3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Detaje nga helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë

Rekomandime

Mbi 1 mijë e 500 persona, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë janë helmuar në Deçan. Dyshimet e para janë se banorët e kësaj komune janë helmuar nga uji i pijshëm. Ndërsa, komuna e Deçanit sot ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i mbi 1 mijë e 500 personave.

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga e shtuna deri sot për shkak të helmimit.

- Advertisement -

Dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Ndërsa, në mesin e të helmuarve janë edhe 51 fëmijë, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.

“Që nga dita e shtunë e deri më tani kanë kërkuar ndihmë shëndetësore 77 qytetarë nga Deçani dhe atë 51 në repartin e pediatrisë dhe 26 në emergjencë“, kanë thënë zyrtarë për informim të Spitalit të Pejës.

- Advertisement -

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë sot për media se numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në këtë qendër ka shkuar në mbi 1 mijë e 500.

Ai ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë.

- Advertisement -

Ndërsa, derisa gjatë 24 orëve të fundit në këtë qendër janë raportuar dy viktima, mjekë nga QKMF kanë thënë për Express se viktimat kanë pasur probleme tjera shëndetësore, njëri edhe probleme me zemër, andaj edhe vdekjet e tyre nuk janë lidhur me helmimin.

Komuna e Deçanit, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit, ka marrë vendim sot që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune.

Me t’u marrë ky vendim është kërkuar që të punohet me kapacitete të plota njerëzore dhe humane për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Deçanit.

Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka kërkuar që uji në fshatrat e Deçanit të mos përdoret për pije.

Takimi i KRU “Hidrodrinit” në lidhje me ndërprerjen e ujit të pijshëm pas helmimit të qytetarëve.

Prokuroria nis hetimet

Dy vdekje të dyshimta janë regjistruar në 24 orët e fundit në Deçan.

Për shkak të situatës së krijuar nga helmimet, vdekja e këtyre dy personave është cilësuar si e dyshimtë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se pasi kanë marrë informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta, për shkak të situatës së krijuar, prokurori kujdestar ka kërkuar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion.

Ndërsa, me të pranuar informatat për helmim, Nikçi ka deklaruar se prokurori ka autorizuar policinë që të ndërmerrë veprime hetimore dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik që t’i marr disa mostra të ujit dhe t’i dërgoj në laborator.

“Pasi kemi pranuar informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta dhe për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, viktimat janë dërguar në mjekësi ligjore për obduksion dhe në varësi prej raportit do të zhvillohen edhe veprimet e mëtutjeshme. Fillimisht pasi kemi pranuar informatat, prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe IKSHPK’në që t’i marr disa mostra të ujit dhe të dërgohen në laboratorët e këtij instituti dhe varësisht nga rezultatet finale do të merren veprimet e mëtutjeshme procedurale“, ka thënë ai.

Përndryshe, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë dje në një konferencë për media se për shkak se probleme me ujin e pijes ka pasur edhe njëherë gjatë këtij muaji, kjo i shtyn ata të mendojnë se këto probleme mund të jenë edhe të qëllimshme.

Ai ka ftuar institucionet përkatëse që të merren me këtë rast.

Vitia e Ramadani vizitojnë Deçanin, thonë se po monitorohet kualiteti i ujit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sot komunën e Deçanit ku është takuar edhe me kryetarin e kësaj komune.

Me këtë rast ai ka thënë se dy vdekjet e dyshimta në këtë komunë nuk kanë të bëjnë me helmimin.

Ndërsa, Vitia ka thënë se bashkë me kryetarin Ramosaj dhe drejtorin Selmon Berisha kanë hartuar një listë të barnave që do të trajtohet me prioritet.

Ndërsa, drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk tregon se helmimi ka ndodhur nga uji.

Megjthatë, ai ka thënë se ende po hetohet ky rast.

“Kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza përmanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim”, ka thënë Ramadani.

Opozita kritikon Kurtin e Vitinë

Deputetë të opozitës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti e ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për neglizhimin e rastit të helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka publikuar fotografi nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan, ku mijëra banorë të këtij qyteti po kërkojnë ndihmë mjekësore.

Me këtë rast, ajo ka thënë se ministri Vitia ka shkuar me duar në gjepa në Deçan.

Sipas saj, QKMF’ja dhe qytetarët kanë nevojë për ndihma konkrete, infunzione e barna.

“Ministri Vitia sot erdhe sa për sy e faqe nē Deçan po me duar në gjepa. QKMF-ja dhe qytetarët kanë nevojë për ndihmē konkrete me infuzione e barna. Si gjeth qytetarët e Deçanit human të cilit po i dalin nē ndihmë me barna e infuzione institucionit shëndetësor”, ka thënë Kadrijaj.

Foto e publikuar nga Time Kadrijaj, e cila tregon gjendjen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryeministri Kurti nuk duhet të ketë në agjendë asgjë më të rëndësishme se jetën e qytetarëve.

Megjithatë, ajo ka deklaruar se shembulli që po japin ata është jonjerëzor.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook se është në vizitë zyrtare jashtë vendit, por që po komunikon vazhdimisht me institucionet përgjegjëse.

Ai ka thënë se qeveria do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.

“Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit. Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia. Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë“, ka shkruar ai.

Kujtojmë që komunën e Deçanit sot e ka vizituar edhe presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Vjosa Osmani duke u deklaruar për media pas vizitës në QKMF’në e Deçanit.

Osmani ka thënë se ka pasur të helmuar edhe qytetarë të fshatrave që kanë pasur burim tjetër të furnizimit me ujë.

Ajo ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë rastin me urgjencë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit