5.1 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Varianti Delta i pranishëm në Kosovë nga maji- A ka vend për shqetësim

Rekomandime

Që nga muaji maj në Kosovë ka qenë i pranishëm varianti Delta i COVID-19, i cili vlerësohet të jetë më i rrezikshëm se variantet tjera të cilat janë të pranishme në vend. Pacientja e infektuar me këtë variant thuhet ta ketë marrë atë gjatë udhëtimeve në shtetet tjera, derisa ka qenë e shtrirë në Klinikën Infektive që nga data 28 maj.

Infektologë në vend thonë se ky variant mund të bëhet dominues, por që nuk mund ta rëndojë gjendjen siç ka bërë në Indi.

- Advertisement -

Për shkak të problemeve shëndetësore që i ka shkaktuar COVID-19, nga 28 maji deri më 19 qershor, një paciente ka qëndruar e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por tek pas një muaji, më 29 qershor është kuptuar se ajo ka qenë e infektuar me variantin Delta të COVID-19.

Ndërsa, me këtë variant ka rezultuar pozitiv edhe një familjar i saj.

- Advertisement -

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

Ai ka thënë për Express se pacientja e shtrirë në këtë klinikë ka udhëtuar në vende të ndryshme para se të kthehej në Kosovë, andaj edhe është infektuar me këtë variant.

- Advertisement -

Vishaj ka treguar se pacientja ka manifestuar formë mesatare klinike për shkak të infektimit me virus.

“Njëri nga pacientët ka qenë i shtrirë në Klinikën Infektive prej datës 28 maj deri më 19 qershor dhe ka manifestuar formë mesatare klinike. Ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim më specifik. Tjetri pacientë është i afërt i pacientes. Pacientja ka udhëtuar në vende të ndryshme, ka kaluar në shumë aeroporte të mëdha ndërkombëtare”, ka treguar ai.

Ndërsa, për shkak se ky variant nuk ia ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore, pacienti tjetër nuk është hospitalizuar në asnjë nga institucionet shëndetësore.

Identifikimi i prezencës së këtij varianti në Kosovës, është bërë vetëm pas dërgimit të 22 mostrave pozitive në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin.

Shefi i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, Xhevat Jakupi ka treguar se mostrat pozitive janë dërguar në Berlin që më shumë se dy javë.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë më 29 qershor se të dy rastet e infektuara kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi.

Sipas MSH’së, ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express se të gjithë ata që kanë pasur kontakte me personat e infektuar me variantin Delta duhet të izolohen për 14 ditë, në mënyrë që të zvogëlohet numri i infektimeve në vend.

Ai ka thënë se varianti indian i COVID-19 mund të jetë dominues në vend, ashtu siç po dominon edhe në shtetet tjera.

“Mund të jetë një fillim ndoshta i një lloj dominimi i kësaj forme variative pasi që edhe në shumë shtete po tregohet se ky variant po ka një dominim në përhapjen e infeksionit. Ajo që është e rëndësishme është se deri më sot janë vetëm dy mostra të infektuara dhe të besojmë që rastet e kontaktit të jenë në mbikëqyrje dhe të izoluar 12 ose 14 ditë dhe në këtë drejtim do të zvogëlohen infektimet në vendin tonë”, ka thënë ai.

Ramadani është shprehur se ky variant nuk do të mund ta rëndojë gjendjen në Kosovë ashtu siç e ka rënduar në Indi.

Ndërsa, ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vaksinimin e një numri më të madh të qytetarëve për ta zvogëluar numrin e infektimeve.

“Vdekshmëria nga ky variant nuk besoj se do të jetë si në Indi, nuk do të ndodh ajo që ka ndodhur në Indi. Shpresojmë që ky variant të mos përhapet më shumë. Ndërsa, mund të paraqiten edhe lloje tjera të koronavirusi pasi ky virus bënë ndryshime antigjenike. E rëndësishme është që të fillojë vaksinimi i popullsisë më në masë”, ka shtuar ai.

Varianti Delta i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në Indi, SHBA, Britani, e shumë shtete tjera.

Lehtësimi i masave mbrojtëse në këtë kohë është vlerësuar si rrezik për Evropën.

Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të rgjithë Evropën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.

Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha.

Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit