-0.5 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Pse është kaq i zemëruar kësaj kohe Isa Mustafa?!

Rekomandime

Nga Enver Bytyçi

- Advertisement -

Një debat i hapur ka plas midis deputetit Haxhi Abdyli dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ndërsa i pari ka lëshuar akuza për ish-shefin e tij se po bashkëpunon me Partinë Demokratike, Isa Mustafa, si rrallë ndonjëherë i përgjigjet me mllef deputetit të tij Abdyli. Në fakt zoti Mustafa para pak ditësh, duke folur për postin e presidentit të ri, thoshte se ky post i takon PDK-së.

Dukej se ai kishte arritur një akord me ish-presidentin tashmë në Hagë, sa i përket këtij posti. Pëshpëriti edhe një formulë, tjetër, sipas së cilës “Nëse nuk biem dakord për çeshtjen e presidentit, atëherë mund të shkojmë në zgjedhje të reja”, megjithëse ai e di se zgjedhjet e reja e defaktorizojnë elementin Isa Mustafa!

- Advertisement -

Shkuarja në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë e Hashim Thaçit ishte lajmi më i keq për Isa Mustafën. Kryetari i LDK-së, ardhur në pushtet me ndihmën dhe si patericë e pushtetit të Thaçit, humbi drejtpeshimin, sepse tashmë ekuilibrat e politikës së Kosovës ndryshuan. Ai nuk ka frikë nga Haxhi Avdyli, madje as nga Vjosa Osmani.

I frikësohet rebelimit të anëtarësisë së partisë së tij, në mos sot, një ditë pas zgjedhjeve të reja, të cilat do të vijnë jo larg në kohë.

- Advertisement -

Për ta shtyrë kohën e këtyre zgjedhjeve Isa lajmëroi se “nuk do të bisedohet për presidentin para Krishtlindjeve”! I duket se nëse fiton ta zemë dy muaj, ai do ta gjejë një lloj intrige për t’i shpëtuar dështimit.

Kjo deklaratë në fakt synonte të jepte mesazhin se “Isa Mustafa është ende në rol”! I duhet ta theksoj këtë rol, ndonëse më parë nuk e bënte, sepse rolin e tij e garantonte presidenti i dorëhequr i Kosovës.

Por a ka ndonjë As, të cilin qytetarët e Kosovës nuk ia njohin zotit Mustafa e që mund ta shfrytëzojë pas dy muajsh?

E sigurt është se koha e tij politike mbaroi së bashku me kohën politike të Hashim Thaçit.

Ndoshta kjo mund të konsiderohet si fitorja e dytë e madhe e Kosovës, pas largimit të Thaçit.

Largimi i njërit do të sillte dhe do të sjellë largimin e tjetrit.

Këtë fakt e këtë lidhje e njohin edhe ndërkombëtarët.

Ata nuk kanë ndërmend as sot, as pas dy muajsh t’i japin mbështetje ndonjë kandidature të Isës e Thaçit për president.

Po të ishte kështu, do mbanin ende në rol, Hashimin.

Në Hagë do të flitet për fatin e Xhejmal Mustafës, Enver Malokut, Shaban Manajt, Uk Bytyçit, si dhe dhjetra aktivistëve të tjerë të LDK-së e bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës, ikja e të cilëve ishte si të thuash edhe pastrimi i rrugës që Isa të ngjitet në krye të LDK-së!

Ish presidentit në Hagë i duhej në këto kushte ta kishte Isën në lojën politike, së paku për të mos denoncuar politikisht aktet kriminale që janë bërë kundër Lidhjes Demokratike, përfshirë dhe atentatin kundër presidentit historik, Ibrahim Rugovës.

Pikërisht për këto arsye Isa Mustafa e ndjen dështimin e rezervuar për të.

Ndaj dhe është i zemëruar. I zemëruar me veten dhe vetminë e tij. I zemëruar me pamundësinë e ëndrrës për t’u bërë president.

I zemëruar se do të njolloset edhe më rëndë me dështimin e zgjedhjeve të ardhshme, nëse ai nuk jep dorëheqjen para zgjedhjeve.

I zemëruar se edhe kryeministri i tij kërkon në mënyrën e tij të qetë e rugoviane pavarësinë e tij prej diktatit Mustafa!

I zemëruar, sepse ishte më shumë i mbështetur nga jashtë LDK-së sesa nga brenda saj dhe tashmë kjo mbështetje i mungon!

Pra Isa Mustafa është i zemëruar me veten e tij.

Në përgjithësi ata që zemërohen problemet nuk i kanë me të tjerët, por me veten e tyre.

Megjithatë për kreun e LDK-së ky fakt nuk vlen.

Ai e kërkon fajin te njerëzit e tjerë. Sidomos te Vjosa Osmani, e cila ia mbushi kutitë e votimit me vota për LDK-në dhe mbështetësit e saj.

Haxhi Abdyli është njëri prej tyre.

Megjithatë të bën përshtypje pse kreu i LDK-së është angazhuar direkt e personalisht në debatin me deputetin Abdyli, kur para disa kohësh nxirrte jo pak bashkëpunëtorë të tij të sulmonin Vjosa Osmanin?

Pse u detyrua të marrë vetë qiften e të qëllojë gjahun e tij politik?

Mesa duket atij po i bien kreditet brenda LDK-së e madje brenda kupolës së saj.

Nuk gjen më aq lehtë bashkëpunëtorë, të cilët bëhen pushka e Isa Mustafës.

Kjo do të thotë se kanë filluar t’ia kthejnë shpinën. As Isa nuk do t’i shpëtojë dot maksimës “Poshtë Mbreti, rroftë Mbreti”!

Me rëndësi është që Lidhja Demokratike e Kosovës, duke përcjell në pension politik Isa Mustafën, të mendojë që të rikthehet në filozofinë e Rugovës, një parti jo vetëm institucionaliste, por edhe e drejtësisë në Kosovë.

LDK-së, ashtu si gjithë spektrit politik në Kosovë, ia ka dhënë Haga shansin e ndryshimit.

Nëse e kupton shpejt këtë trend, do të fitojë diçka, nëse vonohet do të humbë shumëçka.

Nuk ka alternativë! Thaçi e ka marrë tashmë me vete edhe Isa Mustafën.

Kjo do të thotë se LDK-së i duhet më në fund të bëhet vetvetja, partia e parimeve rugoviste.

Liderët dhe anëtarët e LDK-së duhet të bashkohen e të rikthejnë shkëlqimin e dikurshëm.

Ky moment nuk vjen çdo ditë, momenti është sot.

Me këtë rast duhen bashkuar të gjithë bashkë, ata që qëndrojnë brenda kësaj familjeje dhe ata që janë larguar.

Por kjo nuk mund të bëhet pa larguar tre-katër bashkëpunëtorë të ish-presidentit Thaçi, përfshirë dhe Isa Mustafën.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit