asaj, as me rezultatet e punës së qeverisë, për shkak se është tepër herët për të dhënë vlerësime për punën e qeverisë së re, por do të flas për disa çështje të cilat duhet të tërheqin vëmendjen kryeministrit të ri, Albin Kurti.

- Advertisement -

Pas hapave të vegjël, priten vendime të mëdha për vendin

Pajtoj me mendimin e kryeministrit Kuri, se nuk mund të arrihen rezultate brenda një dite dhe një jave, por brenda një ore dhe një dite të vetme mund të mirren vendime të rëndësishme për vendin.

Janë për t’u përshendetur nismat e mbara të kryeministrit Albin Kurti, filluar nga përgjysmimi i pagave për kabinetin qeveritar, shkarkimin e 14 konsujve të emëruar jashtëligjshëm, anulimin e disa tenderëve të dhënë po ashtu jashtëligjshëm gjatë periudhes së qeverisjes së kaluar.

- Advertisement -

Por këta hapa janë tepër të vegjël në raport me shumë çështje të hapura dhe të mbyllura nga paslufta e deri në ditët e sotme.

Në vitet e para të pas luftës, të gjitha qeveritë dhe partitë politike erdhën dhe u larguan nga pushteti pa përmbushjen e premtimit elektoral për bashkimin e Mitrovicës së ndarë me 12 Qershor 1999 nga forcat ruso-franceze të KFOR-it.

- Advertisement -

Pas 17 Shkurtit 2008, të gjitha qeveritë e Kosovës përveq zbehjes së këtij premtimi deri në anashkalim, partitë politike në pushtet erdhen me premtimin për liberalizim të vizave dhe me kauzën e Demarkacionit me Malin e Zi.

Fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel e shënon fillimin e ri të iluzioneve për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe (Zajednica) nga dy ish kryeministrat paraprak, përkatësisht ajo e nënshkruar nga Hashim Thaçi me 19 Prill 2013 dhe Isa Mustafa me 25 Gusht 2015 i kanë vënë thëmelet e autonomisë së Zajednicës serbe në veri të vendit dhe lidhjes asimetrike me komunat serbe në brendi të vendit.

Karta e Zajednicës e ka trimëruar Serbinë

Zajednica serbe me kompetenca ekzekutive në një mënyrë e legjitimon ndarjen e veriut të vendit. Me “kartën” e Zajednicës në xhep, Serbia i ka shtuar akoma më shumë apetitet grabitçare për shtrirje më të thellë në brendi të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i atyre dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga dy ish kryeministrat kosovarë, përgjatë dy viteve të fundit janë hartuar platforma gjeo-politike, plane të fshehta dhe të hapura për ndarjen përfundimtare të pjesës veriore të Kosovës.

Siq dihet, në mes të këtij plani, qeveria e kaluar me rekomandim të disa parnterëve ndërkombëtar e instaloj Taksën 100 % politike, kinse si masë masë ndëshkimore ndaj Serbisë, e cila u bë pretekst për ndërprerjen e dialogut të Brukselit.

Mirëpo, kjo ndërprerje e dialogut i ka intesifikuar akoma më tepër takimet e fshehta mes dy palëve, si dhe ka prodhuar takime tjera në nivel ndërkombëtar të liderëve serb dha atyre shqiptarë, siq ishte ai i Berlinit dhe Parisit vitin e kaluar, nga të cilat takime është avancuar ideja e shkëmbimit të territoreve, përkatësisht gllabërimi i pjesës veriore nga Serbia.

Arusha nuk trembet me shoshë

Sado që kryeministri Albin Kurti po mundohet t’i mbulojë problemet që ka para vetës me deklarata bombastike dhe reciprocitet, nuk do mund t’u ikë temave të hapura, për të cilat bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar zgjidhje të shpejtë dhe pa kushte.

Nëse Albin Kurti ka menduar mirë deklaratën bombë në takimin e Mynihut të Gjermanisë në përballje me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova”, atëherë paraprakisht “çlirimit të Serbisë nga Kosova”, Albin Kurti duhet ta çlirojë veriun e vendit nga paramilitarët serb dhe bandat kriminale, në të kundërtën sovraniteti i shtetit të Kosovës rrezikon të përfundojë shpejtë tek Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Meqë është kështu, atëherë pa humbur kohë, Albin Kurti duhet të ndërmerr veprimet e duhura për të dëshmuar lidershipin e tij, ashtu siq konsiderohet në popull, si politikan që mbanë fjalën dhe premtimet, e jo të bie në nivelin e politikanëve mashtrues.

Nuk është koha e fjalëve të medha dhe kauzave të rrejshme, por është koha e veprimeve konkrete, për arsye se është momenti më i ndjeshëm nga përfundimi i luftës, më kruciali pas 17 shkurtit 2008.

Përpara çdo fjale apo veprimi kërkohet maturi dhe pjekuri politike, pragmatizëm dhe syqeltësi para çdo situate, e mbi të gjitha kërkohet unitet i faktorit politik dhe qytetar, për shkak se çështja sovranitetit dhe territorit të vendit është e të gjitheve, pra e pozitës dhe opozitës, e të gjithë qytetarëve të vendit dhe e mërgimtarëve që jetojnë me mijëra kilometra larg atdheut.

Ashtu sikurse 21 vjet më parë që na u dasht ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për çlirim nga Serbia, edhe tani na duhet ndihma e miqve për ta përmbyllur çështjen e hapur të veriut të vendit.

Thirrje e sinqertë për kryeministrin Kurti

I nderuari kryeministër i vendit tim, Albin Kurti, kërkojë nga ju që të jeni transparent në veprime dhe i sinqertë në deklaratat politike. Nuk ka taksë dhe as reciporcitet që na e zgjidhë çështjen e veriut të vendit, sikurse që nuk ka forcë që na bashkon më shumë sesa sinqeriteti dhe transparenca e veprimeve politike.

Nëse e mendoni që e keni forcën bashkoni Mitrovicën dhe veriun në përgjithësi, mjafton një thirrje e juaja si kushtrim për të gjithë shqiptarët, në të kundërtën, bëni mirë ta thoni të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur, që të lirohemi nga stresi dhe ankthi i së ardhmës së pasigurtë në Republikën e Kosovës.

Nëse keni vizion për ta bashkuar qytetin e ndarë të Mitrovicës, atëherë para anulimit të çdo vendimi tjetër, duhet të merrni vendim për anulimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa për themelimin e Zajednicës me kompetenca ekzekutive, në të kundërtën, bëni mirë t’ua tregoni të vërtetën qytetarëve të vendit, se çka fshihet pas zgjidhjes finale me Serbinë.

Zoti kryeministër, të jeni i qartë, konkret dhe i sinqertë përpara qytetarëve të vendit, se a jemi të gatshëm ta mbajmë veriun e vendit apon ta n’shojmë në mëshirën e ndërkombëtarëve!?

Janë pak më tepër se shumë 21 vjet të humbura për Kosovën, nuk guxojmë të humbim më asnjë ditë të vetme dhe asnjë javë, për shkak se muajt dhe vitet vlejnë dekada dhe shekuj për Kosovën.

Zgjidhja e problemit të veriut të vendit dhe mbyllja e kapitullit shekulor me Serbinë, përveq zgjidhjes së shumë problemeve zinxhirore, hapë përspektivën e sigurtë të investimeve kapitale dhe determinon zhvillim të shpejtë dhe stabilitet qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

Per dallim nga marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, varianti final i marrëveshjes me Serbinë, para çdo lloj nënshkrimi duhet të kaloj në referendum popullor, e tek pastaj të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, e assesi nuk guxon të mbetet çështje inividuale e presidentit, kryeministrit apo cilit do lider shtetëror.

Janë edhe shumë tema tjera të ndjeshme për vendin, me të cilat dhe për të cilat duhet të merret kryeministri i vendit, por pa dyshim “alfa dhe omega” e të gjitha problemeve mbetet pjesa veriore e vendit, pa zgjidhjen e së cilës Kosova do të mbetet vrimë e zezë në zemër të Ballkanit, pa liberalizim të vizave dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore dhe integruese në organizatat prestigjioze ndërkombëtare (OKB, BE, INTERPOL, etj.).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e medias “Kosova ime”/kosova sot

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit