Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin do të shohin mundësitë e inicimit të shkarkimit të tij. Sipas saj, i pari i shtetit me vetëdije të plotë ka bërë shkelje kushtetuese duke anashkaluar Lëvizjen Vetëvendosje, si parti fituese në formimin e qeverisë.
Nagavci në një intervistë për KP, thotë se edhe përfshirja e presidentit në formimin e qeverisë së re, pa zgjedhje të reja ka të bëj me pazare politike.
“Gjithë kjo kohë që presidenti Thaçi ka qenë në detyrë i ka sjell dëme të mëdha vendit. Besojmë që ai me vetëdije ka shkel kushtetuesen dhe presim vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur hapat e radhës”, thotë ajo.
Ajo thotë se LDK-ja po tenton të formojë një qeveri jolegjitime dhe joparimore në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.
“Presidenti ka qenë shumë i përfshirë në tentimin për të krijuar qeverinë e re. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt dhe lehtësuar këtë proces të bashkëpunimit mes LDK-së dhe palëve tjera…Çdo diskutim që është bërë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje me ish partnerin qeverisës kane qenë një diskutim i bërë në mënyrë transparete dhe i bazuar në parime. Gjithçka ka qenë në tavolinë dhe e vendosur në mënyrë parimore. Ndërsa ajo që kemi parë deri më tani dhe lë dyshime është se marrëveshjet me të tjerët janë bërë thjesht për pazare”, thotë ajo.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh e bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim në favorë të partisë së saj, pasi siç thotë argumentet juridike qëndrojnë krahë tyre.
“E drejta është në anën tonë. Kemi paraqitur gjitha argumentet juridike, pa dashur të paragjykojë punën e Gjykatës Kushtetuese po presim vendimet finale”, thotë Nagavci.
Duke folur për zgjedhjet e reja, Nagavci thotë se nëse rezultatet janë të mira me pandeminë, vendi mund të organizojë zgjedhjet në gjysmën e muajit qershor.
“Nëse rezultatet janë më të mira në raport në gjendjen me pandeminë do të ishte shumë mirë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. Ne kemi menduar që gjysma e qershorit, gjegjësisht 14 qershori do të ishte një datë e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me besimin dhe shpresën që gjithçka do të jetë mirë me rezultatet e pandemisë”, u shpreh Nagavci.
Ndonëse në opinion u paraqit si refuzim i Komisionit të Venedikut ndaj kërkesës së kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit thotë se ky komision ndërkombëtar e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim dhe për t’u përgjigjur pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.