3.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Të pafajshmit e PDK’së –shpërthejnë akuza dhe ndaj gjyqtarëve dhe prokurorisë

Rekomandime

Një varg përgjimesh telefonike të funksionarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, tre vite me parë kishte tronditur opinionin publik. Në to mund të dëgjoheshin negociatat për emërime në pozita të larta nëpër institucione, të anëtarëve të PDK-së. Tre vite më vonë, 11 të akuzuarit e rastit Pronto, një nga aferat më të mëdha korruptive në vend, janë shpallur të pafajshëm. Ky vendim i Gjykatës Themelore ka nxitur reagime të shumta, shkruan Gazeta Express.

Sot janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës të gjithë të akuzuarit në njërin nga rastet më të njohura në Kosovë “Afera Pronto”. Ky vendim i Gjykatës vjen pas 12 seancave dhe më shumë se 15 muaj proces gjyqësor.

- Advertisement -

Gjykata ka vlerësuar se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që mund t’i gjenin fajtor ish-deputetin Adem Grabovci, dhe të akuzuarit e tjerë për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti ka deklaruar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

“Trupi Gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sadat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Rakaj, Rexhë Abazi – në emër të popullit në kuptim të dispozitave të nenit 364, paragrafi 1, pika 3, ata lirohen nga akuza për vepra penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës sepse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen”, tha gjyqtari Hoti.

- Advertisement -

Aktakuza për rastin e njohur si Pronto ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në prill të viti të kaluar. 11 persona me funksione të larta në vend, përfshirë një ministër, ish-deputetë, zëvendësministra dhe ish-sekretarë të ministrive, ishin ndër personat e akuzuar në këtë rast.

Të akuzuar në këtë rast ishin Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajziti, Ilhami Gashi, Xhavit Dakaj, Fatmir Shurdhaj, Sadat Gashin, Ismet Neziraj, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziu dhe Arbenita Pajaziti.

- Advertisement -

Hetimet kishin nisur pasi që tre vite më parë në portalin ‘Insajderi’ ishin publikuar përgjime telefonike ku dëgjoheshin zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, teksa bënin negociata për punësime partiake nëpër pozita të larta në agjenci e institucione të tjera.

Këta 11 zyrtarë, akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale – shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Të pandehurit, sipas aktakuzës kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, krye shef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, krye shef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Protagonist kryesor i këtyre përgjimeve është ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili njihet edhe për ndikimin e madh që ka brenda partisë së udhëhequr nga Kadri Veseli.

Këto biseda telefonike zbardhin diskutimet për të punësuar për dy muaj në periudhën nëntor – dhjetor 2011, qindra njerëz në pozita të rëndësishme, dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. I përfshirë kishte qenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Pas vendimit të Gjykatës, për mediat ka folur Adem Grabovci, ish-shef i deputetëve të PDK-së. Ai është shprehur se aktakuza ndaj tij është absurde, teksa shton se dikush kishte pasur për qëllim që ta eliminonte.

“Për mua gjykimi publik është bërë, më vjen për keq për të gjithë ata dashamirë që më kanë përkrahë gjatë tërë këtij procesi që janë malltretu kot, për mu ka qenë i ditur ky epilog, nuk është diçka befasuese, befasues ka qenë rihapja e hetimeve dhe kjo për mu ka nënkuptua dhe ka qenë si mesazh se kur tenton dikush për interes të një grupi apo individi mund ta godasë kënd ta dojë për ta degraduar dhe eliminuar dikë”, u shpreh Grabovci.

Se “hetimi dhe akuza kanë qenë selektive” ka thënë sot pas përfundimit të seancës, pala mbrojtëse e ish-ministrit Besim Beqaj. Avokati Besnik Berisha tha para gazetarëve se prokuroria është e ngulfatur.

“Ishte një epilog i paralajmëruar dhe një gjykim që filloi si rezultat i një presioni publik dhe u zhvillua nga një prokurori e dështuar. Në qoftë se Gjykata nuk e arsyeton gjykimin mundësitë janë për rigjykim, por kujtoj që kushdo gjykatë qe ka interesin publik s’besoj se nuk do të luajë pingpong këtë lëndë sepse nga dita kur është publikuar aktakuza edhe këta vetë e kanë ditë se janë ngutur dhe kanë bërë ndjekje selektive dhe epilogu mund të vonojë, por prapë do të jetë i njëjti”, tha Berisha.

Mirëpo, ndryshe ky vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës është komentuar nga zyrtarët politik në vend.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka shkruar në Facebook se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.

“Gjykata sot, i dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit. Trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?! Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re”, ka shkruar Haxhiu.

Këtë vendim e ka dënuar edhe nënkryetarja e parë e Kuvendit të Kosoëvs, Arbërie Nagavci. Ajo ka shkruar se për këtë arsye duhet që sa më shpejtë të formohet qeveria e re.

“Aktgjykimi i sotëm për rastin “Pronto” me të cilin të akuzuarit e aferës janë liruar nga akuzat, e dëshmon dhe një herë atë që tashmë e dimë të gjithë, se shteti është i kapur, se institucionet më të rëndësishme të vendit janë në shërbim të një grushti kriminelësh e abuzuesish.

Andaj sot, më shumë se asnjëherë më parë është koha që besimin që na e dhanë qytetarët për themelimin e Qeverisë së re, ta kthejmë në veprim e punë për çkapje të institucioneve, për rend e ligj”, u shpreh Nagavci.


Me shqetësim vendimin e Gjykatës e kanë marrë edhe shoqëria civile. Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë reaguar duke thënë se kjo është ndërhyrje e politikanëve në vendime gjyqësore.

“Një ndërhyrje e tillë në pavarësinë e gjyqësorit, po shpërfaqet sot, me rastin e shpalljes së aktgjykimit në rastin e njohur si Pronto. Këtë qasje të politikanëve, IKD e vlerëson të papranueshme dhe ndërhyrje të politikës në gjyqësor.

IKD rikujton se edhe në regjimet më diktatoriale, gjykatat janë munduar që të zhvillojnë procese gjyqësore dhe që të akuzuarit t’i dënojnë mbi bazën e provave dhe fakteve, duke siguruar procedurë të rregullt”, thuhet në reagim.

Platforma e grupit për studime juridike dhe politike, Drejtësia Sot në anën tjetër kanë shkruar se është dëshmuar se aparati i shtetit kontrollohet nga një grup i ngushtë i njerëzve të lidhur drejtpërdrejtë me politikën dhe interesat partiake dhe individuale të një grupi të caktuar njerëzish.

Për rastin Pronto dhe zvarritjen e tij kishte reaguar në vitin që lamë pas edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. I njëjti kishte thënë se duhet të shihet sa më shpejtë progres në rastin Pronto.

“Sa më i rëndësishëm rasti, aq më gjatë duket se zgjasin procedurat – Kur do të shohim ne progres në rastin ‘Pronto’?”, kishte shkruar ambasadori amerikan.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit