7.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Policia nuk heton falsifikimin, por e vendos në “listën e zezë”

Rekomandime

Policia e Kosovës angazhon kompani që të mirëmbajë antenat e saja që i ka të vendosura në 9 pika në vende të ndryshme në Kosovë.

Por, prokurimit të policisë i doli pak telashe që të përzgjedhë një kompani që merret me mirëmbajtjen e tyre.

- Advertisement -

Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe mashtrimi janë vepra penale të ndëshkuara me Kodin penal të Kosovës. Policia e Kosovës konstatoi se një kompani tentoi ta mashtronte, duke paraqitur dokumente të falsifikuara që të fitojë tender nga ky organ i sigurisë, shkruan lajmi.net.

Ndaj kompanisë nuk u morën masa, konform Kodit Penal për “falsifikim të dokumentit zyrtar” . Mashtrimi që bëri ajo u trajtua me Ligjin e Prokurimit Publik. I gjithë dënimi që mori kompania është përjashtimi i saj për 6 muaj nga gara për të ofertuar në tender publik.

Policia e Kosovës kishte hapur tender për mirëmbajtjen e pikave të antenave, dhe për këtë kishin garuar dy kompani. Duke konsideruar që njëra kompani kishte ofertuar me dokument të falsifikuar, prokurimi i policisë kërkoi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që kompaninë ta fus në “listën e zezë”. Listë kjo ku futen kompanitë që konsiderohen se ofruan të dhëna të rrejshme në prokurimet publike.

- Advertisement -

Paneli shqyrtues i OSHP-së i përbërë nga tre anëtar, më 25 janar ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën e Policisë së Kosovës për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurim të operatorit ekonomik “2 Tech” SHPK nga Prishtina, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja e pikave të antenave”.

“DISKUALIFIKOHËT, EO “2 Tech”, sepse i njëjti ka ofertuar me dokument të falsifikuar, duke ofertuar vërtetimin e ATK-së të falsifikuar. Andaj, duke u bazuar në nenin 99 pika 2 të LPP Operatori në fjalë diskualifikohet për periudhën kohore 6 mujore, të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në aktivitet e prokurimit publik në Republikën e Kosovës, nga data 22.01. 2021 deri më datë 21.07.2021”.

- Advertisement -

Fillimisht, më datën 17.11.2020, Autoriteti Kontraktues –Policia e Kosovës ka kërkuar nga kompania “2 Tech” të dorëzojë vërtetim tatimor të lëshuar nga ATK-ja dhe vërtetimin e lëshuar nga Gjykata, si dëshmi dokumentare për përmbushjen e kriterit të pranushmërisë sipas dosjes se tenderit.

Më datë 19.11.2020 kompania i ka dërguar në mënyrë fizike vërtetimet e kërkuara. Më pas prokurimi i policisë ka bërë verifikimin e vërtetimit tatimor të ATK-së, sipas numrit serik, ku pas verifikimit rezulton se vërtetimi me këtë numër është lëshuar për një person fizik dhe menjëherë ATK ka diskualifikuar kompaninë nga aktiviteti i prokurimit.

Kompania me datë 30 nëntor 2020, si palë e pa kënaqur ka parashtruar ankesë pranë OSHP-së, ku së bashku me ankesën ka prezantuar edhe vërtetimin tatimor të datës 24 nëntor. OSHP më datë 21 dhjetor ka nxjerrë vendim ku ka aprovuar pjesërisht ankesën dhe ka kërkuar nga prokurimi i policisë që të kërkojë informacione shtesë nga ATK, se si mund të ndodhë një mospërputhje e tillë në vërtetimin tatimor. Bazuar në vendimin e OSHP-së, policia më datë 21 dhjetor ka kërkuar nga ATK-ja informacione lidhur më vërtetimin tatimor të dorëzuar nga kompania. ATK me datë 24 dhjetor i është përgjigjur përmes Emailit, ku ka konstatuar se dokumenti është i falsifikuar.

Bazuar në këtë informacion, prokurimi i policisë ka nxjerr vendim ku e ka diskualifikuar nga gara kompaninë.

Në fund Paneli shqyrtues ka ardhur në përfundimi se vërtetimi i ofruar nga EO “2 – Tech” SHPK, i datës 13 nëntor 2020, nuk i përket fare EO në fjalë, duke konstatuar se dokumenti në fjalë është i falsifikuar.

“Për këtë veprim të kundërligjshëm, OSHP ndërmerr masa në pajtim me nenin 99 të LPP”, thuhet në fund të vendimit të OSHP-së.

Për këtë aktivitet të prokurimit, policia e Kosovës kishte bërë njoftim për kontratë në fund të muajit gusht 2020. Ndërkohë, pas ankesave të kompanisë “2Tech”, procedura e prokurimit është finalizuar tek ditën e mërkurë (27 janar).

Fitues është shpallur, kompania e vetme që mbeti në garë “Inter Adria” L.L.C nga Prishtina me vlerë të ofertës 113, 182.92 euro. Ndërsa, kompania “2- Tech” shpk kishte ofertë shumë më të lirë se e fituesit, fiks 76, 140.00 euro.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 115 200,00 euro

Ky aktivitet i prokurimit ka për qellim mirëmbajtjen e pikave te antenave ne 9 pika te ndryshme” Prishtine, Gërmi, Budakovë, Cerrnushë, Maja e Gjelbert, Qiqavicë, Zatriq, Zymë dhe Golesh.

Kontrata do të jetë kornizë me kohëzgjatje për 36 muaj.

Falsifikimi i dokumentit zyrtarë sipas Kodit penal të Kosovës është vepër penale, neni 427 shkruan për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, i cili thotë: “1. Personi zyrtar i cili në dokumentin zyrtar, në regjistër ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhënat e duhura apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rreme, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 2. Personi zyrtar i cili shfrytëzon dokumentin zyrtar, regjistrin ose shkresën zyrtare të rreme si të vërtetë në veprimtarinë e tij afariste ose i cili asgjëson, fsheh, dëmton apo në ndonjë mënyrë tjetër e bën të papërdorshëm dokumentin zyrtar, regjistrin ose shkresën zyrtare, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni”.

Po ashtu, neni 323 që ka të bëjë me mashtrimin thotë se “2. Nëse qëllimi i mashtrimit është përfitimi i dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ose institucionet publike, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet”, thuhet në mes tjerash në nenin 323 të Kodit penal të Kosovës nr .06/L -074.

Rëndom, sa herë që institucionet konsiderojnë që një kompani ka ofertuar më të dhëna të rreme, ose dokumente të falsifikuara i drejtohen OSHP-së. Nëse ky organ konstaton një gjetje të tillë, ndaj kompanisë nuk merren masa tjera, pos diskualifikim nga gara për 1 vit ose 6 muaj. Ka raste kur kompanitë e kanë paditur OSHP’në se ua ka miratuar pa të drejtë ankesat institucioneve. Madje, ka raste kur edhe institucioneve nuk u aprovohen kërkesat. Një e tillë nuk i ishte aprovuar policisë së Kosovës, vitin e kaluar, pasi ishte konstatuar se nuk ka pasur kurrfarë falsifikim në dokumentacionin e ofertuar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit