7.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Copëtimi i Bosnjës e bashkimi Kosovë-Shqipëri – Zanafilla e dokumentit me kufijtë e ndryshuar të Ballkanit

Rekomandime

Një dokument që sugjeron ndryshimin e kufijve të shteteve të pavarura që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe reduktimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në një të tretën e sipërfaqes aktuale ka nxitur një debat të fortë në rajon.

Dokumenti i cili nuk mban një firmë zyrtare dhe që pretendohet se ka mbërritur edhe në rrethet më të larta të Bashkimit Europian, propozon që Serbia, Kroacia dhe Shqipëria të zgjerohen duke gllabëruar pjesë të Bosnjës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

- Advertisement -

Ideja, e kritikuar gjerësisht në rajon, është rinisja në pikën ku ndaluan luftërat e Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve mono etnike – në kundërshtim të drejtpërdrejt si me BE ashtu edhe me përpjekjet e ndërkombëtarëve për të folezuar multikulturalizmin në Ballkanin Perëndimor.

Dokumenti i publikuar për herë të parë në median sllovene Necenzurirano sugjeron që Serbia të marrë entin ekzistues Republika Srpska, një prej dy njësive administrative kryesore të Bosnjës me shumicë serbe. Ndërsa pjesa me shumicë kroate do i bashkohej Kroacisë dhe Shqipëria do të unifikohej me shumicën e trevave shqip-folëse në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa veriu i Kosovës me shumicën serbe do të merrte të drejta speciale administrative.

Nga ka dalë dokumenti i shumëpërfolur?

- Advertisement -

Dokumenti, i referuar nga BE si “non-paper” që përkufizohet si pika diskutimi jozyrtare të ndara në mënyrë konfidenciale midis qeverive apo institucioneve, ka dalë nga zyra e Kryeministrit Janez Jansa, që ka refuzuar të pranojë por edhe të mohojë pretendimet pas interesimit nga Euronews.

- Advertisement -

Ndërsa Kryeministri shqiptar Edi Rama ka konfirmuar për ekzistencën e tij gjatë një interviste në një media lokale në kuadër të fushatës elektorale.

“E kam parë [dokumentin]. Kam folur me kryeministrin slloven disa kohë më parë. Fola me të për idenë në përgjithësi dhe pashë dokumentin”, u shpreh Rama.

Cila është zanafilla e kësaj historie?

Sllovenia ishte shteti i parë që u shkëput nga Jugosllavia përpara luftërave që nisën pas shpërbërjes së federatës. Pas një konflikti të shkurtër më Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë, vendi shpalli pavarësinë në 1991.

Si pjesa më e pasur dhe më në veri të ish-federatës, Sllovenia menjëherë i drejtoi sytë drejt anëtarësimit në BE dhe rrallëherë e ka kthyer kokën për të parë fqinjët e Ballkanit.

Sugjerimi që ka nxitur më shumë debat ka qenë pikërisht ndarja e Bosnjës dhe Hercegovinës në një të tretën e territorit aktual dhe duke i dhënë mundësinë që të zgjedhë për një të ardhme midis “BE dhe jo BE (Turqisë)”.

Komenti është cilësuar si krejtësisht racist dhe diskriminues kundrejt shumicës boshnjake që janë të fesë myslimane.

Gjithashtu është një rikujtesë e luftës së përgjakshme të viteve 1992-1995 kur vendi u përça prej luftërave etno-nacionaliste kur shpalli pavarësinë pas ndarjes së Jugosllavisë.

Boshnjakët pësuan humbjet më të mëdha dhe ishin vazhdimisht në qendër të sulmeve për shkak të besimit të tyre fetar.

E gjithë ngjarja kulmoi me gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, kur mbi 8 mijë boshnjakë, kryesisht burra por edhe gra e fëmijë, u masakruan nga ushtria serbe boshnjake.

Më pas, erdhi konflikti midis forcave serbe dhe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa ende sot e kësaj dite Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës.

Sa i rëndësishëm është ky dokument?

Për Robert Botteri, redaktori i të përjavshmes sllovene Mladina, refuzimi i Jansas për të pranuar apo mohuar pretendimet është një farë pohimi në vetvete.

“Mund të mos marrim një përgjigje të drejtpërdrejt nëse ai është autori pasi edhe kur kapet, Jansa gjithmonë mohon përfshirjen”.

“Megjithatë, të gjitha rrethanat janë treguese të faktit se dokumenti është autentik”.

“Teksa mund të diskutojmë për emrin e autorit, është e qartë që ka ardhur nga një rreth njerëzish si Jansa, Viktor Orbam dhe Aleksandar Vucic”.

Për Bosnjën, dokumenti vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar është i shpërqendruar nga probleme të tjera, si pandemia dhe administrate e re e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kurt Bassuener, profesor i asociuar në Këshillin e Politikave Demokratike, një shoqatë ekspertësh për çështje politike me seli në Berlin, shumica e vendeve anëtare do të ishin në favor të ideve të propozuara, megjithatë kjo nuk e bën përmbajtjen e këtij dokumenti më pak problematik.

“Ideja se shpërbërja e Jugosllavisë është një proces i papërfunduar është një pikëpamje krejtësisht revizioniste e asaj që solli fundin e vendit dhe plot pesë konflikte, prej të cilave Bosnja vuajti më shumë.”

Bassuener thotë se dokumenti në tërësinë e tij është qartazi tregues i ambicieve të Jansas për t’u bashkuar në radhët e politikanëve të djathtë, si Orban dhe Duda i Polonisë.

Ndërsa Botteri mendon se qëllimi i dokumentit është të krijojë më shumë konflikt në kontinent dhe të destabilizojë BE.

“15 vite më parë, Europa mendonte sesi një ditë i gjithë kontinentit do të ishte pjesë e Bashkimit Europian, përshi edhe Turqinë”, tha ai.

“Sot, procesi ka ndaluar, ndërsa konfliktet vazhdojnë e përshkallëzohen në kufijtë e kontinentit”.

“Një Bashkim Europian i fortë nuk ka qenë kurrë në interes të forcave të ekstremit të djathtë, pasi ato kanë qenë gjithmonë kundër një Europe të bashkuar dhe demokratike”.

Dokumenti nuk është pritur mirë midis qytetarëve sllovenë.

“Njerëzit në Slloveni janë të tmerruar dhe të frikësuar sepse të gjithë e dimë se çfarë nënkuptoi ndryshimi i kufijve 30 vite më parë në Bosnje”, tha ai.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit