Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Kuvendi serb ka formuar grupe parlamentare të miqësisë me të gjitha vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe me ato vende që tërhoqën njohjen e saj, raporton Tanjug.
Në Kuvendin serb, ku po zhvillohen diskutime mbi marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë me Mbretërinë e Lesotos, që e ka tërhequr njohjen e Kosovës, Daçiq tha se si ministër i Punëve të Jashtme ka punuar shumë për këto rezultate.
“Në të gjithë këtë, ne kishim mjetet për të nënshkruar marrëveshje të ndryshme, nga heqja e vizave, te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Lesoto është një nga vendet e para që e ka tërhequr njohjen e Kosovës”, tha Daçiq.
Sidoqoftë, Daçiq paralajmëroi se qeveria në Mbretërinë e Lesotos ka ndryshuar dhe se situata duhet të monitorohej në mënyrë që të mos ndryshojë diçka në këtë drejtim.
Në marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit të kaluar, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë nën ndërmjetësimin e administratës Trump, Serbia u zotua se do ta ndalë fushatën për t’i joshur shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, të heqin dorë nga ky vendim.