4.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Shqipëri, sa të madhe e ke zemrën

Rekomandime

Kozeta Kurti

- Advertisement -

Dje t’u ula në gjunjë; në ditën tënde më të bukur, kur nuse duhet të ishe bërë, e për mort u veshe.

Dje e këto ditë të deshën më shumë se kurrë të gjithë ata që prej vitesh morën detin e malin; plotësuan mijëra formularë lotarish e aplikime azilantësh; se kështu je: e bukur e për t’u dasht!

Se ti ke vend për të gjithë: për Xhulian që e arrestuan se gjeti rrjetet sociale si mënyrë për të ndarë ankthin, frikën, pasigurinë, padijen ndoshta, por ke vend për dhjetëra horra e kriminelë që të katandisën kështu, veçse burgu s’i mban ata. Është i ngushtë burgu, për ata që janë mësuar t’i vënë gishtin globit e në hall a në qejf, ta shpien veten atje ku ndjehen më të sigurt.

- Advertisement -

Ke lënë vend për mijëra duart e zgjatura për ndihmë këtej e andej kufijve, por ke vend edhe për ata që siç ta dhunuan me çizme e kova tortën e Pavarësisë, ashtu t’i zhytën duart edhe në bukën e nevojtarëve në qiell të hapur, me sytë, mendjen e zemrën në ato rrënoja, me shpresën për të gjet’ një jetë a një varr për nesër ku me qa’ e ku me shfry’!

Ke vend për të paditurin që me paret e gjakut të fëmijës në kurbet, ngriti dhomën sot e banjën mot mbi një tokë që natyra s’ta fal e një ditë do t’ia kthejmë; por ke vend edhe për të fuqishmin e të pangopurin që shet vdekjen me zarfe turpi dhe lejon ndërtime aty ku toka s’mban; ke vend për të pafatin që tronditjet e pabesa në gjumin e thellë të natës, ia prenë jetën në mes, por ke vend për jetëgjatin e ngecur prej orësh nën kate, për të cilin dielli lindi përsëri; ke vend për kllounë të paudhë cirqesh fejsbuku e instagrami që e shfrytëzuan edhe këtë situatë për vëmendje e reklamë, por ke vend për mijëra goca e çuna të rinj, burra e gra, që bën të mira e i hodhën në det, mu aty ku natyra shprehu vullnet a zemëratë.

- Advertisement -

Ke vend, si kurdoherë, për dashurinë e Kosovës, se në nëntor ta këputën prej trupi, e po në nëntor t’u ngjit pas tij, për të t’i mjekuar plagët, për t’u mbështetur në prehrin tënd, por ke vend edhe për ata që dikur ta zhvatën Kosovën nga trupi e këto ditë marshuan drejt teje për të të dhënë frymë prej së tyres.

Se kështu je ti Shqipëri: e vogël e në nevojë për kujdes, por madhështore deri në adhurim.

Veç na e dhe një mësim të mirë Shqipëri, jo veç një lule e qiri e mijëra lutje për shpirtrat e tyre që nuk janë më midis nesh, por një puthje, një përqafim, një dorë-shtrëngim më shumë për ata që kemi në shtëpi, për ata që kemi në pallat, në lagje, në punë, në qytet…

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit