Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, tha se lista e kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e plotë dhe do ketë 110 kandidatë, shkruan Indeksonline.
Në një konferencë shtypi, Kurteshi tha se edhe pas vendimit të PZAP-së dhe Supremes për moscertifikimin e kandidatëve të kësaj partie, ata do të mbesin në listë për shkak që sipas Kurteshit, KQZ-ja nuk ua ka dhënë mundësinë e zëvendësimit të tyre.
“Lista e LVV-së në votime është e plotë me 110 kandidatë. Pas vendimit jo të drejtë të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme që kanë refuzuar mundësinë e zëvendësimit të kandidatëve është me 110 kandidatë ashtu siç është dorëzuar në fillim në KQZ. LVV-ja është ankuar dhe dy kandidatë nuk janë certifikuar por edhe nuk është dhënë e drejta për zëvendësimin e tyre. Lista është me 110 kandidatë ashtu siç e ka dorëzuar LVV-ja dhe ashtu duhet ta votojnë edhe qytetarët”, u shpreh Kurteshi.
PZAP-ja dhe Gjykata Supreme së fundi nuk e kanë certifikuar Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin për të garuar në zgjedhje, të cilët janë të dënuar me vendim të formës së prerë, për vepra penale në tre vjetët e fundit.
Po ashtu, Kurteshi ka thënë se ende nuk e kanë listën që tregon saktë se sa aplikues nga diaspora janë konfirmuar dhe janë refuzuar.
Ai tha se personat brenda KQZ-së kanë bërë vepra penale siç është parandalimi i së drejtës së votimit.