Albin Kurti harron shërbimin ushtarak, nuk e fut në program të Qeverisë

0
166

Që në seancën ku u votua Qeveria, Albin Kurti dha dhjetëra premtime të mëdha, ndër të cilat ishte edhe shërbimi i obligueshëm ushtarak.

Njeriu që po vinte në krye të ekzekutivit e premtoi shërbimin ushtarak duke e cilësuar si një prej pikave kryesore të programit që, siç tha Kurti atë ditë, do të hidhet në letër së shpejti, shkruan Reporteri.net

“Me qeverisjen tonë, shërbimi ushtarak bëhet i obligueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të NATO-s do të fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë me kohëzgjatje 3 mujore dhe do t’i ndihmojë FSK-së në kryerjen e detyrave shtesë në fushën e mbrojtjes”, thoshte Kurti dikur.

Mirëpo, në Prevallë jo të gjithë kanë qenë në një mendje me të. Atje ishte vendosur që shërbimi ushtarak të mos përmendet fare në program.

Programi 12 pikësh ka në brendësi të tij pjesën ku flet vetëm për bashkëpunimin me forcat e NATO-s dhe forcimin e ushtrisë me mjete të rënda.

“Qeveria do të angazhohet që forcat e sigurisë të jenë pjesëmarrëse në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s. Do të vazhdojë mbështetjen për profesionalizimin dhe sigurimin e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, duke u bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Po ashtu, për blerjen e pajisjeve ushtarake do të ketë lirim nga dogana. Qeveria do të ndërmarrë këto veprime në mënyrë që të jetë kontribuese e arkitekturës së sigurisë globale dhe pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse”, thuhet në program.

Kurti premtim për shërbim të obligueshëm ushtarak kishte dhënë edhe më 17 Shkurt në Kazermën “Adem Jashari”, ku në fjalimin e parë para ushtarakëve e kishte përmendur shërbimin e obligueshëm. As këtu nuk kishte treguar se a kishte dakordancë me partnerin e koalicionit.

Sidoqoftë, njohësit e kishin konsideruar si pikë problematike pasi shërbimi ushtarak, sipas tyre, është i kushtueshëm dhe buxheti aktual i Kosovës nuk e përballon.