11.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

A po rrezikohemi nga Serbia për një luftë të re, flasin ekspertët e sigurisë

Rekomandime

Reagime të shumta në Kosovë ka ngjallur deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi në një deklaratë të djeshme se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke marrë si shembull konfliktin e fundit të armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

- Advertisement -

Këto deklarata të Vuçiqit fillimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, janë cilësuar si paralajmërim për një luftë të re, ndërsa më vonë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thëne se deklaratat e Vuçiqit nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke, ndërsa ka kërkuar edhe reagimin e BE-së dhe NATO-së, nga të cilët deri të enjten mbrëma nuk ka pasur asnjë reagim, shkruan Zeri.info.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, por edhe njohës të rrethanave politike në Ballkan, kanë folur për “Zërin” pas këtyre deklaratave, duke i cilësuar si kërcënuese por edhe si “asgjë e re” nga ana e Serbisë për Kosovën.

Ish-këshilltari i lartë i DASH-it dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, David L. Phillips, ka thënë për “Zërin”, se Prishtina duhet t’i intensifikojë përpjekjet për të vendosur kontroll mbi territorin e Kosovës dhe se agresioni i Serbisë nuk duhet të tolerohet.

- Advertisement -

“Kosova duhet të kontrollojë pikat kufitare me Serbinë dhe të integrojë territoret në veri të lumit Ibër në përputhje me parimet e Ahtisaarit dhe rregullimet kushtetuese për të drejtat e pakicave.

Agresioni dhe sfida e Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës nuk mund të tolerohet. Mosmarrëveshjet territoriale duhet të zgjidhen paqësisht përmes negociatave”, deklaroi Phillips në një prononcim për “Zërin”.

- Advertisement -

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë në vend, ndajnë të njëjtin qëndrim se Kosova duhet të forcojë shtrirjen e sovranitet në gjithë vendin, në veçanti në Veri.

Nuredin Ibishi ka përmendur edhe kohën kur Policia e Kosovës ndërmerrte aksione kundër krimit të organizuar në Veri, ndërsa Serbia mblidhte Këshillin e Sigurisë, ku paralajmëronte nisjen e ushtrisë drejt Kosovës.

“Kjo nuk është hera e parë që Aleksandar Vuçiq bën deklarata të tilla, sepse ai ka qenë edhe ish-ministër për Informim në kohën e Milosheviqit dhe ai po vazhdon me atë avazin e vjetër, sikur edhe kur policia e Kosovës merrte aksione në Veri kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ai kërcënonte me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe nisjen e trupave drejt Kosovës”, ka thënë Ibishi për “Zërin”

Në lidhje me deklaratën e fundit të presidentit serb Vuçiq, Ibishi thotë se është një kërcënim i rrallë që i ka dërguar Kosovës.

“Kjo është një prej kërcënimeve të rralla, pa marrë parasysh se në çfarë konteksti jepet, duke thënë se konflikti duhet të zgjidhet dhe kinse nuk duhet t’i lihet gjeneratave të reja. Një deklaratë me shumë kontradikta dhe konfuze mirëpo mendoj se ai dërgon një mesazh kërcënues për Kosovën”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë në vend.

“Serbia synimin kryesor e ka pjesën veriore”

Një ofensivë për destabilizim të Ballkanit nga Serbia që do të niste në Kosovë, nuk e përjashton eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, i cili thotë se blerja e armatimit rus nga ana e Serbisë, i tejkalon nevojat e saj për vetëmbrojtje.

“Unë kujtoj që Serbia zyrtare që një kohë të gjatë është duke u përgatitur për ta ngritur gatishmërinë luftarake shumë më të lartë se që e ka, duke u armatosur kryesisht prej Rusisë. Gjithë kjo e tejkalon nevojën e vetëmbrojtjes së Serbisë si shtet.

I gjithë ky armatim që Serbia po e blen nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç se një lloj përgatitje për një luftë ofensive për destabilizim në Ballkan, para se gjithash mund të fillojë nga Kosova”, thotë Qehaja.

Ai thotë se synim i Serbisë është veriu i Kosovës të cilën Prishtina zyrtare nuk e kontrollon plotësisht, ndërsa kërcënimet e fundit të Vuçiqit i quan edhe si një luftë speciale për t’i arritur qëllimet e tij.

“Unë disa herë e kam thënë se Serbia synimin kryesor e ka pjesën veriore të Kosovës me përvetësua, edhe ashtu ne nuk e kontrollojmë plotësisht dhe kjo ka sjell deri tek ajo që ne sikur e kemi lënë pas dore atë pjesë të territorit tonë dhe ata po e shohin se ne jemi duke dhënë rezistencë që të mos formojmë Asociacionin e Komunave Serbe”.

“Përveç tjerash, është edhe një lloj lufte speciale që Vuçiqi përdor tash vetëm për të arritur qëllimet e tij, por sidoqoftë nuk duhet nënçmuar pretendimet serbe sepse, ata nuk do të heqin dorë nga Kosova, tash për tash, aq më shumë kur në Kushtetutën e tyre ende e kanë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe kjo për mua si ushtarak profesionit është në rrezikshmëri të madhe”, ka thënë Qehaja për “Zërin”, duke kujtuar se ai nuk pajtohet me ata që thonë se çështja e luftës ka marrë fund dhe se Kosova duhet të investojë më shumë në përgatitjet e FSK-së për vetëmbrojtje.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit