Kryeministri në largim Albin Kurti, vendimin e parë që e mori pas rrëzimit të qeverisë së tij në Kuvend, ishte ai i shkarkimit të zëvendësit të tij nga LDK, Avdullah Hoti.
Avdullah Hoti më nuk do të jetë i ulur në krahun e djathtë të Albin Kurtit në mbledhjet e qeverisë, pasi ky i fundit e shkarkoi atë. Shkarkimi erdhi vetëm pak orë pas një fjalimi shumë të ashpër që Hoti e pati ndaj Kurtit në seancën e cila ishte thirrur për ta rrëzuar qeverinë.
Me t’u rrëzuar qeveria, Kurti nuk priti, dhe drejtë nga Kuvendi, shkoi në zyrën e tij në qeveri ku bëri shkarkimin e dytë në qeveri, pas atij të minisrit të brendshëm Agim Veliu, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Hoti në fjalimin e tij e kritikoi ashpër Kurtin, duke e quajtur edhe bolshevik dhe anti-amerikan.
“Tonet bolshevike që vinin nga dhomat partiake LDK nuk i pranon kurrsesi”, ka thënë ai.
“Është e papranueshme që ne të rrimë në Qeveri e partneri ynë feston kur investitorët amerikan ikin nga Kosova”.
Përveç tjerash, Hoti e akuzoi Kurtin se shkarkimin e Veliut e kishte bërë edhe për të marrë vendime autoritare në qeveri, pasi pa të tani i kishte shumicën e votave.
“Mocioni është i mbështetur në dy parime: nuk mund të ketë qeveri demokratike e cila shkatërron raportet me SHBA-në. Le te bëhemi të sinqertë se pa SHBA-në është të pamundshme të ruajmë paqen në rajon. Dhe e dyta. Në qeverinë e Kosovës të vitit 2020 nuk ka vend për autorkraci. Në LDK mendimin e kemi vlerë e jo antivlerë e kufizim për veprim”, deklaroi Hoti.