Sot pritet të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme në Kosovë, për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të infektuarve nga virusi Covid-19.
Sipas Kushtetutës së vendit, Gjendja e Jashtëzakonshme shpallet nga Presidenti, me dekret të veçantë dhe me arsyetime, ku i parasheh kufizimet që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, orën policore, karantinimin e qyteteve të caktuara e masa të tjera.
Analisti politik, Ramush Tahiri thotë për Indeksonline se Gjendja e Jashtëzakonshme i hapë rrugë Qeverisë që të marrë vendime, për parandalimin e përhapjes së pandemisë, dhe mund të shpallet deri në dy muaj me mundësi vazhdimi edhe një muaj, domethënë 90 ditë.
Pasi që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme, presidenti vnohet në krye të saj.
“Presidenti e shpall, pastaj aktivizohet Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe menaxhohet Kosova me atë situatë emergjente”.
“Këshilli i Sigurisë vazhdimisht bën mbledhje dhe merr vendime ditore e javore, varësisht nga gjendja”, thotë ai.
Tahiri shton se pasi që të shpallet, Kuvendi ka kohë deri në 48 orë që të mblidhet për ta verifikuar apo jo Gjendjen e Jashtëzakonshme, por edhe nëse nuk verifikohet, gjendja vazhdon.
“Masat që po merren nga Qeveria dhe Ministria rrëzohen nga Kushtetuta sepse këto gjëra janë paraparë për Gjendjen e Jashtëzakonshme, e në gjendje normale Qeveria s’mund të i merr pa u shpall Gjendja e Jashtëzakonshme” .
“Nëse presidentit, Hashim Thaçit i konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale, dhe nëse jep dorëheqje, atëherë në krye është kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ose kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi”, përfundoi Tahiri.