Zhvillimet e fundit në Ukrainë, Macron mbledh urgjentisht sigurinë kombëtare

0
102
Emmanuel Macron, president i Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thirrur mbledhje urgjente të këshillit kombëtar të sigurisë, për t’i adresuar zhvillimet lidhur me krizën në Ukrainë.

Pallati presidencial francez ka njoftuar se Macron sot ka folur me presidentin e Rusisë dhe Presidentin e Ukrainës, raporton Reuters.

Ai ka folur edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe me liderët e tjerë të Evropës, për të bashkërenduar veprimet, pas zhvillimeve të fundit.

Bashkimi Evropian u është bashkuar thirrjeve për Rusinë që të mos ndërmarrë veprime për ta cenuar territorin e Ukrainës, në të kundërtën do të përballet me sanksionet e 27 shteteve të BE-së.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar para pak çastesh ministrin rus të Mbrojtjes,”që të sigurojë paqe” në Donetsk dhe Luhansk.

Madje raportohet se ka filluar futja e trupave ruse në dy rajonet, që disa orë më parë edhe zyrtarisht Kremlini i njohu si shtete të pavarura.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se do të merren hapa konkret pas këtij vendimi të Kremlinit.

“Njohja nga Kremlini e të ashtuquajturave “Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk” si të “pavarura” kërkon përgjigje të shpejtë dhe të vendosur, dhe ne do të ndërmarrim hapat adekuatë në koordinim më partnerët tanë”, tha ai nëpërmjet Twitter.