Vdesin dy pacientë me coronavirus në spitalin e Ferizajt

0
76

Kanë vdekur dy pacientë me coronavirus në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Drejtori i Spitalit rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri.

Gjatë 24 orëve të fundit 4 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë sot në një konferencë për media kanë publikuar rastet e reja me koronavirus në Kosovë.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, bëri të ditura shifrat e fundit me koronavirus në vend.

Ai tregoi numrin e rasteve të reja, numrin e personave të shëruar, si dhe numrin total të vdekjeve.

Ramadani tha se janë 119 raste të reja, 92 persona të shëruar dhe gjithsej 112 persona të vdekur nga coronavirusi deri më tani.

Kjo lë të kuptohet se katër persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit, pasi deri në mbrëmjen e së martës, numri total i të vdekurve nga COVID-19 ka qenë 108.

“Më datë 14 korrik në Laboratorin e Mikrobiologjisë janë testuar 420 mostra, 119 kanë rezultuar pozitive, numri total i rasteve pozitive është 5237. Kemi 112 raste të vdekjes. Në këtë 24 orësh janë shëruar 92 pacientë, numri i të shëruarve ka shkuar në 2462, ndërkaq raste aktive janë 2663”, ka thënë Ramadani.

IKSHPK-ja ka ndryshuar orarin e raportimeve. Tani njoftimet për rastet e infektimeve, të shëruarve dhe të vdekurve do të bëhen në orën 15:00 e jo si deri më tani rreth mesnatës. Si pasojë e ndryshmit të orarit, mbrëmë s’ka pasur raportime.