12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Weber: Gjermania e Franca refuzuan që me dhunë të bëhet marrëveshje për shkëmbim territoresh

Rekomandime

Kur dhe si mund të rifillojë dialogu? Çfarë roli do të luajë administrata amerikane dhe BE-ja? Për DW flet eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber.

Deutsche Welle: Ministri i Jashtëm Federal dhe homologu i tij francez botuan javën e kaluar një artikull të përbashkët në shtypin e Kosovës dhe të Serbisë. A janë tani kushtet më të favorshme për vazhdimin e dialogut në krahasim me një vit më parë, kur dështoi samiti i Ballkanit Perëndimor, në Zyrën e Kancelares?

- Advertisement -

Bodo Weber: Së pari, nuk do të thoja që mini-samiti në Zyrën e Kancelares dështoi në prill të vitit të kaluar. Ai ishte i suksesshëm në dy mënyra: Së pari, sepse ua mori procesin nga dora atyre faktorëve politikë në perëndim që preferonin këmbimin e territoreve, dhe së dyti, ai bëri bashkë Parisin dhe Berlinin.

Rrethanat e sotme janë edhe më të mira, edhe më disfavorizuese. Janë më të mira, sepse derisa iku zonja Mogherini dhe ekipi i saj, nisma e rrezikshme për shkëmbime territoresh vinte nga majat e institucioneve të BE-së në Bruksel. Ky minim i parimeve evropiane në negociatat Kosovë-Serbi, që vinte direkt nga BE-ja tashmë i përket së kaluarës që kur u emërua Mirosllav Lajçaku si i Dërguar Special – edhe pse pasardhësi i Mogherinit, Borrell, për fat të keq, nuk ka dëshmuar ende se është një pasuri në rrugën e një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme.

Por rrethanat janë edhe përkeqësuar, sepse tani përpjekjet e aktorëve qëndrorë, si Berlini, nuk sabotohen më nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por nga një i dërguar special i Trump-it, (Richard Grenell, shën. i red.) dhe se disa aktorë të rëndësishëm të politikës i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre këto veprime të administratës së Trumpit, të cilat janë të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe brenda kufijve ekzistues.

- Advertisement -

Deutsche Welle: Kur ju thoni që Borrell fatkeqësisht nuk ka provuar të jetë një pasuri në rrugën e një marrëveshjeje përfundimtare të qëndrueshme, për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Bodo Weber: Për refuzimin e vazhdueshëm të Borrellit për t’u pozicionuar qartë në drejtim të një zgjidhjeje evropiane për një marrëveshje përfundimtare, d.m.th. kundër çdo ndryshimi kufijsh ose shkëmbimi territoresh, gjë që në në intervistën e tij më të fundit çoi në formulime keqkuptuese që lanë një përshtypje të gabuar në Kosovë dhe rajon, sikur ai ose BE-ja ishin të hapur për një marrëveshje për shkëmbime territoresh – çka nuk është e vërtetë.

- Advertisement -

Deutsche Welle: Ju i quani veprimet e administratës Trump “të rrezikshme”. Vetë kosovarët janë të ndarë në këtë çështje. Shumë syresh kanë më shumë besim te SHBA-ja se te BE-ja. E kanë gabim?

Bodo Weber: Nëse politikanët në Kosovë sot ankohen se e kanë humbur besimin te BE-ja, dhe kanë parasysh ish-përfaqësuesen e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, ata kanë plotësisht të drejtë.

Por, nga ana tjetër, ishin vendet e BE-së, me në krye Gjermaninë, që e kundërshtuan marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve në vitin 2018-19 – në fillim kundrejt zonjës Mogherini dhe më pas kundrejt administratës së Trumpit. Veprimet e tij, zoti Grenell nga njëra anë pengojnë përpjekjet e aktorëve të BE-së, nga ana tjetër, ai vijon me formatin e Mogherinit, negociata të fshehta me të dy presidentët.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e shumicës së vendeve të BE-së për pavarësinë, në vitin 2008, nuk erdhi nga ndonjë simpati e veçantë për shqiptarët e Kosovës, por në shërbim të mbrojtjes së rendit liberal botëror. Politikat e administratës së sotme amerikane – edhe në Kosovë – për fat të keq nuk i shërbejnë më kësaj politike tradicionale amerikane të jashtme dhe të sigurisë.

Por unë jam i sigurt që aktorët politikë në Kosovë, të cilët sot pohojnë publikisht se i besojnë më shumë SHBA-së, janë fare mirë të vetëdijshëm për këtë.

Deutsche Welle: Nëse është kështu, si duhet kuptuar refuzimi i vazhdueshëm i presidentit të Kosovës, HashimThaçi, për negociata me pjesëmarrje të BE-së?

Bodo Weber: Me deklaratën e tij se nuk është i gatshëm të zhvillojë bisedime me të dërguarin special të BE-së, Lajçak, por me Merkel dhe Macron, Presidenti Thaçi nënvizon edhe një herë se ai nuk ka synime të ndershme në dialogun me Vuçiçin. Së pari, nuk e vendos Presidenti Thaçi se kush do të udhëheqë negociatat e BE-së. Pra, nëse Presidenti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me BE-në për shkak të Z. Lajçak, ai duhet të refuzojë edhe të negociojë me Merkel dhe Macron – por ai nuk guxon ta thotë këtë. Së dyti, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi se është kryeministri, e jo Presidenti, ai që udhëheq negociatat, kështu që Thaçi nuk është aspak i paanshëm në këtë çështje. Së fundi, është interesante që zoti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me z. Lajçak, sepse ai vjen nga një vend i BE-së, që nuk e njeh Kosovën – i njëjti Lajçak, i cili ishte zyrtari i parë i Brukselit që u pozicionua qartë kundër shkëmbimit të territoreve, ndërsa z. Grenell dhe administrata amerikane vazhdimisht e shmangin pozicionimin e qartë kundër shkëmbimit të territoreve.

Deutsche Welle: Si do të vijojë dialogu tash e tutje? Gjermania dhe Franca po bëjnë presion, por as Kosova dhe as Serbia nuk duken se janë të përgatitura për një dialog.

Bodo Weber: E vërtetë, si Kosova, e cila është në krizë qeveritare, ashtu edhe Serbia, e cila është në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk janë të gatshme të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve. Por unë nuk e kuptova thirrjen e dy ministrave të jashtëm tekstualisht që palët të kthehen shpejt në tryezën e bisedimeve. Artikulli i tyre synonte të mbështeste rolin udhëheqës të BE-së dhe veprimet e përbashkëta frankogjermane, në pritje të zgjidhjes së Gjykatës Kushtetuese për qeverinë e Kosovës.

Artikulli ishte kryesisht një paralajmërim dhe refuzim i çdo përpjekjeje pas verës dhe para zgjedhjeve presidenciale, për të realizuar me dhunë një marrëveshje të shkëmbimit të territoreve.

Paralajmërimi për “pseudo-zgjidhje të shpejta” por të rrezikshme dhe shpjegimi se përse nevojitet një marrëveshje e përgjithshme dhe qëndrueshme përbëjnë mbështetje të fuqishme të pretendimit të BE-së për të udhëhequr dialogun.

Kjo mbështetje e përforcon edhe një here tezën, se me gjithë dobësimin e besimit te BE-ja,në këto tri vitet e fundit, zgjidhja e konfliktit me Serbinë, në rrethanat aktuale të politikës globale, mund të bëhet vetëm nën drejtimin e BE-së.

Deutsche Welle: Ju keni shkruar dikur në një artikull, se beteja e fundit e kancelares Merkel do të jetë Ballkani.. A mendoni se ajo do t’ia dalë në këtë betejë?

Bodo Weber: Unë jam i sigurt, se brenda mandatit të saj të mbetur, ajo do të jetë në gjendje ta largojë njëherë e përgjithmonë nga tryeza opsionin e rrezikshëm e të gabuar të një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh.

Është më e vështirë të parashikohet se a do të nënshkruhet një marrëveshje gjatë mandatit të saj.

Por më e rëndësishme se marrëveshja është rifillimi i negociatave mbi bazën e e kornizës fillestare të negociatave në kuadër të dialogut politik të vitit 2013. Ato do t’i hapin rrugën një marrëveshjeje paqësore vërtet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit