Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të premten se komentet e homologut të tij amerikan, Joe Biden, për presidentin rus, Vladimir Putin, kur e quajti vr.asës, janë të papranueshme dhe jo të përshtatshme për një president.
Në një intervistë për televizionin amerikan, ABC News, Bideni gjithashtu tha se Putini nuk ka shpirt dhe premtoi se homologu i tij do të paguajë një çmim për ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në ShBA, diçka që Kremlini e mohon, shkruan Reuters.
Ankaraja dhe Uashingtoni janë aleatë në NATO, ndonëse presidenti turk ende nuk ka biseduar zyrtarisht me homologun amerikan që nga koha kur ky i fundit u inaugurua si president i ShBA-së në fund të janarit.
Ndaj komenteve të presidentit amerikan ka reaguar edhe vetë politikani që iu përmend emri, Vladimir Putin, i cili i uroi shëndet Bidenit dhe tha se njerëzit kanë prirje që të tjerët t’i shohin ashtu si janë vetë.
Në një vendim të pazakontë pas intervistës së Bidenit, Rusia të mërkurën tha se e ka thirrur ambasadorin e vet në ShBA për konsultime urgjente rreth të ardhmes së raporteve me Shtetet e Bashkuara.