-2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vëllai i Shukri dhe Ramë Bujës: As me polici e tenka s’keni me mujt me më pru në gjykatë

Rekomandime

Me tensione ndërmjet gjykatëses Nushe Kuka Mekaj dhe vëllait të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Abdyl Buja, është përcjellë gjykimi ku ky i fundit, së bashku me tre të persona tjerë, Mentor Ismajli, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, po akuzohen se kanë bërë keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Reagimi i të akuzuarit Buja, ka ardhur pas vendimit të gjykatëses Kuka Mekaj, për shtyrjen e kësaj seance, raporton “Betimi për Drejtësi”.

- Advertisement -

I akuzuari Buja, tha se për seancën e radhës ai nuk do të merr pjesë, edhe sikur gjykata të dërgonte tanke dhe policinë për ta sjellë atë.

“Nëse sot më hiqen 25 euro nga drejtori, dhe unë varem nga 450 euro. Unë, seancën tjetër as me polici s’keni me mujt me m’pru, as me tenka të këtij shteti. Kështu origjinal po ta them”, tha i akuzuari Buja.

E menjëhershme, ka qenë përgjigja e gjykatëses Kuka Mekaj, e cila e ka njoftuar Bujën se ai ka cilësinë e të akuzuarit në këtë proces gjyqësor dhe është i obliguar t’u përgjigjet thirrjeve të gjykatës.

- Advertisement -

“Je i akuzuar dhe e ke obligim me ardh”, tha gjykatësja Kuka Mekaj.

Mirëpo, i akuzuari Buja ka vazhduar të flasë, duke shtuar se kjo ishte e 11 seancë që ai humbiste mëditjen, duke iu drejtuar gjykatëses, se ajo po i caktonte seancat sipas dëshirës së saj.

- Advertisement -

“Është e 11 seancë që unë e hupi mëditjen, i provojmë pastaj forcat. Po i caktoni sipas dëshirës tuaj, e jo sipas dëshirës tonë”, shtoi i akuzuari Buja.

Pas këtyre deklarimeve të bëra nga i akuzuari Buja, gjykatësja Kuka Mekaj ia ka tërhequr vërejtjen atij që të përmbahej nga veprime të tilla dhe të qëndronte në sallë për ta nënshkruar procesverbalin pas përfundimit të kësaj seance.

Duke mos respektuar kërkesën e gjykatëses, i akuzuarit Buja, është larguar nga salla, duke refuzuar që ta nënshkruajë procesverbalin e kësaj seance.

“S’ta nënshkruaj, s’ta nënshkruaj se sipas dëshirës tënde po cakton termine”, ka thënë i akuzuari Buja.

Për këto veprime të të akuzuarit Buja, gjykatësja Kuka Mekaj sërish ia ka tërhequr vërejtjen atij, duke njoftuar se prezenca e tij për seancat e radhës do të sigurohet sipas ligjit.

Po ashtu, gjykatësja Kuka Mekaj ka kërkuar nga prokurori Shkelzen Ibrahimi që të ndërmerren veprime ligjore ndaj të akuzuarit Buja, sa i përket deklarimeve të bëra nga ai në këtë seancë, kur i ishte drejtuar me fjalët “i provojmë forcat”.

Paraprakisht, deri tek shtyrja e kësaj seance erdhi sipas kërkesës së parashtruar në këtë seancë nga i akuzuari Mentor Ismajli.

I akuzuari Ismajli, kërkesën për shtyrjen e këtij gjykimi e ka arsyetuar me faktin se mbrojtësit të tij, avokatit Besart Kadriu nuk i ishte dërguar ftesa për këtë seancë, andaj ai nuk ishte në gjendje që të vazhdonte procedurën pa mbrojtës.

“Unë kam angazhuar për avokat, Besart Kadriun, dhe i njëjti më ka thënë se nuk është i njoftuar për seancën e sotme. Po ashtu, më ka sugjeruar edhe mua që mos të marr pjesë në këtë gjykim, por unë kam ardh dhe sot nuk jam i gatshëm që seancën ta vazhdoj pa avokat mbrojtës”, ka thënë i akuzuari Ismajli.

Lidhur me këtë, gjykatësja Kuka Mekaj ka deklaruar se të akuzuarit nuk i mohohet e drejta që të angazhojë mbrojtës, por se në shkresat e lëndës ajo nuk disponon autorizim me shkrim, i cili do të vërtetonte se avokati Besart Kadriu ishte angazhuar si mbrojtës nga i akuzuari Ismajli.

Po ashtu, gjykatësja tha se as në procesverbalin e shqyrtimit fillestar nuk figuronte se avokati Kadriu kishte qenë mbrojtës i të akuzuarit Ismajli, e as nga kërkesa për hedhje të aktakuzës, e cila sipas gjykatëses ishte paraqitur personalisht nga i akuzuari.

Ndërsa, i akuzuari Ismajli ka njoftuar se në njërën nga seancat ai kishte dorëzuar autorizimin për angazhimin e avokatit Kadriu si mbrojtës të tij dhe se për këtë do t’ia dorëzonte gjykatës edhe protokollin që dëshmonte këtë.

“Na jemi të pjekun këtu dhe një pjesë jemi intelektual dhe unë. Këtu e kemi paraqit së bashku me Besartin autorizimin, e kemi protokollin dhe e dorëzojmë edhe një herë nëse është nevoja. Në këtë rast nuk jam i gatshëm të vazhdoj seancën pa mbrojtës” ka thënë i akuzuari Ismajli.

Duke vepruar sipas kërkesës së të akuzuarit Ismajli, gjykatësja Kuka Mekaj mori vendim që kjo seancë të shtyhet për 27 dhe 28 janar, nga ora 09:30.

Po ashtu, gjykatësja Kuka Mekaj ka njoftuar se seanca e paraparë të mbahej më 13 dhjetor anulohet për shkak se ajo kishte të caktuar një termin mjekësor.

Sipas aktit akuzues të ngritur më 31 maj 2018, Abdyl Buja me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t’i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas aktakuzës, ai duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin, në kafenenë “Rozafa” në Lipjan me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliu për ta kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në UP në Prishtinë, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë.

Këtë thuhet se ka arritur ta bëj duke ia lëshuar vërtetimin nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin 2011/12, e më pas thuhet se është formuar dosja me 001469/1 dhe indexi me numrin e njëjtë, për çka i pandehuri ka marr shumën prej 3000 euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli.

Këto para thuhet se i ka marr për t’ia dërguar të pandehurit Muhib Fazliu, kinse për t’ia dorëzuar zyrtarit të Fakultetit të Mjekësisë, e pastaj e ka këshilluar të pandehurin Albisjan Fazliu që ta plotësojë formularin për të hyrë në provimin Fizikë Mjekësore me Biofizikë të profesori Ymer Halimi duke e dorëzuar personalisht formularin të zyrtari i autorizuar me dëshirë për t’i marr 700 euro.

Mirëpo, thuhet se Albisjan Fazliu ia kishte dhënë 300 euro në shtëpinë e vet kinse se ia kishte kërkuar ky profesor, ndërsa 400 tjera janë pajtuar të dorëzohen pasi ato të sigurohen, por provimin nuk e kaluar.

Sipas aktakuzës, më pas ka filluar t’i ndjek ligjëratat dhe ushtrimet, e pastaj ka plotësuar 11 rubrika destinuar për shënimet e provimeve në index, ku janë kërkuar të dhënat përkitazi më lëndën e provimit, notën e vlerësuar, datën e provimit dhe nënshkrimin e profesorit.

Sipas akuzës, i akuzuari Buja në vazhdim ka kryer veprën penale marrje ryshfetit në ndihmë.

Sipas akuzës, ai me dashje ka kërkuar përfitim nga Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur ta kryej. Ai thuhet se ka kërkuar 12 mijë euro nga Fazliu me dëshirë që të përfitoj materialisht duke e këshilluar se do t’ia lëshoj diplomën e kryerjes së fakultetit.

Tutje, thuhet se në nëntor të vitit 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë kërkuar dhe marr nga e pandehura Rajomnda Borovci shumën prej 5.000 euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012/2013, duke i premtuar se përmes autoritetit të ish-Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do t’i nxitin personat zyrtar të këtij fakultetit të paidentifikuar që e njëjta të regjistrohet në fakultet.

Gjithashtu, thuhet se në shkurt të vitit 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku me dashje, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që tua jap shumën prej 2.000.00 euro. Këtë thuhet se e kanë bërë duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale, nga kontrata si asistente e angazhuar e kimisë analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale shtytje për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi, thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit të falsifikuar.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Abdyl Buja dhe Rizah Azemi me vetëdije e kanë dërguar indexin e të pandehurit Alban Azemi te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, Luljeta Begolli kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja.

Këtë thuhet se e kanë bërë me dëshirë që pas disa vitesh dështimi, Alban Azemi ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që Azemi nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014. Pastaj, thuhet Rizah e Alban Azemi kanë shkuar të Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, Syzana Zejnullahu dhe kanë kërkuar prej saj index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të pandehurit Alban Azemi është iniciuar procedura disiplinore.

Për këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.

Gjithmonë, sipas aktakuzës, Alban dhe Muhib Fazliu, në tetor 2011, sipas marrëveshjes paraprake, Muhib Fazliu i ka dhënë 3000 euro të pandehurit Aldyl Buja si ndëmjetësues kinse për t’ia dhënë personave të caktuar zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë. Për rrjedhojë, thuhet se i pandehuri Albisjan Fazliu më 5 tetor 2011 është regjistruar në vitin akademik 2011/12 duke fituar statusin e studentit të rregullt në këtë fakultet në Degën e Stomatologjisë, për çka i është lëshuar indexi dhe është formuar dosja e tij. Më 30 nëntor 2012, i nëjti ka arritur ta regjistrojë semestrin dhe ndonëse emri i të njëjtit nuk ka figuruar fare në evidencat e profesorëve të lëndëve përkatëse dhe rrjedhimisht nuk i ka dhënë 7 provime.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfetit”.

Albisjan Fazliu, akuzohet se në janar të vitit 2012, një lokal në aftësi të rrethit kryesor të Spitalit në Prishtinë, prej 700 euro të kërkuar nga i pandehuri Adbyl Buja për të ndërmjetësuar te profesor Ymer Halimi që ta kaloj provimin nga lënda Fizikë mjekësore dhe Biofizikë ia ka dhënë 300 euro. Kurse, 400 euro thuhet se i ka mbetur borxh. Këtë provim, thuhet se sipas konfirmit të doktor Ymer Halimit, i njëjti nuk e ka dhënë.

Ai akuzohet se ka ndryshuar dokumentin publik origjinal dhe të falsifikuar e ka përdorur me vetëdije nga data 5 tetor 2011 kur është regjistruar në fakultet. Në aktin akuzues thuhet se me indexin nga pika I e dispozitivit i ka regjistruar dhe vërtetuar semestrat me radhë deri në semestrin e III të këtij viti akademik 2012/13 të cilin e kishte regjistruar më 30 nëntor 2012. Ndërsa, thuhet se më 23 tetor 2012, kishte shkuar te zyrtarja Syzana Zejnullahu duke shprehur që indexi i tij të shpallet duplikant me arsyetimin se ishte dëmtuar përmes plotësimit të shënimeve të rrejshme të provimeve.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas aktakuzës, Feti Ismajli akuzohet se i ka mundësuar regjistrimin në vitin e parë të studimeve, të pandehurit Albisjan Fazliu në vitin akademik 2011/12, në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji në Prishtinë. Një gjë të tillë sipas prokurorisë, e kishte bërë pasi që fillimisht kishte vënë në kontakt me Albisjanin dhe babin e tij, Muhib Fazliu, duke i ndihmuar Abdyl Bujës përfitim material, i cili i kishte marrë tre mijë euro nga Muhib Fazliu dhe ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të këtij Fakulteti.

Më çka, sipas aktakuzës kishte kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Rajmonda Borovci, akuzohet se i ka premtuar tërthorazi të pandehurit Abdyl Buja, për t’ia dhënë 5000 euro që të ndërmjetësoj te zyrtarët e caktuar të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, me qëllim të transferimit të saj prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, i cili transfer kishte dështuar meqë ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore.

Shuma prej 5000 euro, sipas aktakuzës i është dorëzuar nga i pandehuri Granit Ismajli te i pandehuri Abdyl Buja.

Me çka, sipas prokurorisë, e akuzuara Borovci ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Granit Ismajli akuzohet nga prokuroria se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë ryshfet personit të caktuar ashtu që gjatë nëntorit 2013, kur i pandehuri Abdyl Buja, përmes telefonit i ka kërkuar 5000 euro duke i premtuar që të kryej transferimin e Rajmondës prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, përmes zyrtarëve të caktuar të këtij fakultetit, 5000 euro ia ka dorëzuar Granit Ismajli, babai i Rajmondës, Kamer Borovci.

Në të njëjtën ditë, i Ismajli në restorantin Pauna në Lipjan, ia ka dorëzuar 5000 euro të pandehurit Abdyl Buja për realizmin e premtimit të dhënë, mirëpo pasi ky ka dështuar së realizuari premtimin kurse paratë nuk ia ka kthyer, Ismajli është detyruar që të huazojë 5000 euro të cilat pastaj ia ka kthyer Kamer Borovcit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, Ismajli ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Për dhënie ryshfeti po akuzohet nga prokuroria edhe Hyrije Koraqi.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Koraqi e kishte bërë pas largimit nga puna si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu që, në shkurt të vitit 2012, në lokalin “Rangonë” në Prishtinë, ia ka dhënë tërthorazi Abdyl Bujës përmes Mentor Ismajlit 1000 euro, për ish-rektorin e UP-së, Mujë Rugova, dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi dhe profesor Naser Mrasorin.

Pas kësaj, sipas prokurorisë, Koraqi kishte filluar punën sipas kontratës për semestrin 1 prej 1 tetorit 2011 deri më 15 shkurt 2012 e pas kërkesave të vazhdueshme për t’ju dhënë prej 4000 deri më 20.000 euro, Koraqi sipas aktakuzës, ua kishte dhënë 1000 euro të pandehurve Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në picerisë “Extreme”, në Prishtinë.

Pasi që ishin larguar nga piceria, në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, Koraqi ia kishte dhënë të pandehurit Ismajli edhe 1000 euro.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 mars 2012, i pandehuri Ismajli i kishte thënë Koraqit se nuk është bërë kontrata sepse nuk ka kryer pagesën për lidhjen e kontratës dhe për pasojë Koraqi nuk ka punuar deri në shtator 2012 kur është ri pranuar për asistente e angazhuar por jo e rregullt. Në shtator 2013, i pandehuri Buja ia kishte kthyer 2000 euro Koraqit, por të cilat ia kishte marr nga dora i pandehuri Ismajli kinse për të verifikuar origjinalitetin, e pastaj ia ka kthyer 1500 euro Koraqit, ndërsa 300 i ka ndal për veti e 200 i ka ndarë për Bujën.

Me çka, sipas aktakuzës, Koraqi ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit