3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vetëvendosje publikon letrën ku kërkohet shkarkimi i Richard Grennell

Rekomandime

Lëvizja Vetëvendosje nuk po pajtohet me qëndrimet e emisarit amerikan, Richard Grenell, që njëherit janë edhe qëndrimet e administratës Trump.

Për këtë arsye, sot ata kanë publikuar një deklaratë ku kërkohet shkarkimi i tij.

- Advertisement -

Në kërkesën që e ka publikuar zyrtari i VV’së, njëherit zëvendësministri, Avni Zogiani, thuhet se ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’ ka bërë një deklaratë publike për presidentin e SHBA’së.

“Ambasadori Grenell ka marrë haptas anën e Serbisë, duke u përpjekur të akomodojë kërkesat e tyre shkatërruese. Ai nuk ka bërë asnjë presion ndaj Serbisë që të ndalojë fushatën e vet ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta çnjohin atë dhe të ndalojë marrjen e armëve nga Rusia”, thuhet në deklaratë.

Postimi i plotë i Zogianit:

- Advertisement -

Kosova ka braktisur ata qe i ndejten perkrah gjate luftes, duke injoruar keshillat e politikaneve te karrieres si Elliot Engel e Joe Dioguardi, per te degjuar diplomatet kontravers…

LIDHJA QYTETARE BËN THIRRJE PRESIDENTIT TRUMP QË TA LIROJË AMBASADORIN GRENELL NGA DETYRAT E TIJA SI I DËRGUARI SPECIAL PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

- Advertisement -

Deklarata Publike nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane

Prill 20

Ne, anëtarët e Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, jemi shumë të shqetësuar për situatën e rrezikshme në Republikën e Kosovës pas rënies së qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Rënia ishte si rezultat i një lëvizjeje të paprecedentë të orkestruar nga disa anëtarë të elitës politike të Kosovës të përkushtuar për avancimin e interesave të tyre personale, në koordinim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump për Negociatat e Paqes Serbi-Kosovë, Ambasadorin Richard Grenell.

Lidhja Qytetare gjithmonë ka lobuar te qeveria e SHBA që në koordinim me Bashkimin Evropian të angazhohet plotësisht në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit Kosovë-Serbi. Për keqardhjen tonë, Ambasadori Grenell ka keqpërdorë rëndë procesin duke e ndjekur një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë.

– Ai lehtësoi takimet midis Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiqit dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit. Vuçiqi është një shovinist me urrejtje të thellë ndaj popullit shqiptar. Gjatë kohës së luftës ai ishte Ministër i Informacionit i Millosheviqit dhe personi i favorizuar i ultra nacionalistit serb Vojisllav Sheshelit, i cili u dënua për krime kundër njerëzimit në Hagë. Ai kontrollon plotësisht institucionet e Serbisë dhe mban lidhje të ngushta me Moskën. Thaçi është një politikan të cilin nuk e don shumica e popullit të Kosovës dhe konsiderohet si një nga lojtarët kryesorë përgjegjës për shumicën e dështimeve të vendit gjatë njëzet viteve të fundit.

-Edhe pse Ambasadori Grenell e mohon atë, gjerësisht ka qenë e raportuar se këto negociata pas dyerve të mbyllura kanë qenë të përqendruara në ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë për të krijuar shtete etnikisht të pastra, në kundërshtim me politikat e vendosura nga Amerika dhe Evropa që kufijtë janë të fiksuara dhe zgjidhjet politike duhet të gjenden brenda tyre. Ndryshimet e kufijve gjithmonë kanë sjellë gjakderdhje në Ballkan.

-Ambasadori Grenell ka marrë haptas anën e Serbisë duke u përpjekur të akomodojë kërkesat e tyre shkatërruese. Ai nuk ka bërë asnjë presion ndaj Serbisë që të ndalojë fushatën e vet ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta çnjohin atë dhe të ndalojë marrjen e armëve nga Rusia. Njëkohësisht, Grenell ka bërë presion të madh mbi viktimën, Kosovën – duke e kërcënuar me ngrirjen e programeve të zhvillimit ekonomik të qeverisë së SHBA të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Kosovë dhe
tërheqjen e trupave amerikane nëse Kosova nuk i heq tarifat për mallrat serbe pa parakushte. Grenell ka këmbëngulur se do të arrihet një marrëveshje pasi Kosova dhe Serbia të rifillojnë dialogun, duke harruar që të gjithë e dinë se një marrëveshje midis aktorëve shumë të këqij — Vuçiqit dhe Thaçit — u negociua në verën e vitit 2018 në bisedimet e drejtuara nga shefja e atëhershme e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini. Është mahnitëse të shohësh që Vuçiqi, Thaçi dhe Grenell e konsiderojnë popullin shqiptar të Kosovës si shumë të dobët dhe tepër naiv që të kuptojë se çfarë nënkupton “korrigjimi i kufijve”, “rregullimi” ose “demarkacioni”: ndarja e Kosovës dhe krijimi të Serbisë së Madhe. Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik.

-Roli i Ambasadorit Grenell ishte i qartë duke e armatosur fort liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa që të ndahet nga Vetëvendosja (LVV) me qëllim që të rrëzojë qeverinë e koalicionit LVV-LDK të shpresës dhe të ndryshimit, të udhëhequr nga dy politikanë më të mbështetur publikisht — Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, anëtare e LDK-së. Përveç Hashim Thaçit, Grenell ftoi Skender Hysenin, ish-Ministrin e Punëve të Jashtme dhe përfaqësuesin e gardës së vjetër të partisë së koalicionit të ri të LDK-së, për të dhënë udhëzime se si ta përfundojë këtë qëllim disa ditë para propozimit të votimit të mosbesimit më 25 Mars. Procesi i prishjes dhe destabilizimit të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike është në kundërshtim me vlerat amerikane, kundër vullnetit të popullit të Kosovës dhe kundër interesave strategjikë të Shteteve të Bashkuara. Ishte gjithashtu e turpshme sepse kjo ka ndodhur në një kohë kur Kosova, Amerika dhe e gjithë bota po luftojnë për të shpëtuar jetët derisa koronavirusi po përhapet. Shumica e përfaqësuesve evropianë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndërhyrjes politike të administratës Trump në Kosovë. Nëse Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij të inkurajuar nga Ambasadori Grenell përpiqen të marrin qeverinë pa zgjedhje të reja ose në kundërshtim me ndonjë dispozitë kushtetuese, trazirat dhe destabilizimi në Kosovë do të pasojnë dhe ka gjasa që Presidenti Trump do të fajësohet.

-Bazuar në shumë raporte, emërimi i Ambasadorit Grenell nga Presidenti Trump gjithashtu ka armiqësuar udhëheqësit e politikës së jashtme evropiane me Grenell me punën prapa skenave dhe me mos përfshirjen e aleatëve kryesorë evropianë në negociatat Kosovë-Serbi. Bashkimi Evropian është kundër çdo shkëmbimi territorial për arsye shumë të mira. Trazirat pasuese do të kenë ndikim të qëndrueshëm politik në Ballkan dhe potencialisht do të çojnë në paqëndrueshmëri në Evropë për dekada në vazhdim. Siç deklaruan Kurt Bassuener dhe Bodo Ëeber nga Këshilli i Politikës për Demokratizimin think tank me qendër në Berlin më 2 prill, një shkëmbim territorial, që do të thotë “ndarje e Kosovës”, nënkupton “një ndërprerje të papritur të politikës amerikane në Ballkan prej dy dekadave, duke hapur një çarje transatlantike të paparë sa i përket sigurisë evropiane që nga vitet 1992-1995 të luftës në Bosnje. ”

Ne besojmë se qasja e administratës Trump ndaj konfliktit Kosovë-Serbi në thelb është e gabuar dhe prandaj është e destinuar të dështojë. Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm, Lidhja Qytetare i bën thirrje Presidentit Trump që të largojë Ambasadorin Grenell nga detyrat e tij si i Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi. Duke e ngarkuar një ekspert me njohuri mbi Ballkanin, Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të jenë në gjendje që të marrin rolin drejtues në zgjidhjen e konfliktit serbo-shqiptar një herë e përgjithmonë, natyrisht në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për arritjen e marrëveshjes dhe zbatimin e saj. Lidhja Qytetare gjithashtu ka shqetësime serioze se i Dërguari i emëruar i Evropës për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është zgjedhja e gabuar për këtë pozicion të rëndësishëm për shkak të lidhjeve të tij me Serbinë gjatë rolit të tij si përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë midis viteve 2007 dhe 2009 dhe pasi është i ardhur nga Sllovakia, një nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Një zgjidhje e përhershme e problemit Kosovë-Serbi është e vështirë, por është e mundur. Është thelbësore një njohje e ndërsjellë e kufijve ekzistues me garanci për mbrojtjen e të drejtës së barabartë politike dhe njerëzore për pakicat në Kosovë dhe Serbi.

Por kjo mund të ndodhë vetëm kur Amerika dhe Bashkimi Evropian gjithashtu mbështesin një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që fillon me pranimin se Serbia ka bllokuar çdo marrëveshje të propozuar që prej fillimit të “bisedimeve teknike” midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2011. Siç deklaroi Shirley Cloyes DioGuardi në dëshminë e saj para Nën-komisionit të Dhomës për Evropën në vitin 2013, paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm “do të ndodhin vetëm kur Serbia të njehë sovranitetin e Kosovës dhe pranon Kosovën në institucionet ndërkombëtare, kur i jep të drejta të barabarta civile dhe njerëzore shqiptarëve në Luginën e Preshevës (në një nivel me të drejtat që aktualisht serbët në Kosovë i gëzojnë), heq dorë nga strukturat e saja paralele në veri të Kosovës dhe përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe politik të Serbisë.

Sapo të ndodhë kjo, qeveria e Kosovës do të duhet të përqendrohet në vendosjen e një demokracie të vërtetë dhe sundimit të ligjit – diçka që ajo nuk ka arritur të bëjë sa duhet për shkak të mungesës së sovranitetit dhe korrupsionit prej shumë zyrtarëve të qeverisë së saj. ”

Shpresa jonë është që ata politikanë që tashmë e kanë dëmtuar në mënyrë drastike Kosovën, të kuptojnë se kanë shkuar shumë larg. Pretendimi i tyre se ata janë pro-amerikan është qesharak, pasi gjithçka që ata kanë bërë në Kosovë për gati 20 vjet ka qenë antiamerikane dhe antishqiptare.

Shpresojmë gjithashtu që liderët e rinj të Kosovës, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të tjerët si ata e kuptojnë rolin e tyre historik për ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë e tmerrshme. Si qeveri e përkohshme e Kosovës, ata duhet të përqendrohen në luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, përfshirë pakicat. Ata duhet të ndalojnë çdo bisedim nga kushdo që mund të dëmtojë pavarësinë,
integritetin territorial, dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Shpresojmë gjithashtu që qeveria nuk do ta minojë opozitën dhe në vend të kësaj do t’i ofrojë një vend në tryezë për t’u marrë me Serbinë dhe do të promovojë dhe avancojë trashëgiminë pro-amerikane dhe pro-evropiane.

Në zgjedhjet demokratike të 6 tetorit 2019, populli i Kosovës votoi për ndryshim pozitiv duke i dhënë Vetëvendosjes dhe LDK një mundësi të artë për të zbatuar ndryshimin.

Votimi shënoi një pikë kthese në politikën e Kosovës. Ne besojmë se dashuria, respekti dhe admirimi i popullit shqiptar për Amerikën nuk do të humbet, pasi një shekull i duhej për t’u ndërtuar. Sidoqoftë, qëndrimi për të drejtat dhe lirinë e dikujt është gjithmonë gjëja e duhur për të bërë. Një Ambasador Amerikan dhe disa zyrtarë të një administrate nuk përfaqësojnë vlera të qëndrueshme Amerikane. Ata janë të gjithë përkohësisht në fuqi.

Ne duam të sigurojmë popullin e Kosovës që Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, e udhëhequr nga Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, si lobi i vetëm i regjistruar në Uashington, DC, do të vazhdojë të punojë shumë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, ashtu si ka bërë Lidhja Qytetare për tridhjetë vitet e fundit. Ne kemi arritur të ndryshojmë politikat e shumë administratave amerikane përmes punës sonë me drejtuesit e politikës së jashtme në Kongresin Amerikan, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyra të ndryshme dhe madje edhe më të forta para dhe pas përfundimit të pandemisë me koronavirus.

Ne nuk mbështesim ndonjë parti të veçantë politike në Kosovë, Shqipëri, apo trojet e tjera shqiptare. Por ne i mbështesim ata politikanë që punojnë shumë për interesat kombëtare dhe njerëzit që ata përfaqësojnë. E njëjta gjë vlen edhe për qeverinë amerikane: Ne mbështesim ata liderë politikë që janë punëtorë, përfaqësues të ndërgjegjshëm dhe efektiv të popullit, dhe ne i hedhim poshtë ata që janë të shqetësuar vetëm për interesat e tyre personale dhe vazhdimin e pushtetit të tyre. Ne qëndrojmë me vendosmëri dhe krenari për çështjen kombëtare shqiptare dhe shpresojmë të avancojmë një të ardhme të suksesshme demokratike dhe ekonomike të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit