1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Xhavit Haliti kur pyetet për Gent Cakajn: Kush është ai?

Rekomandime

Partia Demokratike e Kosovës pritet që më 3 korrik të këtij viti të mbajë Konventën për zgjedhjen e kryetarit të partisë.

Deri më tani, nga PDK-ja nuk dihet ende se kush do të jenë kandidatët potencial për kryetar të partisë, por ka disa figura politike që janë përfolur për të qenë në krye të partisë si Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku por edhe figura nga jashtë si Gent Cakaj, i cili ka shërbyer për një kohë si ushtruese detyre i ministrit të Punëve të Jashtme në Shqipëri.

- Advertisement -

Por, këtë të fundit fillimisht nuk e ka njohur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, kur është pyetur nga lajmi.net nëse Cakaj do të ishte kryetari i duhur i partisë.

“Kush? Kush është ai?”, është përgjigjur Haliti, derisa është njoftuar nga gazetari se bëhet fjalë për ish-ushtruesin e detyrës së ministrit në Shqipëri.

“Aha, aha, ndoshta, ndoshta bëhen importuese”, ka thënë me humor Haliti.

- Advertisement -

“Nuk po di, unë kam problem me vetveten sa i përket standardeve që duhet t’i plotësojë kandidati për kryetar të partisë, por natyrisht edhe ata që kandidojnë në bazë të statusit të partisë e që i fitojnë votat do të jenë edhe kryetar”, ka vazhduar ai.

Tutje, Haliti ka thënë se ende nuk ka ndonjë kandidat të preferuar për kryetar të partisë, pasi që nuk janë zyrtarizuar kandidaturat përpos ajo e Enver Hoxhajt.

- Advertisement -

Ai ka thënë se kryetari i PDK-së duhet të plotësojë disa standarde.

“Standarde që garanton garancë që mund t’i fitojë zgjedhjet, garancë që do ta sistemojë partinë, do ta reformojë partinë në çështjet që duhet të reformohen. Këto janë detyrat dhe detyrimet e kryetarit dhe kryetari i partisë duhet të jetë i zoti të punojë me ekip dhe të krijojë një ekip të mirë, jo një ekip miqësor personal, por ekip për ta çu punën e partisë përpara. Nuk kam asnjë preferencë pa e ditë se kush do të jenë kandidatët, Enverin e di që është kandidat, për tjerët nuk e di sepse nuk di a ka ndonjë standard deri kur mund të paraqiten, apo cilat janë mundësitë e paraqitjes për të qenë kandidat për kryetar”, ka deklaruar Haliti.

Që nga largimi i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili udhëtoi në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale, deri më tani Enver Hoxhaj ka qenë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, i cili njëkohësisht ishte edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë figurat që janë përfolur si kandidatë potencial për kryetar të partisë, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit