Në vazhdën e takimeve me liderët politikë në Kosovë, ambasadori amerikan ka shkuar sot në zyrën e Ramush Haradinajt. Ish-kryeministri shkroi për takimin me diplomatin amerikan, pa përmendur askund çështjen e tarifës ndaj Serbisë. SHBA’ja po bën presion që tarifa të hiqet menjëherë.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tregon se i ka thënë ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet ta barazojnë Serbinë me Kosovën.
Kosnett ka takuar liderët politikë në Kosovë, e kreu i AAK’së ka shkruar se me diplomatin amerikan kanë biseduar për vizitën e fundit që Haradinaj e pati në SHBA.
“Prita në takim Ambasadorin e SHBA-ve Z. Philip Kosnett ku diskutuam për vizitën time ne SHBA dhe takimet atje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Ambasadorit Kosnett i thash se është i mirëseardhur dhe i nevojshëm aktivizimi i SHBA-ve në dialog.
Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë sepse orientimet tona në politikë të jashtme kanë kahje të kundërta.
Përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë”, shkruan tutje kreu i AAK’së.
Haradinaj, i cili i ka vënë mallrave serbe tarifë të qind për qindtë dhe ka refuzuar që ajo të hiqet që nga nëntori i vitit 2018, nuk ka përmendur të ketë folur me Kosnettin për këtë çështje
Haradinaj thotë se i paraqiti Kosnettit “nevojën për marrëveshjen finale që rezulton në njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe kjo duhet të përmbyllet sa më shpejtë”.