Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë, është zotuar se do t’i publikojë faturat e shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, ndonëse një muaj më parë pati thënë se këto të dhëna janë “sekrete”.
Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Selim Selimi i AAK-së është zotuar se do t’i bëjë publike shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Haga.
“Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët se mbi baza të rregullta do t’i bëjë të njohura shpenzimet e taksapaguesve përkitazi me këtë proces”, ka thënë në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Zyra për Shtyp e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo ministri ka ndarë 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.
“E kemi buxhetin e caktuar, është një detyrë e jona që na obligon ligji, ne i kemi 7 milion euro të ndara, dhe 13 milionë tjera që janë ndarë. Në total janë 20 milionë euro të cilat do të shfrytëzohen për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare e obligon shtetin që t’i mbështesë financiarisht të akuzuarit në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Por deri tash, as Selimi, dhe as ministria që ai drejton, nuk kanë treguar se sa para janë shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve, por kanë thënë se janë duke shqyrtuar kërkesat buxhetore të të akuzuarve që iu nevojiten për avokatët mbrojtës të tyre.
“Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët dhe opinionin publik se shqyrtimi i kërkesave po bëhet dhe do të bëhet në pajtim të plotë me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderin.
Dikasteri i drejtësisë kosovare ka premtuar se paratë për mbrojtjen e të akuzuarve do të ndahen sipas parimit të barabarësisë.
“Ligji i cekur më lartë [v.j. për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare], si dhe udhëzimet administrative përcaktojnë se trajtimi i kërkesave do të bëhet sipas parimit të barabarësisë, për çka Ministria e Drejtësisë, Njësia përkatëse si dhe Komisioni i mandatuar për këtë çështje, janë të obliguara dhe po merren më këtë çështje”, sqaron përgjigja e MD-së për Insajderin.
Nga të dhënat janë “sekrete”, tek “ato do të publikohen”
Një muaj më parë, kur pesë të akuzuarit e parë për krime lufte nga Gjykata Speciale, dolën para Prokurorit të Dhomave të Specializuara, Gazeta Insajderi, ka kërkuar të di se sa para janë shpenzuar për mbrojtjen e tyre.
Atë kohë – Ministria e Drejtësisë – tha se faturat e shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, por edhe shpenzimet tjera eventuale të të njëjtëve, janë dokumente të klasifikuara.
“Këto dokumente janë të klasifikuara në bazë të Vendimit nr. 2192/2019, të datës 31 janar 2019 të Kryeministrit, përkitazi me Ligjin nr. 03/L178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, pati thëne MD para një muaji për Gazetën Insajderi.
Por, pikërisht pika e dytë vendimit, e detyron shtetin t’i bëjë publike shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve.
“Përjashtim nga pika 1 e këtij vendimi [v.j. që dokumente i konsideron sekrete] janë dokumentet që kanë të bëjnë me mjetet e shpenzuara financiare përkitazi me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare që ndërlidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thotë vendimi i nxjerr nga ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj.
Bashkëpartiaku i Haradinajt, Selimi, siç edhe e detyron kjo pikë e vendimit, ka premtuar se në të ardhmen do t’i publikojë faturat e shpenzimeve, që para një muaji i konsideronte “sekrete”.
Për çka akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi?
Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.
Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.
Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.
Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.
Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.
Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.
Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.
Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.
Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.
Ndryshe, i akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.