Sipas Latifit, lufta politike kundër Kurtit nuk mund të bëhet me mjete të vjetra, përcjell lajmi.net.
“Arroganca e çlirimtarëve pas luftës, e solli Rugovën në pushtet, ndërsa korrupsioni i komandantëve pas pavarësisë e solli në pushtet Albin Kurtin. Lufta politike kundër tij nuk mund të bëhet me mjete të vjetra. Thirrja në UÇK nuk kryen më punë”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë:
Mund të bëjmë analiza pafund.Të gjejmë shkaqe pafund.
Por, dy gjëra janë vetevidente: Arroganca e çlirimtarëve pas luftës, e solli Rugovën në pushtet, ndërsa korrupsioni i komandantëve pas pavarësisë e solli në pushtet Albin Kurtin.
Lufta politike kundër tij nuk mund të bëhet me mjete të vjetra. Thirrja në UÇK nuk kryen më punë. Për tri arsye: e para, UÇK tash është vetëm histori.
E dyta, në këto 20 vite pasluftës është abuzuar tej mase me emrin e saj.
E treta, tanimë janë rritur disa gjenerata për të cilat UÇK-ja përfaqëson vetëm një tregim të baballarëve nga e kaluara e tyre.
Lavdia e të kaluarës nuk mund t’i justifikoj gabimet e të tashmes dhe as të zëvendësoj shpresat për të ardhmen. Edhe një gjë tjetër : mos i bëni favore Kurtit, duke nxjerrë në foltorën e Kuvendit njerëz që kanë probleme elementare me shkrim leximin. Ata janë dhuratë për të./Lajmi.net/