Katër persona janë arrestuar në Pejë, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike, raporton Kosova ime.
Të arrestuarit janë B.H. (1976), E.K. (1993), I.Sh. (1982) dhe M.K. (1968).
“Njësiti i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) Pejë, pas hetimeve dymujore, sot në rajonin e Pejës ka realizuar operacionin e koduar “Mali”, ku cak i tij ishte identifikimi dhe shkatërrimi i plantacioneve të mbjella me kanabis. Gjatë realizimit të operacionit policor janë gjetur dhe konfiskuar 216 bimë kanabis sativa të madhësisë 2.50 deri 3 metra, të cilat pas marrjes së mostrave janë shkulur dhe djegur në vendngjarje nga forcat e rendit”, thuhet në komunikatën për media.
Gjatë bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një telefon Samsung A 507FN , një telefon Nokia, një revole TT me 7 fishekë kalibër 7.62.35 mm, një USB, dy tabela të veturës të ndryshme, një revole Zoraki dhe pesë fishekë kalibër 7×65 mm, një pushkë njëzetëshe me 5 fishekë kalibër 7×62.39 dhe një telefon i vogël Nokia, ngjyrë e zezë.
Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të prokurorit iu është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.