1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Vllahiu: Kosova, duke iu thënë jo nismave si “Ballkani i Hapur”, mund të mbesë e izoluar

Rekomandime

Analisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër “Ballkanit të Hapur” nuk është e çuditshme në kontekstin e një kundërshtimi opozitar, por çudia, sipas tij, qëndron te protesta për çështjet që synim kanë bashkëpunimin rajonal.

“Protesta në Tiranë për mua ka shpërfaqur një lloj tendence të protagonizmit politik në skenën politike të tashme të Sali Berishës në një situatë kur ka një krizë të brendshme brenda opozitës në Shqipëri dhe në një përpjekje për të krijuar një lloj identiteti të ri të opozitës brenda skenës politike në Shqipëri. Nuk e shoh si diçka të jashtëzakonshme kur protestohet nga opozita sepse opozita atë punë mund ta ketë, por e shoh si pak të përçudshme që të protestohet për çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal”.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është e ndërlidhur me bashkëpunimin rajonal.

- Advertisement -

Vllahiu ka deklaruar po ashtu se mosangazhimi i BE-së në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i ka dhënë hapësirë Rusisë dhe Kinës që të shtrijnë ndikimin e tyre.

“Nëse ne flasim që duhet të kemi lidhje direkte me SHBA-në dhe me BE-në duhet kuptuar se rruga drejt BE-së është e ndërlidhur posaçërisht me bashkëpunimin rajonal, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që elementet që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal të goditen aq fort. Edhe Procesi i Berlinit edhe Tregu i Përbashkët rajonal dhe “Open Balkan” dhe të gjitha iniciativat e tjera rajonale kanë synim që përmes përmirësimit të raporteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ecet tutje drejt BE-së. A do t’i hapet rruga një faktori të tretë për t’u futur në Ballkanin Perëndimor? Pikërisht fakti se Bashkimi Evropian në pesë-gjashtë vitet e fundit nuk ka qenë shumë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor iu ka dhënë hapësirë forcave të treta – Rusia, Kina dhe Turqia – që ta kenë Ballkanin Perëndimor një terren të përshtatshëm për manovrim”.

Por, a po kthehet SHBA-ja në rajon?

- Advertisement -

“Po shohim përpjekje të SHBA-së, meqenëse një periudhë të gjatë kohore ka qenë e përjashtuar nga proceset që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, që përmes njerëzve, të cilët e njohin rajonin e Ballkanit Perëndimor e që kanë kontribuar në të kaluarën edhe në vendosjen e paqes dhe të bashkëpunimit në këtë rajon të rikthehet kjo dinamikë amerikane në Ballkan dhe të mos lejohet një ndikim më i madh rus dhe kinez. Kohëve të fundit kemi pasë ndikim shumë më të madh kinez sesa rus. Ndikimi rus ka qenë, kurse ndikimi kinez është i shtrirë në infrastrukturë. Ndikimi amerikan është i domosdoshëm për të vënë një baraspeshë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për ta rikthyer Ballkanin Perëndimor në rrugën e BE-së dhe për ta rikthyer gjithashtu edhe BE-në në Ballkanin Perëndimor. Porosia e angazhimit amerikane nuk është vetëm për Ballkanin Perëndimor, është edhe për BE-në që amerikanët duan që të jenë edhe përgjegjës edhe lojtarë në ditët e sotme për ta vënë këtë rajon në rrugën drejt BE-së”.

Vllahiu është i bindur se Kosova do të duhej të ishte pjesë e “Ballkanit të Hapur” që nga fillimi dhe të vendoste kushtet e saj, derisa thotë se nëse Kosova vazhdon qasjen refuzuese ndaj nismave të tilla rajonale, do të mbetet e izoluar ose do të duhet të bëjë kompromis më të madh.

- Advertisement -

“Nuk mund të vazhdojmë ne në Ballkanin Perëndimor se BE-ja është këtu dhe ne duam të jemi pjesë e BE-së, por duam të jemi pjesë e BE-së ashtu siç duam ne. Nuk mund të themi se Kosova në ditët e sotme mund të jetë një oazë brenda Ballkanit Perëndimor ose një vend i izoluar, sepse për vite të tëra kemi parë nga politika kosovare që ka pasë një refuzim të çdo gjëje që vjen në raport me nismat rajonale dhe BE-në”.

“Ne duke thënë nuk duam ‘Ballkanin e Hapur’ apo një nismë tjetër do të vijmë në një pozicion kur Kosova do të detyrohet të jetojë e izoluar ose të pranojë diçka që nuk do të jetë më e favorshme për të. Kosova ka pasë kohë që ta ketë ndikimin e saj që prej fillimit në ‘Ballkanin e Hapur’. Ajo që do të jetë më e keqja për Kosovën është që më nuk mund të vendosë asnjë kushtëzim për anëtarësimin e saj ose për bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova është vendi i vetëm sot në rajon ose në Evropë që nuk e ka liberalizimin e vizave dhe jo vetëm për shkak të (mos)përmbushjes së kritereve, por ka të bëjë më shumë edhe me faktin se në rajon, në raportin tonë me dialogun, ne nuk kemi ecur përpara”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit