“Telekom Srbija” e ka konfirmuar se ka dorëzuar ofertën për blerjen e kompanisë IPKO që operon si numri dy në Kosovë.
Gazeta Metro ka raportuar ekskluzivisht të martën se “Telekom Srbija” ka ofertuar 155 milionë euro për blerjen e kompanisë “IPKO”.
Oferta e kompanisë serbe është nga më të lartat ndër 10 ofertat që deri tani ka pranuar në Lubjanë kompania sllovene që ka në zotërim dhe përfaqëson të gjitha aksionet kompanisë “IPKO”
Kompania serbe “Telekom Srbija” sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar raportimet e Gazeta Metro duke njoftuar për televizionin publik serb “RTS” se nuk mund të japin detaje më të shumta , për shkak të marrëveshjes për mos zbulimin e informacionit.
“Telekom Srbija ka dorëzuar ofertën jo obliguese për blerjen e kompanisë IPKO. Për shkak të marrëveshjes për mos zbulimin e informacionit, të cilin e kemi nënshkruar gjatë këtij procesi, deri në mbylljen e tenderimit nuk guxojmë të dalim me informacione më të detajuara. Është e ditur se Telekom Srbija ka ambicie të qartë të shtrijë biznesin e saj, kështu që edhe kjo ofertë paraet një hap drejt realizimit të këtij synimi” thuhet në përgjigjen e kompanisë serbe.
Kujtojmë për lexuesit se aksionet më të mëdha të “Telekom Srbija” i zotëron shteti i Serbisë, po ashtu në raportet e mediave serbe thuhet ajo e kontrollohet nga njerëzit e presidentit serb, Aleksandar Vucic dhe zyrtarët e partisë së tij “Srpska Napredna Stranka” (SNS).
Po ashtu kjo kompani serbe ka shtrirjen më të madhe në gjithë territorin e Serbisë, ajo tregun e saj e ka zgjeruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Austri.
Po ashtu vlen të rikujtohet se se në mars të 2018-ës Telekomi Slloven u bë pronari i vetëm i IPKO Telecommunications pasi bleu edhe 6.89% të aksioneve të cilat nuk i kishte në pronësi.
Sipas grupit të Telekomit Slloven, shitja është pjesë e strategjisë së kompanisë 2019-2023 për të konsoliduar veprimtarinë e saj ose përmes zgjerimit ose përmes shitjes së investimeve në tregjet ku operon.