Nëse liderët kosovarë nisen për në Uashington për një marrëveshje përfundimtare, unë menjëherë mund t’u them atyre që të heqin dorë, kështu tha sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq reagoi ndaj deklaratave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, se në Shtetet e Bashkuara duhet të shkohet për marrëveshje ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh Vuçiq për mediat serbe.
Gjatë ditës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Haradinaj tha se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep SHBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.