Deputeti i PDK’së Bekim Haxhiu thotë se ka arritur të kontaktojë me kompaninë amerikano-gjermane Pfizer dhe BioNTech duke siguruar 500 mijë deri në 3 milionë doza të vaksinave per Kosoven.
Thotë se i ka shkruar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili duhet t’i kthej përgjigje brenda tre ditësh kompanisë. Sipas Haxhiut, nëse ndodh një aprovim nga Ministria e Shëndetësisë, 2 deri në 3 javë pas nënshkrimit të kontratës Kosova do të merrte vaksinat.
“Kam marrë konfirmim zyrtar për 500 mijë deri në 3 milionë doza Pfizer. Brenda tre ditësh Kosova duhet të vendos kontakt me kompaninë”, tha Haxhiu në “DPT te Fidani”.
“Ky është konfirmimi zyrtar dhe për detaje duhet të vazhdoj tani MSH kontaktin”, shtoi ai.
“I kam shkruar email ministrit përmes të cilës e kam njoftuar dhe i kam thënë se jam i gatshëm në çdo kohë ta takojë dhe t’i japë kontaktet. Kërkesa e kompanisë është që të vendoset në kontakt me MSH’në”, theksoi ai.
“Brenda tre ditësh ne duhet të japim një përgjigje sepse brenda javës ndryshojnë mundësitë dhe ofertat dhe s’mund të ruhen stoqet për neve”, shpjegoi ai.
Haxhiu tha se Ministri Vitia nuk i ka kthyer akoma përgjigje.
“Oferta është konkrete për Ministrinë e Shëndetësisë. Nëse dojnë me vazhdu e kanë mundësinë”, tha Haxhiu.
“Qeveria është tu meditu. Nuk është tu punu. Nuk është tu ditë me punu”, tha Haxhiu.
Ai theksoi se deri te sigurimi i vaksinave ka ardhur pasi ka zhvilluar kontakte me disa mjekë dhe biznesmenë shqiptarë në Europë.