7.2 C
Pristina
Wednesday, March 27, 2024

Ushtria gjermane tregon dhëmbët, a po bëhet Gjermania polici i ri i botës

Rekomandime

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer do që ta kthejë ushtrinë gjermane, Bundeswehr, në ushtri për intervenime globale dhe të përmirësojë imazhin e ushtrisë brenda vendit. Jo të gjithëve u pëlqen ky plan.

- Advertisement -

“Unë zotohem t’i shërbej me besnikëri Republikës Federale Gjermane dhe të mbroj me trimëri të drejtën dhe lirinë e popullit gjerman”.

Këtë premtim do e japin ditën e martë qindra rekrutë të rinj gjatë një ceremonie publike betimi para ndërtesës së parlamentit gjerman, Rajhstag, në Berlin dhe në disa qytete të tjera gjermane.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU, kristiandemokate) gjeti mbështetje politike për idenë e saj që të zhvillohet ceremoni e madhe publike e dhënies së betimit nga ushtarët e rinj.

- Advertisement -

Kristiandemokratët janë dakord, partnerët e koalicionit, socialdemokratët po ashtu, madje Winfried Kretschmann, kryeministri i landit Baden Vyrtemberg që vjen nga partia e Të gjelbërve nuk është parimisht kundër, megjithëse Të gjelbërit e kanë pasur ushtrinë si gogol.

Edhe ipeshkvi ushtarak protestant, Sigurd Rink, e mbështeti propozimin duke e quajtur atë kontribut për “çtabuizimin e ushtrisë gjermane, Bundeswehr”.

- Advertisement -

Nga gjithë partitë e përfaqësuara në parlament, vetëm Partia e Majtë doli hapur kundër.

Bundeswehr duhet të bëhet i dukshëm

Ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer, shkurt AKK, synon me propozimin e saj që ta bëj trupën më prezente dhe më të pranueshme.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, duhet të bëhet “e dukshme dhe e dallueshme në mes të shoqërisë sonë, në mes të qyteteve dhe komunave tona”.

Ceremonitë publike të dhënies së betimit nga ushtarët e rinj, nuk janë të vetëkuptueshme për një vend ushtria e të cilit shkaktoi 80 vjet më parë Luftën e Dytë Botërore.

Protesta të mëdha të dhunshme me qindra të plagosur pati në vitin 1980, kur ministri i Mbrojtjes, Hans Apel, nga partia Socialdemokrate mbajti një ceremoni festive të dhënies së betimit në stadiumin Weser të Bremenit, duke mos u fshehur pas mureve të kazermave.

Sot, nuk vihen në diskutim jo vetëm ceremonitë e dhënies së betimeve dhe apelet, por as misionet e ushtrisë gjermane jashtë vendit.

Por ministrja gjermane e Mbrojtjes AKK, shkon një hap më tej. Ajo e shikon Gjermaninë në të ardhmen si “fuqi organizimi” ushtarak, siç ka thënë në disa fjalime të mbajtura javët e kaluara.

Kështu për shembull ajo kërkon të ngrejë një Këshill të Sigurisë Kombëtare, i cili duhet të koordinojë diplomacinë, ushtrinë, ekonomike, tregtinë, sigurinë e brendshme dhe bashkëpunimin për zhvillim.

Përveç kësaj, ajo kërkon vendime më të shpejta parlamentare për misionet dhe kërkon, që në rast nevoje së bashku me aleatët të shfrytëzohet deri në fund “spektri i mjeteve ushtarake”.

Nga ana e politikës ushtarake dhe të sigurisë vjen miratim i gjerë.

Harald Kujat, ish kryetar i Komisionit ushtarak të NATO-s i quajti idetë e AKK-së si hapat e parë të duhur.

Krijimin e një Këshilli të Sigurisë Kombëtare e mbështet veçanërisht edhe Wolfgang Ischinger, shef i Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Shumë misione?

Por ka edhe që kundërshtojnë.

Hans-Peter Bartels, i ngarkuari i parlamentit gjerman me mbrojtjen, vlerëson se për momentin ushtria gjermane është e mbingarkuar.

Aktualisht 3 mijë ushtarë ndodhen në misione jashtë vendit, mes tyre në Afganistan, Mali dhe Nigeri, në Ballkan, Mesdhe, në Oqeanin Indian, në Jordani dhe në Irak.

Këtyre u shtohen detyrimet e mëdha në Europë, në kuadër të NATO-s.

“Trupat ankohet për krijimin e vështirësive”, thotë Bartels.

Edhe nga politika e jashtme, ministres i vjen erë nga drejtimi i kundërt.

Ministrja është kundër veprimtarive të Gjermanisë, pa përfshirë edhe aleatët. Ajo do që në kuadër të misioneve ushtarake të veprohet bashkë me aleatët. Por cilët janë aleatët e mundshëm? Zgjedhja e parë për Gjermaninë do të ishte normalisht NATO.

Por, për shkak të qëndrimit të pasigurt të SHBA-së, presidenti francez Emmanuel Macron e quajti Aleancën “në vdekje klinike”, dhe kërkoi forcimin e bashkëpunimit europian në fushën e sigurisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, i quajti me të drejtë aleatët gjoja më të ngushtë politikë si shumë të ashpër dhe deklaroi se: “NATO është shtylla kryesore e mbrojtjes sonë”.

Dorëheqja e një presidenti

Në politikën e brendshme gjermane roli dhe detyrat e ushtrisë kanë ndryshuar shumë dhjetë vitet e fundit. Shembull për këtë është dorëheqja e ish-presidentit të atëhershëm gjerman, Horst Köhler. Mbas një interviste të dhënë për rolin e ushtrisë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen.

Köhler, pati deklaruar se “një vend që ka përmasat sa vendi ynë, me këtë orientim në tregtinë e jashtme… duhet ta dijë… se në rast nevoje është e nevojshme edhe ndërhyrja ushtarake, për të mbrojtur interesat tona, si për shembull për të mbajtur të hapura rrugët tregtare”.

Në kritikën e madhe që iu bë fjalimit të tij, u fol për “politikën e luftanijeve”, dhe se kushtetuta gjermane nuk lejon luftë për interesa ekonomike.

Ministrja e sotme e Mbrojtjes, nuk argumenton shumë ndryshe nga Köhler në atë kohë. Por sot, kurrkush nuk kërkon dorëheqjen e ministres. Kritika drejtohet kryesisht kundër mbingarkimit të ushtrisë dhe pak kundër parimit për një rol të ri më të madh të ushtrisë gjermane.

Duket se me përjashtim të disa zërave të vetëm, në përgjithësi të gjithë janë dakord, që Gjermania të angazhohet më shumë ushtarakisht. /Deutsche Welle/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit