President i Serbisë, gjatë intervistës së mbrëmshme në TV Pink ka komentuar edhe fotografinë e famshme ku ai po bartë birra për Kryetarin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, të cilën e ka quajtur foto-montazhë.
“Ajo foto është bërë në Komisionin e Zgjedhjeve, dhe nuk jam duke e bartur birra, por një kuti me nënshkrime për pjesëmarrje në zgjedhje. Ata e kanë montuar thuajse si të vërtetë që unë po mbaj birra për Sheshelin dhe e kanë shpërndarë në tërë rajonin. Shesheli nuk ka pirë birrë asnjëherë, por vetëm koka-kollë”, ka deklaruar Vuçiç.
Prej disa vitesh, një fotografi është shpërndarë në rrjetet sociale ku shihet presidenti aktual i Serbisë duke sjellë një arkë me birra në dhomën ku janë ulur Tomislav Nikoliç dhe Vojislav Sheshel.
Meqenëse Vuçiq dikur ishte anëtar i partisë së Sheshelit, dhe shumë e quajnë produkt politik të tij, fotografia shërbeu si një shaka e mirë anembanë rajonit.
Fotografia që thuhet të jetë origjinale u shfaq në Twitter, ku u shkrua se birra Jelen në vitet 1990 kishte një logo ndryshe.