Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Lumir Abdixhikut, LDK-ja pritet të zgjedhë edhe Kryesinë e re. Siç mëson T7, Haziri, Quni, Muhaxheri, Ahmeti, Shala e Tahiri janë vetëm disa emrat e kryesisë së re.
Nuk po i ndahen në asnjë moment.
Disa nga figurat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që qysh nga dita e parë po e shoqërojnë kryetarin e ri, pritet që të jenë pjesë e ekipit së tij.
Lutfi Haziri, Kujtim Shala, Anton Quni, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti e Xhafer Tahiri janë vetëm disa nga emrat e kryesisë së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, është përmendur, edhe emri i Besian Mustafës që ishte kundërkandidat i Abdixhikut.
E ky i fundit nuk e pohon e as mohon, këtë gjë.
Emrat e përmendur, u panë edhe një ditë më parë në selinë e partisë, ku zhvilluan një takim me të parin e partisë.
Se do ndërtojë ekipin brenda kësaj jave e para takimit me Albin Kurtin e Vjosa Osmani, e konfirmon vetë Abdixhiku.
Por për të marrë një konfirmim më konkret në lidhje me këta emra, T7 ka qëndruar të martën edhe tek selia e Lidhjes Demokratike.
Por teksa televizoni qëndroi aty, nuk pati lëvizje të zyrtarëve të partisë.
LDK të dielën mbajti Kuvendin e ri për zgjedhjen e kryetarit.
Në këtë kuvend u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm.