Kritikat e ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Nataliya Apostolova, në lidhje me mopolozimin e tregut të homologimit të veturave nga familja Devolli, si duket nuk po i bëjnë aspak përshtypje ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.
Portali “Front Online” ka siguruar dokumente ekskluzive, të cilat dëshmojnë se ministri Pal Lekaj, e ka nënshkruar një vendim të ri që i siguron Qendrës së Automjeteve të Kosovës(QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit, një monopol të ri që besohet se “peshon” miliona euro.
Sipas këtij vendimi të nënshkruar nga ministri Pal Lekaj më 17 janar 2019, të cilin vendim e posedon “Front Online”, Qendra e Automjeteve të Kosovës (QAK) ngarkohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit që ta parandaloj rikthimin në qarkullim rrugor të mjeteve të ri-aftësuara (riparuara) pa u inspektuar, siç thuhet sipas praktikave evropiane përkitazi me nenin 27 të Ligjit 05/L-132 dhe nenit 16 të Udhëzimit Administrativ nr. 02/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore.
Kjo nënkupton se asnjë automjet i përfshirë në aksident trafiku nuk mund të kthehet në komunikacion pa e marrë “vizën” e QAK-ut të Devollëve dhe pa e paguar tarifën e caktuar financiare te këta të fundit.
Vendimi i Pal Lekajt që e favorizon QAK-un
Në vendimin e ministrit Pal Lekaj, kopjen e së cilit e posedon portali “Front Online”, obligohet që të evidentohen në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës të gjitha mjetet rrugore rrugore të përfshira në aksidente trafiku, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit obligohet ta bëj realizimin e raportimit online të mjeteve të aksidentuara përmes Qendrës së Automjeteve të Kosovës (QAK).
Ndërsa në pikën 3 të këtij vendimi thuhet se Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të lidhin marrëveshje për ndërlidhjen sistemore (online) të mjeteve të përfshira në aksidente sipas pikës 1 dhe 2 të këtij vendimi.
Sipas këtij dokumenti të nnëshkruar nga Pal Lekaj, vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.
Lekaj para dy muajve nënshkroi Memorandum edhe me drejtorin e Policisë së Kosovës
Disa muaj pas këtij vendimi, përkatësisht më 21 qershor 2019, ministri Pal Lekaj, për këtë çështje ka nënshkruar edhe Memorandum Bashkëpunimi me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn, kopjen e së cilit poashtu e posedon portal “Front Online”.
Në dokumentin e nënshkruar mes Lekajt dhe Qalajt thuhet se ky Memorandum Bashkëpunimi mbështetet në nevojën, arsyeshmërinë dhe fushëveprimin që kanë dy institucionet, duke marrë parasysh faktin se Policia e Kosovës është autoritet i pashmangshëm në rastet pas ndodhjes së aksidenteve rrugore, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit sipas fushëveprimtarisë së saj krijon politika që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, respektivisht fushën e automjeteve si çdo herë me qëllim të avancimit të saj përkitazi me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në nenin 4.2 precizohen edhe përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës me këtë Memorandum, ku thuhet se ky dikaster qeveritar përmes institucioneve të saj në varësi do të realizoj një platform “UEB Servisi” apo “Modul Elektronik On-Line” për evidentimin dhe regjistrimin e automjeteve të involvuara në aksidente rrugore përmes VIN (fotografive dhe donacioneve tjera të automjeteve).
Ndërsa në nenin 4.3 thuhet se MIT-ja përmes institucioneve të saj në varësi do të kujdeset për ruajtjen, përdorimin dhe administrimin e shënimeve me qëllim që të bëhet kontrolli i plotë/saktë i automjeteve të aksidentuara, për rikthim në qarkullim rrugor pas riparimit apo ri-aftësimit, raporton portali “Front Online”.
“MIT-ja përmes institucioneve të saj në varësi do të kujdeset që ta ndaloj rikthimin në qarkullim të automjeteve të dëmtuara në aksidente pa e kryer kontrollin e riparimit apo përmirësimit sipas nenit 27 Ligjit Nr. 05/L-132 për automjete”, precizohet në Nenin 4.4 të këtij Memorandumi me Policinë e Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës, sipas këtij Memorandumi, merr përsipër të kujdeset që institucionet e saj në varësi të bëjnë kontrollin e përmirësimit, pas riparimit apo ri-aftësimit vetëm në rastet kur janë të dëmtuara pjesët vitale të mjetit sin ë vijim:
Dëme të mëdha në karroceri dhe ose
Të paktën njërën nga sistemet e mëposhtme
Sistemi i frenimit
Sistemi i drejtimit
Sistemi i ndriçimit
Sistemi i mbështetjes
Jastukët e ajrit (Air Bag)
Konfidencialiteti mes Pal Lekajt dhe Rashit Qalajt
Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar mes Pal Lekajt dhe Rashit Qalajat, institucioni që e drejton ky i fundit (Policia e Kosovës) përmes njësive të trafikut do të evidentoj pa vonesa në platformën “Ueb Servis” çdo automjet i cili ka të dëmtuara pjesët vitale të involvuara në aksident, sipas nenit 4, paragrafit 4.6.
Ndërsa në nenin 6.1 parashihet edhe konfidencialiteti mes palëve nënshkruese dhe thuhet se të dhënat të cilat do të përdoren nga ana e institucioneve duke u bazuar në këtë Memorandum Bashkëpunimi do të ruhen/mbesin konfidenciale në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore, thuhet në Memorandumin që e posedon “Front Online”.
“Transferimi i të dhënave do të realizohet përmes rrjetit të sigurt dhe të mbrojtur, sistemi i ndërtuar duhet të ofrojë konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e të dhënave”, thuhet mes tjerash në këtë Memorandum.
Portali “Front Online” I ka dërguar pyetje edhe Qendrës së Automjeteve të Kosovës, e cila është pyetur se kur do të filloj të zbatohet vendimit i fundit i Lekajt dhe për tarifën që do ta paguajnë pronarët e automjeteve të aksidentuara në QAK, si kusht për të dalë në komunikacion, por këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.
Kritikat e ambasadorit gjerman dhe shefes së BE-së për monopolin në homologim
Javë më parë ambasadori gjerman, Christian Heldt, kishte goditur fuqishëm biznesmenët e familjes Devolli, të cilët kanë monopolizuar tregun e homologimit të veturave, duke thënë se nuk e kupton logjikën pse pa asnjë nevojë veturat që vinë të reja nga Evropa duhet të kontrollohen edhe njëherë nga një ‘monopol lokal’.
“Vetëm një ambasador i gjorë që po provon ta kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, pati shkruar Heldt në Twitter.
Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ajo kishte thënë se ka vënë re shumë shkelje me këtë shërbim dhe se duhet patjetër që ekskluzivititeti ndaj vetëm një kompanie të hiqet.
“Për momentin për shkak të këtij udhëzimi administrativ, është vetëm një kompani që i bën kontrollet e homologimit. Së pari, ky është monopol në treg, që bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe është kundër acquis communautaire [legjislacion të BE-së] tonë. Së dyti, është edhe më shqetësuese, është fakti që të gjitha këto kontrolle kryhen vetëm në Prishtinë. Kushtojnë 125 euro. Pra, njerëzit duhet të udhëtojnë nga e tërë Kosova në Prishtinë për ta bërë kontrollimin këtu, që nuk është praktikë askund gjetiu në botë. Dhe, së treti, që gjithashtu është mjaft tronditëse, është fakti që edhe nëse keni certifikatë evropiane për konformitet, që është për një veturë të re të cilën e importoni në Kosovë, ju përsëri jeni të obliguar, është e detyrueshme, që ju të shkoni dhe ta bëni kontrollimin. Pra, certifikatat evropiane të lëshuara nga Gjermania, Franca, Italia, etj. nuk njihen”, pa deklaruar ajo.
26 milionë euro nga homologimi për Devollët
Hiç më pak se 26 milionë euro qytetarët e Kosovës i kanë paguar në 10 vitet e fundit për homologimin e veturave.
Të gjitha këto para kanë shkuar në llogari të kompanisë “Eurolab”, e cila menaxhon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), në pronësi të Shkëlqim Devollit, që mbanë monopolin e homologimit të automjeteve në tregun e Kosovës.
Secili qytetarë që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër në Kosovë, është dashur të paguaj nga 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i pa nevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit evropian në Kosovë.
Importi i veturave ndër vite dhe shuma e paguar për homologim
2009 janë importuar 15,392 vetura = 1,924 000 euro
2010 janë importuar 13,523 vetura = 1,690375 euro
2011 janë importuar 19,891 vetura = 2,486375 euro
2012 janë importuar 21,781 vetura = 2,722625 euro
2013 janë importuar 18,297 vetura = 2,287125 euro
2014 janë importuar 17,747 vetura = 2, 218375 euro
2015 janë importuar 19,256 vetura = 2,407000 euro
2016 janë importuar 26,585 vetura = 3,323125 euro
2017 janë importuar 30,370 vetura = 3,796250 euro
2018 janë importuar 20,689 vetura = 2,586125 euro
2019 janë importuar 86,99 vetura = 1,087375 euro
TOTAL: 26,528,750 euro.