12.9 C
Pristina
Saturday, April 13, 2024

Vazhdim i dialogut apo takim për të caktuar formatin, BE sqaron takimin Kurti-Vuçiq

Rekomandime

Bashkimi Evropian thotë se takimi i nivelit të lartë që pritet të mbahet pas pak ditësh mes Kurtit dhe Vuçiqit është vazhdim i dialogut dhe jo takim për format të ri të negociatave. Kështu i ka thënë Gazetës Express zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, pasi është pyetur rreth deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se takimi me Vuçiqin nuk do të jetë takim për dialogun por për të diskutuar rreth formatit të ri tij.

Takimin me presidentin Vuçiq në Bruksel, kryeministri Kurti nuk e ka cilësuar si takim që e vazhdon dialogun, por vetëm si takim ku do të diskutohet formati i një dialogu të ri.

- Advertisement -

“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar sërish nuk është paraparë të vazhdojë dialogun e moçëm apo me të moçmen por është diskutim mbi formatin dhe ecurinë e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm për takim për dialogun e ardhshëm. Për këtë format ne duhet të jemi të përgatitur si me platformë ashtu edhe me strategji por nuk jemi në atë fazë. Tash pa u ulur ende në takim për dialog me nxjerr platformë e strategji është gabim në hapa, prandaj nuk bën që para takimit për dialog të nxjerrim platformë e strategji”, ka thënë Kurti.

Megjithatë nikoqiri i këtij procesi thotë se bëhet fjalë për një proces të vazhdueshëm të kornizuar ku çështjet që pritet të diskutohen janë kyçe për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog filloi më 2011 dhe vazhdon me një takim të ri të nivel të lartë, i cili do të ndodhë së shpejti. Në rrjedhën e këtij procesi të vazhdueshëm, qeveritë në të dyja palët kanë ndryshuar, por zotimet mbeten. Të gjitha çështjet e diskutuara deri më tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen brenda kornizës së këtij dialogu të vazhduar janë kyçe për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës e Serbisë”, i tha Gazetës Express zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

- Advertisement -

Ajo çfarë pritet t’i “përplas” Kurtin dhe Vuçiqin është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e cila është nënshkruar në vitin 2013, për të cilën kryeministri Kurti dha sinjale të qarta se nuk do të mund të themelohet.

“Nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë dhe se është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik”, ka thënë ai para pak ditësh.

- Advertisement -

Por, BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat është arritur pajtim.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, tha zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

E para takimit, Vuçiq ka deklaruar se Kurti nuk ka se për çfarë të shkojë në Bruksel nëse nuk diskutohet Asociacioni.

“Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë”, ka deklaruar Vuçiq.

“Takimi i elefantëve” në kryeqytetin evropian pritet të përcaktojë nëse negociatat një dekadëshe mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë ose do të ngecin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit