-0.1 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Tolaj s’pajtohet me ekspertin austriak: Në Kosovë ka 300 mijë të infektuar

Rekomandime

Franz Allerberger, udhëheqës i Departamentit për Mjekësi Humane brenda Agjencisë austriake për Siguri të Ushqimit, ka folur lidhur me situatën epidemiologjike në Ballkan dhe në Kosovë. Sipas tij, shifrat zyrtare për numrin e të infektuarve në vend nuk qëndrojnë. Eksperti austriak vlerëson se gjysma e Kosovës është e prekur me COVID-19. Por, me këto qëndrime nuk po pajtohet infektologu Ilir Tolaj

Ai e pranon se numri i të infektuarve në vend është i madh, por jo në shifrat që jep eksperti austriak. Sipas Tolajt, deri tash në vend janë rreth 300 mijë persona të prekur me COVID-19.

- Advertisement -

Në Kosovë ndoshta ende nuk janë infektuar gjysma e popullatës, ashtu siç ka deklaruar Z. Allerberger, por padyshim që numri i të infektuarve është i madh. Besoj se nuk po ekzagjeroj nëse them se në Kosovë mund të jenë rreth 300.000 persona që deri tash kanë rënë në kontakt me virusin SARS Cov 2”, ka thënë Tolaj.

Infektologu ka kritika edhe për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, meqenëse, siç thotë, testimet janë të mangëta, ndërsa deklarimet zyrtare për testimet dhe rezultatet pozitive janë të dyshimta.

…deri tash IKSHP nuk ishte në gjendje së paku një herë ta bëjë një kalkulim se sa është numri reprodukues (R) i rasteve me Covid-19 apo edhe një parashikim të gjendjes në Kosovë lidhur me COVID-19, meqë masat e propozuara ishin dhe janë strikte, atëherë edhe nuk është e çuditshme që opinionet e zyrtarëve të caktuar shëndetësorë perëndimor për ne janë të tilla. Institucionet shëndetësore të Kosovës nuk kanë arritur të tregohen partnerë të besueshëm në luftën kundër pandemisë”.

- Advertisement -

Ai thotë se IKSHP-ja ka dështuar plotësisht dhe se është koha e fundit që autoritetet qeveritare të ndërmarrin masa adekuate për ndërrime kadrovike në këtë institucion.

“Instituti i Shëndetit Publik (IKSHP) nuk e ka plotësuar as edhe një nga detyrat e veta në këtë pandemi. Instituti u shndërrua në zëdhënës të rasteve të infektuara, asgjë më tepër. Instituti pengoi testimin në masë të popullatës. Instituti propozoi masa kundërthënëse për qejfet e individëve, e jo për ta kontrolluar situatën.

- Advertisement -

Instituti mbolli shpresa të rreme te popullata se epidemia/pandemia do të përfundojnë për disa javë; ishte e kuptueshme që pas hapjes njerëzit do të mendonin se e pat kjo sëmundje. Instituti nuk ndërmori asgjë për edukimin e popullatës së gjerë lidhur me pandeminë. Ndërsa politika, fatkeqësisht e ndoqi dhe po e ndjek e verbër”, ka deklaruar Tolaj për Express.

Ai ka folur edhe për krijimin e Bordit Këshillëdhënës nga ministri Armend Zemaj.

Ai thotë se këto borde nuk kryejnë punë, sidomos kur pjesë e këtyre bordeve janë njerëz që, sipas tij, nuk janë në gjendje të ballafaqohen me situatën as fizikisht e as profesionalisht.

Qeveria ka hequr dorë nga izolimi 7-ditësh i qytetarëve të Kosovës pasi ka pasur mospajtime tek partitë e koalicionit. Një masë e tillë po të miratohej sipas Tolajt do të ishte anakronike.

Masat janë konfuze dhe kundërthënëse. Janë shenjë e veprimit në panik. Ajo që edhe na ka sjellë deri në këtë gjendje. Izolimi i caktuar të të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria në Kosovë, po më duket anakronike. Është Kosova ajo që ka më së shumti raste për kokë banori në rajon, e jo e kundërta. Prandaj masën e tillë do të duhej ta aplikonte Shqipëria për kosovarët e jo e kundërta”, thotë Tolaj.

Ndërkohë, vendimin për lejimin e hyrjes në vend pa testin PCR për transportuesit profesionalë e quan diskriminues.

Sipas tij, Qeveria duhet t’ua mundësojë qytetarëve testimin për hyrje e dalje nga vendi në vendkalim kufitar.

Kur merr këso masash restriktive, atëherë duhesh t’u bësh zgjidhje qytetarëve, e jo t’i lësh të burgosur. Duhesh t’ua mundësosh testimin për hyrje e dalje nga vendi, në vendkalim kufitar. Jeta nuk mund të ndalet. Nuk është ndalur as në luftë, e as në pandemitë tjera, asnjëherë gjatë historisë së njerëzimit”, deklaron Tolaj.

E ndalimin e festimit të martesave, ai e quan goditje në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ndalimi i festimit të martesave, me numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe me respektim të masave themelore antiCovid, në njërën anë dhe lejimi i punës së restoranteve e kafeneve, të cilat edhe ashtu vështirë se kontrollohen, është goditje në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, goditje në bërthamën e shoqërisë së një vendi – familjen. Dhe kjo nuk arsyetohet me asgjë”, thotë infektologu.

Sipas tij, e vetmja masë e bazuar në të dhënat shkencore është ajo për lejimin e punës së çerdheve të fëmijëve.

Tolaj thotë se duhet lejuar sa më shpejt importi i testeve të shpejta antigjenike dhe shpërndarja e tyre në vend. Ndonëse nuk janë aq të sakta sa RT-PCT, thotë se janë të shpejta dhe të lira dhe do t’ju ndihmojë njerëzve që të testohen edhe në shtëpi.

Në këtë mënyrë, rastet e infektuara do të ishin në dijeni se janë të infektuar dhe do të kujdeseshin për familjet e tyre dhe rrethin e tyre të shoqërisë. Edukimi i popullatës për masat antikovid duhet të bëhet në masë të gjerë, kudo, në vende të punës, në rrugë, në kafene në fshat e në qytet”, thotë Tolaj.

Ai pret rritje të numrit të rasteve me COVID-19 gjatë javëve të ardhshme, derisa thotë se popullata duhet të jetë e përgatitur për pasojat e kësaj gjendjeje.

Në rrethanat ekzistuese, pres që numri i rasteve me Covid-19 do të jetë i ngjashëm ose madje i rritur edhe më tej në javët e ardhme në Kosovë. Popullatat e Kosovës duhet të jetë e përgatitur për këtë dhe për pasojat e kësaj gjendje; edhe më shumë të hospitalizuar dhe raste të reja të vdekjeve. Edhe për faktin se Kosova nuk ka mjek të specializuar për tu ballafaquar me rastet ekstreme te Covid 19”, thuhet në përgjigjet e Tolajt.

Pas një kohe, ai thotë se rastet e reja, hospitalizimet dhe vdekjet do të pakësohen. Ai ka bërë thirrje që deri në zbulimin e vaksinës, të përdoren maskat, të mbahet higjiena e duarve dhe distancimi social.

Pas një kohe të një sfide serioze, më në fund do ta arrijë një nivel të mjaftueshëm të imunitetit kolektiv, rastet do të fillojnë të pakësohen, hospitalizimet dhe vdekjet gjithashtu. Diku gjatë vitit tjetër edhe në Kosovë mund të jetë vaksina anticovid në disponim të gjerë. Deri në atë kohë t’i shfrytëzojmë masat e vetme që janë treguar që nga fillimi të efektshme në parandalimin e sëmundjes; maskat, higjiena e duarve dhe distancimi social. E jo filozofitë e IKSHP-së të shtypura në mbi 130 faqe në “manualin” e tyre”, ka deklaruar Tolaj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit